Sekretari Mattis viziton kufirin me Meksikën

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis vizitoi kufirin me Meksikën ku do të inspektojë një pjesë të mijëra trupave që janë mobilizuar për të ndihmuar në operacionet e sigurisë në kufi. Celia Mendoza e Zërit të Amerikës ishte në portën hyrëse Brownsville, që ndodhet nën njërën prej urave ndërkombëtare, e cila lidh Meksikën me shtetin e Teksasit.
Një pjesë e mirë e mijëra trupave të vendosura në kufi janë duke ndërtuar kazerma prej tendash, ose si këta ushtarë, duke vendosur barriera me tela me gjemba.
Xhenieri Jordan Wilson, shtrin telat nga ura ndërkombëtare në portën hyrëse Brownsville. Ai habitet edhe vetë që e kanë dislokuar këtu dhe jo jashtë Amerikës, siç ndodh zakonisht:
“Ishte një habi për mua. Ndodhi shumë shpejt, por është një mision me rëndësi. Puna ime është të shtrij telat me gjemba për të siguruar mbështetje.”
Shumica e trupave, si këto, janë vendosur në Teksas. Të tjerët, në Kaliforni dhe Arizona.
Një karvan prej disa mijëra emigrantësh nga Amerika Qendrore që udhëton nëpër Meksikë drejt SHBA, bëri që presidenti Trump të nxirrte urdhërin për dërgimin e trupave, dhe kjo u bë shkak për polemika.
Emigrantë si Herman Misael nga Hondurasi, janë të vendosur të hyjnë në Shtetet e Bashkuara:
“Ndihem shumë i gëzuar sepse jemi një hap më afër për të lejuar familjen tonë të ketë një të ardhme, në sajë të përpjekjes sonë”, thotë Misael.
Rreshteri Javone Somersall punon me policinë ushtarake. Misioni i tij është të mbrojë trupat që shtrijnë telat, por jo për të kapur emigrantë të paligjshëm:
“Nuk jemi këtu për të kryer misione ligjzbatuese. Jemi këtu vetëm për të forcuar partneritetin, për të punuar me ta për të ndihmuar që detyrat e tyre të kryhen sa më mirë.”
Misioni i trupave do të përfundojë në dhjetor, por mund të zgjatet. Rreshteri Somersall thotë se ndihet këtu si në shtëpinë e tij:
“Ata na presin mirë këtu prandaj jemi me shumë fat. Shumë njerëz që kalojnë këtej me makinë u bien borive ose na përshëndesin me dorë.”
Shifrat tregojnë se gjatë muajit shtator, përgjatë kufirit prej 3 mijë kilometrash u kapën rreth 1700 njerëz në ditë. Nëse trupat apo politikat e reja do të sjellin ndonjë ndryshim, kjo mbetet për t’u parë, por shpenzimet janë në rritje. Dislokimi i tanishëm vlerësohet se do të kushtojë rreth 200 milionë dollarë.

Artikulli paraprakMakina me drogë bie në humnerë, vdes shoferi, policia fsheh ngjarjen
Artikulli tjetërReagon Berisha: Qytetarët para Bashkisë të gatshëm për ta tërhequr zvarrë si mi Lal Plehun