Partia Demokratike lajmëron kallëzim në Prokurori për Ministrinë e Brendshme, pasi ka penguar zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Shkak është bërë informacioni me mangësi që ky dikaster i ka dërguar komisionit hetimor parlamentar mbi listën me 130 emra zyrtarësh, të cilët opozita i ka evidentuar me të shkuar problematike. Genc Pollo tha se, Ministria e Brendshme ka kthyer përgjigje vetëm për 21 zyrtarë, ndërsa i ripërsëritën sërish kërkesën për informacion dhe të dhëna. Partia Demokratike, rreth një muaj më parë publikoi një listë me 130 zyrtarë, të cilët sipas saj kanë të shkuar problematike. Për emrat konkretë në listë, ata kërkuan informacion dhe të dhëna nga Ministria e Brendshme, por dje në Komisionin Hetimor parlamentar për Emërimet në Administratë, kryetari Genc Pollo tha se ministria ka kthyer përgjigje vetëm për 21 emra. Komisioni i ripërsëriti kërkesën Ministrisë së Brendshme dhe në rast refuzimi paralajmërimi i demokratëve ishte i qartë. Pollo: “Për fat të keq Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit në varësi të saj që ka kartotekën më të plotë të personave me të shkuar penale, duke regjistruar çdo precedent të tyre na ka kthyer përgjigje vetëm për 21 prej tyre. Specialistët kanë hartuar një shkresë, ky është mjeti ynë, përveçse t’i kujtojmë që mospërgjigjja është përgjegjësi penale. Arma e fundit ndoshta do të jetë që si komision t’i drejtohemi prokurorit të Përgjithshëm për hapjen e hetimit për pengim të hetimit të komisionit hetimor”. Socialistët e mbështetën kërkesën e përsëritur për Ministrinë e Brendshme, por deputeti Musa Ulqini kërkoi nga Komisioni një projekt ku duhet të mbështetet puna. Ulqini: “Ju thoni 130. Është shkresa me 130 emra dhe ne nuk kemi të drejtë të arrijmë në përfundime sepse ka një nen kushtetues për prezumimin e pafajësisë. Është krejt legjitime kërkesa juaj, ne nuk e kemi penguar, është dhe miratimi jonë”. Por sipas demokratëve informacioni i paplotë i Ministrisë së Brendshme nxjerr në pah akuzat e opozitës për përfshirjen e personave të inkriminuar në administratë. Pollo tha se nga janari, një numër i madh nëpunësish kanë dhënë dorëheqjen dhe janë vendosur në poste të tjera me qëllim t’i shpëtojnë radarit të dekriminalizimit. Pollo: “Rezulton që një numër i konsiderueshëm personash kanë dhënë dorëheqje nga janari deri në maj. Por nga të dhënat operative na rezulton se këta persona ose kanë marrë një javë apo një muaj më vonë një kontratë të përkohshme për të njëjtat poste që kanë mbetur vakante ose janë ulur në nivele të tjera të poshtme”. Komisioni hetimor për emërimet në administratë u mblodh për vendimin e Byrosë për angazhimin e 6 specialistëve të jashtëm, që do të merren me analizimin e të dhënave.
Kryesore
Continue to the categoryIndeksi global/ Mosha e mesme në Shqipëri është më e palumtur!
Shqipëria ka bërë hapa para në fusha të ndryshme gjatë dekadave të fundit, por niveli i lumturisë në moshën e mesme (45-59 vjeç) ka...