Përmes një letre të gjatë, kryetari i Grupit parlamentar të PS, Ruçi i kërkonte kryetarit të Parlamentit që të fuste për miratim në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit Reformën në Drejtësi.
Kjo për faktin nëse ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi do të diskutohen sipas Rregullores së Parlamentit në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e Ligjeve apo quhen të ezauruara nga Komisioni i Posaçëm e Reformës.
Opozita mbajti qëndrimin që drafti të kalojë sipas procedurave parlamentare dhe jo sipas rastit të ligjit të dekriminalizimit, për shkak se në rastin e parë kishte konsensus.
Vetë kreu i Grupit parlamentar të PS, Ruçi pranon në letrën e tij se futja në kalendarin e punimeve të Parlamentit të reformës edhe pa konsensusin e opoozitës është në shkelje të hapur të nenit 77/a dhe 77/b të Rregullores së Parlamentit. Ruçi thotë se kjo duhet të konsiderohet e ezauruar nga precedenti që është krijuar me të njëjtën procedurë që u ndoq në miratimin e ligjit të dekriminalizimit. Në rastin e ligjit të dekriminalizimit të gjitha palët ishin dakord me draftin e paraqitur për miratim, ndërsa në rastin konkret, palët nuk janë të dakordësuara.
“Argumentet e mësipërme dhe renditja më sipër e fakteve e plotësojnë argumentin kryesor për panevojshmërinë e procedurës së parashikuar në nenin 77/a dhe 77/b të Rregullores së Kuvendit për mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionin e Ligjeve për shqyrtimin e projektit kushtetues”, thuhet në letrën që Ruçi i dërgon kreut të Kuvendit dhe ka qenë edhe arsyeja kryesore se përse dje është thirrur dhe është debatuar gjatë në Këshillin e Rregullores dhe të Mandateve.
Komisioni ia ka përcjellë këtë propozim për diskutim sot Parlamentit, i cili po ashtu pritet që të përfshihet në debate. Çfarë fshihet tek ky nxitim i Ramës? Nëse reforma kalon në procedura parlamentare, atëherë parashikohet që drafti i saj të kalojë për miratim. Duke qenë se palët nuk janë dakordësuar për draftin përfundimtar, atëherë miratimi i saj mund të dështojë. Kjo do të bënte që Reforma në Drejtësi të shtyhej për të paktën një vit. Rama duket se është më i interesuar për ta djegur mundësinë e një Reforme në Drejtësi që do të bënte të mundur luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit përderisa po rezultojnë të pasuksesshme përpjekjet për ta kapur drejtësinë.
Pjesë nga letra e Ruçit
….Vetë misioni që merr përsipër Komisioni i Posaçëm Parlamentar për rishikimin e Kushtetutës, i ngritur nga Kuvendi, jo vetëm e prezumon realizimin e të gjithë veprimtarisë së tij në dijeni të plotë të publikut, por njëkohësisht, as nuk mund të pengohet, nëpërmjet zbatimit të atyre rregullimeve e procedurave që Parlamenti ose komisionet e përhershme ndjekin në veprimtarinë e zakonshme. Vetë emërtimi i komisioneve të tilla si komisione të posaçme parlamentare kërkon respektimin e atyre rregullimeve të veçanta, që i përgjigjen të gjithë aspekteve që kërkon një proces i rregullt ligjor. Nëse për rishikimin e Kushtetutës, do të respektohen me përpikmëri rregullimet që parashikohen në nenin 177, atëherë i gjithë procesi do të duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës, transparent, me konsultime të gjera publike dhe i shtrirë në një kohë të arsyeshme. Periudha e gjatë, prej afro 18 muajsh, në të cilën e ka shtrirë veprimtarinë e tij Komisioni i Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, është argumenti më i plotë që dëshmon për respektimin e atyre rregullave bazë që kërkon rishikimi i Kushtetutës në një shoqëri demokratike. Ju sjellim në vëmendje se, kjo procedurë e ndjekur nga Komisioni i Posaçëm parlamentar, në këtë rast, është gjetur në përputhje me kërkesat e Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit edhe nga Gjykata Kushtetuese (Shih vendimin nr. 19, datë 15.04.2015). Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se procesi i zhvilluar nga një komision i posaçëm pranë Parlamentit duhet parë në këndvështrimin e realizimit të funksionit dhe të respektimit të qëllimit për të cilin ngrihet, pra nëse ka zhvilluar të gjitha proceset e ngarkuara nga Kuvendi në vendimin e ngritjes së tij, konsultimet dhe dëgjesat e nevojshme, si dhe hartimin e projektakteve për të cilat është ngritur. Argumentet e mësipërme dhe renditja më sipër e fakteve e plotësojnë argumentin kryesor për panevojshmërinë e procedurës së parashikuar në nenin 77/a dhe 77/b të Rregullores së Kuvendit për mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionin e Ligjeve për shqyrtimin e projektit kushtetues. Kjo do të ishte një gjë normale në rast se Kuvendi me vullnetin e vet nuk do të bënte një rregullim të posaçëm për hartimin dhe propozimin e kësaj nisme kushtetuese përmes krijimit të një Komisioni të Posaçëm parlamentar për ta realizuar qëllimin e kërkuar nga Kushtetuta dhe Rregullorja për nisma të kësaj natyre përmes një procedure të posaçme të realizuar nga ky komision i posaçëm. Kjo është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës, të Rregullores së Kuvendit, por dhe me vetë praktikën e krijuar tashmë me një sërë precedentësh të mëparshëm.
…Për sa parashtruam më sipër, Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit kanë njohur rolin e veçantë të komisioneve të posaçme parlamentare për hartimin dhe propozimin e nismave ligjvënëse si vullnete të shprehura të vetë Kuvendit dhe për rrjedhojë si përjashtime nga rregulli i përgjithshëm për organizimin e punimeve të Kuvendit. Është kjo arsyeja që precedentë të shumtë parlamentarë në vite, kanë sanksionuar praktikën që për ligjet me shumicë të cilësuar që kanë ardhur si produkte të komisioneve të posaçme parlamentare të ngritura me vullnet të vetë Kuvendit është ndjekur një procedurë e posaçme parlamentare. Për këtë qëllim, bazuar në sa parashtruam gjerësisht më sipër, i propozojmë Konferencës së Kryetarëve: 1. Të njoftojë Kuvendin, në seancën më të parë, për projektligjet përkatëse të hartuara nga Komisioni i Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, me qëllim shqyrtimin e tyre në seancë plenare gjatë muajit korrik. 2. Të përfshihen në Kalendarin e Kuvendit shqyrtimi dhe miratimi i projektamendamenteve kushtetuese, së bashku me 7 projekligjet përkatëse, miratimi i të cilave përbën përparësi vendimmarrjeje për Kuvendin për shkak se bëjnë të mundur zbatimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr.8 417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe fillimin nga veprimtaria e institucioneve të reja kushtetuese dhe shmang krijimin e boshllëkut ligjor në veprimtarinë e institucioneve ekzistuese të sistemit të drejtësisë.