Deputeti Dashamir Shehi së bashku me deputetë të tjerë opozitarë i është bashkuar protestës që po zhvillojnë banorët e Unazës së Re prej dy javësh në mbrojtje të banesave të tyre.
Shehu i ka ftuar banorët të rezistojnë pasi janë në të drejtën e tyre, ndërsa ka shtuar se kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj “duhet të mbajë gojën”.
Sipas tij, kryeministri Rama kërkon të shypë deri në fund shqiptarët dhe t’i vërë kundër njëri-tjetrit pasi ka “100 mënyra për t’i dëmshpërblyer këta banorë”.
“Mirëmbrëma gjithë zotërinjvë, duhet ta përmend fjalën ‘zotërinj’se këta janë zot të shtëpive të tyre në Tiranë, Tirana nuk është e Erjonit, i kanë ndërtuar me djersën e tyre. Jemi të gjithë për rrugët se këta janë njerëz me arsye, por rrugët duhen dëmshpërblyer.
Në këto 1.4 miliardë koncensione që ka ndarë Edi Rama nuk paska nja 14 milionë për këta, plus që ka shumë mënyra për dëmshpërblim.
Por ky njeri do t’i dhunojë deri në fund shqiptarët, praktikisht është kthyer Enver Hoxha. Shtëpitë janë atje prej vitesh dhe të llogaritet dëmshpërblimi. Ka 100 mënyra ër të dëmshpërblyer, janë në të drejtën e plotë këta banorë, janë qytetarë si gjithë ne, jemi bashkëqytetarë, bashkëhallexhinj në hallin e përbashkët, duam njësoj që ky vend të zhvillohet. Le të heqë një nga ato koncensionet dhe mbaron kjo punë. Unë ju ftoj të rezistoni, jeni në të drejtën tuaj, ne do t’ju mbështesim, nëse dikush ka edhe luks edhe tangërllik, që t’ju quaj me një emër ofendues, unë them këtu se jemi të gjithë njësoj, nga ne më të vjetrit fare deri tek i fundit fare, ai të mbajë gojën…”, tha ndër të tjera Dash Shehi.
“Përtej shtëpisë nuk ka çfarë të na marrë më shumë, shpirtin? Nuk duam të shfrytëzojmë për vota çështjen tuaj se nuk është çështja e 50 votave por qytetarët të shihen me solidaritet, ky njeri po na ndan, po na vë kundër njëri-tjetrit”, shtoi ai.