Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni ditën e djeshme në një postim në rrjetet sociale, ka përdorur termin “autik” për sharje politike, me një gjuhë rrugaçësh, e cila nuk i shkon përshtat një deputeti.
“O plak autik, që humbe shansin të ishe figurë historike dhe u katandise në mejhane shpifjesh dhe thashethemesh”, ka shkruar Hyseni, duke ju drejtuar ish-kryeministrit Berisha.
Por pas publikimit të këtij statusi, ka shpërthyer një revoltë ndaj deputetit ordiner të Ramës. Ai është sulmuas në rrjetet sociale nga qindra komentues. Ne po publikojmë një pjesë të tyre.
Po ashtu ka reaguar ashpër edhe politika.
Deputetja e PD, Albana Vokshi shkruan në një postim në Facebook se, gjuha e tij raciste duhet të dënohet hapur dhe prerë nga të gjithë ata që çmojnë dhe respektojnë të drejtat e njeriut.
“Deputeti i Ramës Alket Hyseni, në një status në rrjetet sociale, ka përdorur një gjuhë raciste, diskriminuese dhe të papranueshme ndaj personave me aftësi ndryshe duke i përdorur ata si standart përcmimi, sharje e urrejtje.
Ndjesa e mëvonshme e pandjerë deputetit Hyseni është e pamjaftueshme. Heshtja e Ramës dhe e grave deputete te PS ndaj gjuhës së pushtetit që nxit urrejtje e dhunë, është e papranueshme.
Gjuha e tij raciste duhet të dënohet hapur dhe prerë nga të gjithë ata që cmojnë dhe respektojnë të drejtat e njeriut. Organizmat ndërkombëtare duhet të reagojnë.
Kryetari i Kuvendit të zbatojë menjëherë nenin 6, të Kodit të Etikës, që ndalon deputetin të përdorë një gjuhë të shprehuri, që nxit urrejtjen dhe diskriminimin ndaj personave me aftësi ndryshe.
Kërkoj nga institucionet kundër diskriminimit dhe mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut të reagojnë sipas dispozitave ligjore”, shkruan Vokshi.