Kreu i qeverisë, Edi Rama ka reaguar lidhur me projektin e Unazës së Madhe, duke thënë se banorët po bëhen gazi i botës me protestat e tyre, ata nuk do të dëmshpërblehen.
Sipas Ramës ata banorë nuk kanë të drejtë të zënë rrugën, sa kohë që ndërtimet e tyre i kanë bërë në mënyRë të paligjshme, dhe as nuk mund të kërkojnë dëmshpërblim në 100% të vlerës.
‘’Nga Buxheti duhet të marrim para sipas këtyre për të dëmshpërblyer zaptuesit, që kanë nga 7 apo tetë shtëpi në zonat bregdetare të vendit. Dëmshpërblim në emër të kujt?! Ata njerëz duhet të largohen nga rruga dhe ti hapin rrugë zhvillimit të mos bëhen gazi i botës dhe të bëhen mish për top i opozitës, që pretendon që të jepet dëmshpërblim për paligjshmërinë”, u shpreh Rama.
Sipas Ramës banorët janë duke abuzuar shumë me pretendimet se banesat e tyre janë në proces legalizimi, ndërsa arsyet e mosdhënies së certifikatës së pronësisë për ta janë të bazuara qartësisht në ligj.
“Të thonë që kemi fut letrat për legalizim nuk do të thotë që ata janë në rregull dhe do t’i marrin. Ata që kanë ndërtuar pa leje, kërkojnë dëmshpërblim 100% për çfarë? Mbi cilin ligj? Me ç’të drejtën morale? Nga ku? Nga buxheti i shtetit? Që është kontributi i të gjithëve për shkolla, kopshte etj?”, u shpreh më tej Rama.
Prej më shumë se dy javësh tashmë banorët protestojnë në mënyrë të përditshme, pasi sipas tyre, projekti i Unazës së Madhe është devijuar në mënyrë të qëllimshme, dhe ata do të lihen në mes të katër rrugëve dhe mundi për ndërtimin e banesave do të shkojë dëm.