Në prag të votimit për anëtarësimin e Kosovës në Interpol është përhapur në Serbi tërë kohën një lloj shqetësimi për mundësinë e pranimit të Kosovës në këtë organizatë. Ndërsa pas votimit presidenti Aleksandar Vuçiq u shpreh i kënaqur me “fitoren e madhe diplomatike të Serbisë”. Ai foli për një “fitore të vogël ndaj fuqisë së madhe”.
Njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq tha se “kjo është një fitore e madhe e Serbisë dhe dëshmi se me dhunë nuk mund të bëhet asgjë”. Daçiq në veçanti nënvizoi mbështetjen e kancelarit austriak Sebastian Kurz për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, të cilët ai e sheh si një “tradhëti të madhe të popullit mik austriak”. “As Kurzi nuk ju ka ndihmuar”, theksoi Daçiq (Kjo fjali e Daçiqit mund të ketë edhe një kuptim tjetër, sepse mbiemri i kancelarit austriak ne gjuhët sllave ka edhe një kuptim tjetër, vërejtje e autorit). “Kurzit i kam thënë: Ti je bre njeri i mençur, po cili budalla do të dilte në anën e humbësit. Edhe Christian Strache (zv/kryeministër i Austrisë) duhet t’u sqarojë serbëve se pse e ka gënjyer popullin serb. As Kurz nuk është më i mirë. Mendoj se ai është edhe më i keq”, ka thënë Daçiq.
Beteja vazhdon
Serbia beson se pas këtij dështimi në Interpol është forucar pozita e saj negociatore karshi Kosovës. Por ajo ka frikë se Kosova mund të forcojë kokëfortësinë e saj në këtë proces, sepe Kosova mund të jetë e frustruar pas këtij votimi dhe të ndërmarrë aksione të papritura.
Kosova i ka vënë Serbisë një taksë prej 10 % në mallrat serbe që importohen atje, sikur edhe Bosnjë-Hercegovinës. Por ajo ka shkuar edhe një hap më larg duke ndaluar importimi e mallrave, në të cilat shkruan “Kosovo UNMIK”, “Kosovo i Metohija”, ose “Kosovo UN 1244″. Në Prishtinë është paralajmëruar se do të krijohet edhe ushtria e këtij vendi, thotë analisti Boshko Jakshiq, e kjo mund të sinjalizoi një pikë tjetër konflikti mes Beogradit dhe Prishtinës.
„Mendoj se Kosova nuk do të heqë dorë nga themelimi i ushtrisë së saj, ndërsa votimi në Interpol do ta përshpejtojë këtë proces. Ky do të ishte një lloj ilaçi për autoritetet në Prishtinë dhe një dëshmi se ata nuk do të heqin dorë nga disa gjëra”, thotë Jakshiq për DW.
Mesazhi i Perëndimit?
Votimi në Interpol shikohet në Beograd nga një kontekst më i gjërë gjeopolitik. Krerët e Serbisë mendojnë se bota ka ndryshuar dhe se gjërat më nuk mund të zgjidhen me presion. Presidenti i Serbisë ka paralajmëruar kaherë se Serbia duhet ta hapë fushbetejën për Kosovën në një kontekst sa më të gjërë botëror.
Boshko Jakshiq mendon se votimi në Dubai ishte një mesazh i Perëndimit: „Kosova po përballet me rezistenca serioze. Ata të cilët nuk e kanë votuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol nuk kanë votuar kundër Kosovës por kanë mbështetur procesin diplomatik i cili duhet të sjellë deri tek zgjidha përfundimtare. Ndaj këtë votim e shoh si një mbështetje të procesit negociator mes Beogradit dhe Prishtinës”, pohon Jakshiq.
Si të shfrenohet dialogu?
Procesi i negociatave është frenuar. Por Beogradi do të niset tani me një vetbesim më të madh në këtë proces të dialogut. Beogradi pret që Kosova së pari të heqë taksat për mallrat serbe dhe më pas të realizojë ndonjë pjesë nga Marrëveshja e Brukselit. Ministri i Jashtëm Ivica Daçiq thotë se pas humbjes në Interpol pret rritjen e taksave, por nënvizon se as kjo nuk do ta pengojë Serbinë në luftën e saj diplomatike. “Nuk keni menduar mbase se për shkak të 10-përqindshit do t’ju pranojmë në Interpol”, tha Daçiq.
Boshko Jakshiq mendon se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion ndaj palës shqiptare, që të realizojë marrëveshjen për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Ai mendon se kjo do të ndihmonte në përfundimin e suksesshëm të dialogut. Jakshiq mendon se Prishtina do të heqë dorë nga masat ndëshkuese për mallrat serbe.