Kombëtarja e Shqipërisë dhe tifozët e saj padyshim që kanë mrekulluar gjithë botën. Por të mahnitur nga kjo performancë kuqezi në rrugët dhe stadiumet e Francë, por jo vetëm, kanë mbetur mediat zvicerane. Një ndër to, “20min.ch”, ka hapur enkas edhe një rubrikë të titulluar “Albania Mania”, e gjithë kjo për shkak të fotografive të shumta që ky portal ka marrë gjatë kësaj periudhe nga tifozët shqiptarë.
Disa prej fotove më të mira janë përzgjedhur dhe janë publikuar pikërisht në këtë rubrikë, ku shkruan: “Asnjë tifozeri tjetër nuk ka dërguar kaq shumë foto, sa shqiptarët. Ata nuk lënë hapësirë për dyshim, ata janë shumë krenarë, që vendi i tyre mori pjesë për herë të parë në një Evropian. Po ju a keni bërë ndonjëherë ndonjë tortë për ekipin e zemrës tuaj?”.
“Njerëz të veshur me ngjyrat e kombëtares së tyre, por edhe me veshje tradicionale, të cilët bëjnë simbolin e shqiponjës dykrenore me duar dhe që u shndrit fytyra nga gëzimi dhe lumturia! Madje disa që qëndrojnë edhe nën ujë të veshur kuqezi vetëm e vetëm që të bëjnë diçka të veçantë në mbështetje të kombëtares së tyre. Por edhe që janë jo vetëm miqësorë, por paqësorë me tifozët e kombëtareve të tjera”, është vetëm një pjesë e shkrimit të “20min.ch”, si një përshkrim i këtyre fotove të dërguara në redaksinë e saj nga fansat shqiptarë.