Polici që fsheu armën e Elton Çiços kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë

Oficeri i policisë, Alban Trimi që ishte në një tavolinë me Elton Çiçon që u ekzekutua para pak kohësh në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë. Alban Trimi akuzohet për tri vepra penale të kryera në vendin ku u vra Elton Çiço, më 1 maj 2016.
Pas dy vendimeve gjyqësore të Shkallës së Parë dhe të Apelit Tiranë që kanë caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, Trimi ka depozituar një rekurs në Gjykatën e Lartë. Burime zyrtare pohuan se, rekursi i Trimit për vendimin e Apelit që la në fuqi izolimin e tij në paraburgim është depozituar në Gjykatën e Lartë më 17 qershor.
Shorti i hedhur në lidhje me këtë kërkesë ka përzgjedhur një Kolegj Penal të kryesuar nga gjyqtari Edmond Islamaj. Oficeri i policisë, Alban Trimi, dyshohet nga Prokuroria për kryerjen e veprave penale të “kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “shpërdorim të detyrës” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Ai u arrestua dy ditë pas ngjarjes në Tiranë, pasi u kthye nga ceremonia mortore e viktimës Çiço, ceremoni e zhvilluar në Tepelenë. Sipas Prokurorisë, Trimi ka fshehur një armë zjarri dhe aparatin e telefonit celular që mbante me vete Çiço para se të qëllohej nga një person që më pas u identifikua si Jani Aliaj.
Prokuroria i fakton dyshimet e veta me pamjet filmike të sekuestruara në lokalin ku ndodhi ngjarja. “Shtetasi Alban Trimi shkon te tavolina ku ishin ulur, merr disa sende nga aty dhe i vendos në xhepin e majtë të pantallonave të tij dhe del nga dera në krah të majtë të banakut e kthehet sërish në lokal.
Në këtë moment dallohet se në xhepin e djathtë të pantallonave të tij ka një celular ngjyrë të zezë. Pastaj shkon te vendi ku pak më parë personi tjetër la sendin si pistoletë. E merr atë, e kalon në pjesën para brezit nga përpara dhe me dorën e djathtë e fut në pjesën e pasme të brezit nga e djathta duke përdorur edhe dorën e majtë për ta sistemuar në brezin e pantallonave nga pas”, analizon Prokuroria në dosje.
Alban Trimi u arrestua për prishje të skenës së krimit, pasi fshehu pistoletën që mbante me vete viktima Elton Çiço.

Artikulli paraprakEdi na poqe
Artikulli tjetërPërgjegjësi i OSHEE, militant i PS, u vjedh qytetarëve paratë e energjisë, arrestohet