Zbulohet skandali i Ramës me Unazën e Re: Projekti nuk u bë nga qeveria por nga një kompani…

Autoritetit Rrugor (ASHRR) të Shqipërisë pretendon se projekti teknik për zgjerimin e Unazës së Re është bërë falas nga një kompani projektimi inxhinjerik, kompania Ave Consulting, e cila është gjithashtu kompania që monitoron zbatimin e projektit të stadiumit të ri kombëtar.
Ky pretendim ngjalli dyshime, pasi bëhet fjalë për një punë e cila kushton jo më pak se 1-1,5 milionë euro, dhe vështirë të mendohet një arsye që mund të shpjegojë këtë dhurim ndaj shtetit nga një kompani private.
Madje një arsye për këtë “bamirësi” nuk ka dhënë dot as drejtori i ARRSH-së, institucionit përfitues të shërbimit falas-pyetjes së thjeshtë se si ka mundësi që një kompani të bëjë një shërbim të tillë falas, drejtori Afrim Qendro iu përgjigj, të enjten në mbrëmje në emsionin Opinion, me një arrogancë të dukshme me fjalët: “Ku e di unë! Shkoni pyesni kompaninë!”.
E vërteta është se Afrim Qëndro e di shumë mirë arsyen, por ai nuk mund ta pranojë atë sepse do të zbulonte manipulimin e rregullave dhe shkeljet e rënda ligjore që ai ka ndërmarrë për llogari të Kryeministrit Rama në këtë projekt.
Ave Consulting nuk e ka bërë projektimin e rrugës për ARRSH-në, por për kompaninë Victoria Invest, e cila ka paraqitur një vit e gjysëm më parë një propozim të pakërkuar pranë ARRSH-së për të marrë me koncesion rindërtimin e unazës së jashtme të Tiranës.
Si pjesë e propozimit të pakërkuar, Viktoria Invest ka paraqitur projektin teknik të zgjerimit të rrugës të bërë me porosi dhe pagesë të saj nga Ave Consulting.

Është e qartë se të gjitha kostot e projektit janë vlerësuar nga Victoria Invest, në shërbim të interesit të saj për të fryrë kostot e koncesionit me qëllim për të përfituar sa më shumë gjatë zbatimit të projektit. (Në të vërtetë, kostot që ka përdorur Victoria Invest janë bazuar në një manual të Ministrisë së Transporteve, i cili përbën një skandal më vete pasi përditësimi i tij në vitin 2015 është bërë duke marrë çmimet referenciale të autoriteteve italiane dhe duke i shumëzuar për dy.)
Ndryshe nga pretendimet e Kryeministrit Rama dhe Kryebashkiakut Veliaj, as qeveria dhe as bashkia nuk kanë patur ndonjë projekt apo planifikim për zgjerimin e unazës para kërkesës nga Victoria Invest. Gjithçka ka filluar me propozimin dhe interesin e Victoria Invest. Kjo gjë hedh poshtë thuajse të gjitha pretendimet e qeverisë dhe bashkisë se zgjerimi ka të bëjë me projektet e tyre zhvillimore apo interesin e tyre publik—projekti ka nisur si interes privat, i cili ka gjetur mbështetjen publike.
Burime të Exit.al janë shprehur se, pas kërkesës, koncesioni është diskutuar direkt midis pronarit të kompanisë Victoria Invest dhe Kryeministrit Rama, por nuk dihet se për çfarë arsye Kryeministri dhe pronari i Victoria Investit nuk janë marrë vesh me njëri-tjetrin për një marrëveshje koncesionare.
Ajo që dihet është se pas kësaj, Kryeministri ka vendosur ta realizojë projektin me fonde buxhetore dhe me kontraktim të thjeshtë përmes prokurimit publik.

Burimet tona pretenduan se kompanitë që do të zbatojnë projektin, të ndarë në tre segmente, janë paracaktuar nga qeveria, dhe pas kësaj zgjedhje arbitrare, ARRSH ka manipuluar të gjitha procedurat dhe rregullat duke zhvilluar një garë fiktive për të legjitimuar kontratat me kompanitë e paracaktuara.
ARRSH e ka adoptuar projektin e paraqitur nga Victoria Invest si projekt te vetin, pa asnjë procedurë formale, as ligjore dhe as teknike, dhe mbi të gjitha pa asnjë diskutim dhe analizë teknike. Madje, ARRSH nuk ka konsideruar asnjë alternativë tjetër teknike.
Duke qenë se çdo gjë ka qenë e paracaktuar, ARRSH dhe qeveria kanë shkelur çdo lloj procedure për hartimin e projektit, në mënyrë të veçantë kanë shkelur ligjet për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe konsultimit me publikun.
Duke e kthyer projektin privat të propozuar nga Victoria Invest në dokument bazë të sajin, por duke e fromalizuar atë si punë të bërë falas dhe dhuruar ARRSH-së nga Ave Consulting, kompania e kontraktuar nga Victoria Invest. ARRSH nuk është shqetësuar as të bëjë ndonjë vlerësim teknik dhe financiar të projektit, por e ka zyrtarizuar atë siç u paraqit nga privati.
Mbi këtë bazë, ARRSH zhvilloi një tender fiktiv, me tre loto, ku marën pjesë tre kompani të paracaktuara dhe kompania Vëllezërit Hysa, e cila nuk paraqiti asnjë ofertë, por shërbeu vetëm si fasadë për të legjitimuar “garën”.

ARRSH lejoi pjesëmarrjen në “tender” edhe të vetë kompanisë Victoria Invest.
Rezultatet e tenderit tashmë janë publike, sikurse janë bërë publike, sikurse edhe kostot e tejskajshme me të cilat Kryeministri Rama ka vendosur ta realizojë projektin.
Ajo që nuk është diskutuar, deri më tani, është fakti se edhe projekti teknik i zgjerimit të Unazës së Re është i një cilësie të debatueshme. Në mënyrë të veçantë, zgjidhja e nyjes në Sheshin Shqiponja është një zgjidhje problematike, si nga pikëpamja teknike edhe ajo mjedisore.
Një ekspert i njohur transporti, u shpreh për Exit.al se projekti teknik i nyjes tek Sheshi Shqiponja është i papërshtatshëm, dhe veçanërisht zgjidhja me tre nivele është e panevojshme, e papërshtatshme dhe do të rezultojë problematike në praktikë. Sipas tij, e vemtja vlerë e “zgjidhjes” së propozuar është rritja e kostove, që gjithashtu rrit mundësitë e abuzimit me kostot.
Por ky fakt duket se nuk ka shqetësuar askënd, ndoshta sepse qëllimi i vërtetë i projektit nuk ka qenë asnjëherë cilësia teknike dhe as menaxhimi i kostove, por përfitimi privat.
Natyrisht, një projekt i konceptuar dhe hartuar nga një kompani private për interesat e saj private, për mundësimin e të cilat vihen në shërbim instutcionet publike, i shërben në rradhë të parë interesit privat dhe jo atij publik.
/Exit.al/

Artikulli paraprakYlli Rakipi i përgjigjet Ramës: Je diarre me fjalor legeni!
Artikulli tjetërPolicia, terror pas mesnate në Astir, arreston 50 banorë për protestën para Parlamentit