Rama arreston edhe nënën e pesënjakëve për energjinë

12 vite më parë ajo ka qenë në qendër të lajmeve për mrekullinë që solli në jetë, duke lindur pesënjakë djem. Në atë kohë qeveria i lidhi një pension kësaj familje për pesënjakët, me të cilin mban frymën sot pasi nuk ka asnjë të punësuar. Por tashmë nëna e pesënjakëve ndodhet në burg pse nuk ka mundur të paguajë faturat e energjisë elektrike pasi nuk ka asnjë mundësi. Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar arrestimin e nënës së pesënjakëve, të cilët tashmë janë në mëshirë të fatit dhe pa mbështetje nga shteti. Berisha shkruan në një postim në Facebook se, Rama është i pashpirt dhe thotë se terrori i neobllokmenit nuk kursen as nënën e pesënjakëve.
Berisha publikon mesazhin e ardhur nga djali i madh i gruas që është arrestuar për energjinë, ku rrëfehet e gjithë ngjarja, që nga arrestimi deri tek lirimi i saj dhe vuajtje pasi nuk përballojnë dot jetesën. Në mesazh thuhet se gruaja është marrë forcërisht nga banesa ku jeton dhe është çuar zvarrë në polici, duke i lënë fëmijët vetëm. “Ky është shpirti i të pashpirtëve: Terrori i neobllokmenit Edvin Kristaq Rama nuk kursen as nënën e pesënjakëve! Qytetari dixhital denoncon arrestimin dhe dënimin për energjinë, të nënës që rrit pesënjakë! Për më shumë, lexoni mesazhin e tij”, shkruan Berisha.
“Më lejoni t’ju shpjegoj historinë z. Berisha!
Në vitin 2004, një nënë nga Kalaja e Dodës, lindi në maternitetin e Tiranës, 5 fëmijë binjakë, të gjithë djem me shëndet të mirë. Ai ishte një nga rastet më të rralla në botë dhe Shqipëri sepse ka 5 binjakë, por asnjëherë 5 djem binjakë. Kombi duhet të jetë me fat dhe krenar që perëndia dërgoi këto krijesa engjëllore në Shqipëri.
Emrat e tyre janë Asllan, Beqir, Shkëlzen, Sabedin dhe Resul Kupa.
Ajo çfarë doja të theksoja z. Berisha është që kjo familje e rrallë dhe fisnike jeton vetëm me një pension që është lidhur në kohën tuaj për 5-njakët, 250 lekë dhe asgjë tjetër. Sot ata janë 12 vjeç dhe janë rritur me sakrificën e një nëne kryefamiljare të vetme.
Në vitin 2015, OSHEE ndërpret dritat tek kjo familje sepse figuronte debitore. Më pas nga pamundësia për t’i paguar ajo i lidh dhe vjen policia, ku e çon në komisariat me një dhunë dhe terror që nuk është parë asnjëherë.
Këtë nënë e tërheqin zvarrë deri në komisariat, duke ia lënë fëmijët në mëshirë të fatit, sepse ajo banon në katin e 8 të pallatit G, Laprakë, ku ata edhe mund të hidheshin nga dritaret, po dolën në rrugë sepse kërkonin nënën e tyre.
Mbas kësaj, letrat shkojnë në Prokurori dhe pastaj çështja kalon në gjykatë ku gjykata pa mëshirë e dënon me 18 muaj burgim detyrim paraqitjeje. Theksoj se e gjithë debia është shlyer, e gjitha sepse nëna ime arriti t’u marrë borxh familjarëve dhe tani ia kërkojnë me këmbëngulje të madhe dhe e kërcënojnë, por ajo nuk ka.
Kjo familje nuk trajtohet me ndihmë ekonomike sepse sipas njësisë dhe ministrisë nuk e meritonte. Kjo familje përbëhet nga djali i madh Rrahmani, student (unë që po ju shkruaj), vajza Dallëndyshja, që është me probleme të rënda shëndetësore dhe mendore dhe invalide. Dallëndyshja ka nevojë për kurim jashtë shtetit urgjent, por vendimi nuk e lejon të lëvizë jashtë shtetit.
U kam shkruajtur letra të gjithë zyrtarëve dhe ministrave dhe më kanë kthyer përgjigje negative e shumica e tyre nuk më janë përgjigjur.
Çfarë të bëjmë? Ku të përplasemi? Duhet të vdesë motra ime? Çfarë do të ndodhte sikur këta 5-njakë të jetonin në një shtet tjetër?
A do të vuanin në këtë mjerim?
A do të vuanin për kafshatën e bukës?
A do të keqtrajtohej në këtë mënyrë?
Janë nxënësit më të mirë të shkollës dhe shumë të zgjuar.
Jam i sigurtë që do ta bëjnë realitet ëndrrën sepse shpresojnë dhe shpresa është gjëja e vetme që kanë.
Duke ju shprehur vlerësimet më të mëdha, falënderimin më të madh mbetemi me shpresë se do të na ndihmoni.
Me respekt
Rrahman Kupa
Fallnxe Kupa
Dhe 5-njakët”, shkruhet në mesazhin e djalit të madh të nënës së pesënjakëve.

Artikulli paraprakTopalli: Droga në çdo cep të vendit, edhe në Parlament
Artikulli tjetërFaqja e parë