Interpoli: 16 mijë dollarë për të kaluar një emigrant në Angli

Interpoli publikoi dje një thirrje për kapjen e trafikantëve të qenieve njerëzore, kontrabandë nga e cila ata nxjerrin miliarda dollarë duke u premtuar emigrantëve kalim nga vendet e rrënuara nga konfliktet për në vendet e pasura të Evropës.
Organizata e policisë ndërkombëtare me qendër në Francë, ka publikuar në faqen e saj në internet fotot e 11 personave në lidhje me një operacion për kapjen e 180 trafikantëve të kërkuar në 31 vende.
Thirrja e Interpolit vjen ndërsa Bashkimi Europian përqendrohet në frenimin e fluksit të refugjatëve dhe emigrantëve. BE-ja është e përçarë lidhur me krizën e emigracionit, më e rënda që nga Lufta e Dytë Botërore. Rreth 1.3 milion njerëz arritën në brigjet e Evropës vitin e kaluar.
Një studim i Interpolit i publikuar në muajin maj tregon se kontrabandistët kishin nxjerrë më shumë se 5 miliard dollarë fitime nga vala e migrimit në Evropën Jugore gjatë vitit të kaluar.
Individët e dyshuar për kontrabandë fitojnë mijëra dollarë për çdo person të cilit i ofrojnë për ta sjellë në Evropë. Sipas Interpolit, një grup kontrabandistësh shqiptarë merr më shumë 16 mijë dollarë për të kaluar ilegalisht një person me anije nga Franca në Angli.
Kapja e kontrabandistëve është veçanërisht e ndërlikuar për shkak se viktimat shpesh nuk pranojnë ose nuk janë në gjendje për të dhënë hollësi, thotë Michael O’Connell, drejtor i njësisë operative në mbështetje të Interpolit.
“Kontrabandimi i njerëzve është çështje globale dhe kjo është arsyeja pse bashkëpunimi ndërkombëtar nëpërmjet operacioneve të tilla është thelbësor”, tha ai në një deklaratë. Interpoli ka në plan të përdorë mediat sociale për të përfshirë publikun në kapjen e kontrabandistëve dhe u ka kërkuar vendeve anëtare të qarkullojnë fotografitë e kontrabandistëve, shkruan VOA. Mes 11 individëve përfshihen Mariana Crucerescu, dënuar si kreu i një grupi rumun të krimit të organizuar që në mënyrë të paligjshme ka kaluar individë përmes pikave kufitare hungareze dhe austriake me një kosto prej deri në 3 mijë euro për person.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërKryeministri më analfabet në 104 vjet histori duhet larguar