Te Barcelona nuk ka qetësi, Dembele rebelohet!

Ousmane Dembele është ende çështja e ditës te Barcelona, edhe pse goli i shënuar ndaj Atletico-s fundjavën e shkuar u duk se qetësoi të gjithë.
Sulmuesi i ka kërkuar Barcelonës ta lejojë të largohet në merkaton e janarit, raporton Goal.com, që e lidh largimin e tij me një transferim të mundshëm të Neymar në Camp Nou.
Francezi 21-vjeçar nuk po arrin të përshtatet me jetën në Barcelonë, pas transferimit të bujshëm nga Dortmundi për 105 milionë euro, ndaj tashmë ka kërkuar largimin, pak rëndësi ka nëse bëhet fjalë për shitje apo huazim.
Barça ka kohë që po e mendon shitjen e tij, duke u penduar për sforcimin e frikshëm në merkato, vendim i nxituar edhe për faktin se duhej patjetër një blerje e madhe kur iku Neymar. Tashmë synimi i klubit blaugrana është hapja e një tratative me PSG-në për Neymar, duke përfshirë në marrëveshje Dembele dhe shumë miliona.
Dembele mund të ketë oferta edhe nga Anglia dhe ka khë që flitet për një interesim nga ana e Liverpool-it, por realisht vlera e tij në treg është e papërballueshme.
Kohët e fundit Dembele ka qenë nën akuzë për sjelljen e tij, me AS që raportoi para pak ditësh se sulmuesi kishte munguar në një seancë stërvitore për shkak se kishte luajtur gjithë natën videolojëra me shokët, ndërkohë që kritikohet edhe profesionalizmi dhe dieta e tij, me thashetheme se Dembele preferon të hajë ushqime aspak cilësore, duke refuzuar gatimet e këshilluara nga kuzhinieri i tij personal.
Dembele ka luajtur 7 ndeshje nga minuta e parë në La Liga, për herë të fundit ndaj Athletic Bilbao në fund të shtatorit, ndërsa zakonisht është në plan të dytë, krahasuar me emra si Messi, Suarez e Coutinho.

Artikulli paraprakVideo-ja që po “çan” rrjetin/ Në Francë policia jo vetëm që nuk arreston protestuesit, por u bashkohet atyre
Artikulli tjetërDo të vjedhë 40 milionë euro duke prishur 320 shtëpi e 620 biznese, reagon Berisha: Kurrë, kurrë o hajdut!