Llaxorja ka dalë nga shinat, ta ndalim sa s’është vonë!

Nga Luçiano Boçi

E kam fjalën për llaxoren tonë që na sillet çdo ditë nëpër këmbë e nëpër jetë. E na detyron revoltën e poshtshënuar.
Llaxorja nuk pushon nga mëngjesi në darkë.
Nis pi kafen herët e papritur të shfaqet llaxorja, që ta ngec kafen në fyt.
Shkon në punë, llaxorja po aty prezent, me shkresa e pa shkresa, me urdhra absurdë e me hajdutëri, batërdi e harbutëri.
Ke drojë të hysh në fcb, sepse e ke gjithmonë prapa faqes me gjuhën e saj të gjatë, pa kut e pa moral, pa din a pa imam.
I bërtet Kadriut, i hakërrehet Sabriut, përkëdhel Domenikën.
E ç’nuk sajon llaxorja!? Kë nuk mban në gojën e ligë e kë nuk shan.
Vdes për intrigën, e qan hipokrizinë, është njëshe për kollare. Mjeshtre e dallaveres, simbole e mashtrimit, ylle e babëzisë
Del shëtitje, ajo të del kudo përpara. Shkon në teatër, të shpifet befas. Zbret në bulevard, të ndez dritat e kryekazinosë.
Hap televizorin, aty e ke në çdo kanal, duke llomotitur pa pikë e presje serinë e batutave, si seriale turke, duke u ngrefur dhe shkrefur, duke kruar kokën, hundën, por dhe kurrizin që ka filluar t’i hajë shumë.
Llaxorja nuk di të ndalet.
Llaxorja nuk përmbahet.
I duket vetja Konicë, Nol e harron që është bë kaqol.
Megjithëse një ditë njerëzit vendosën që llaxoren ta vendosin në krye të punëve, me dëshirën e shpresën se do harronte zanatin e vjetër, përsëri e përsëri ajo nuk ndryshoi.
I prenë kostumet e fundit me rrobaqepës special, hipur çarterave personalë e përsëri llaxore mbeti.
Ia mbushën e i mbushi xhepat e thasët plot me para e prapë llaxorja nuk hoqi dorë nga profesioni i saj i lloqeve.

E ulën në tavolina të fisme, por nuk ndryshoi e nuk ndryshoi, sepse sipas dëshmitarëve miq të kohërave të kaluara, në mes që në mes të dhomës vazhdon ta bëjë e ta lejë.
Pështyn, ndyn, jargavit, qurravit pa pushim 24 orë në 24.
Ndërkohë si e çmeritur bërtet ekraneve, kur i plasin të vërteta para syve: “Shpifjeeeee, shpifjeeeee”!!!!
Majë plehut të pushtetit të vet rri e rrëmon në plehra, për të gjetur aty ndonjë nga ato “dy gishta letrash”, kundër miqve e nderbërsve të vet të dikurshëm që i shtruan rrugën e pushtetit. Sepse llaxorja nuk ka as mirënjohjen më minimale dhe as turpin më të vogël.
Tani llaxorja vret e pret, gjëmon e bubullon, vjedh e grabit pa ju dridhur zëri e qerpiku. Dhe pse dikur, vetëm kuiste para mikrofonit dhe me duart që i dilnin tepër, ngrinte rripin e pantallonave.
Nuk ka nevojë më as për mentorin, as për kryeredaktorin, sepse si balerin modern, piruetat 360 gradëshe, dhe hapjet e portave të budallallikut i ka shndërruar në mënyrë sjellje dhe mjet ekzistence, sepse në delirin e tij malinj të gjithë i duken tashmë kadrinj.
Llaxorja ka kapërcyer çdo kufi, çdo normë, çdo moral.
Me një laps hedh në rrugë për të bërë një minirrugë, mijëra njerëz. Nën histerinë e pushtetit prish pa një pa dy shtëpi e katandi e po kaq kollaj pastron para, mbjell krim, vret shpresa e shkatërron të ardhmen.
Nga goja e ndyrë ka kaluar tek ligjet e ndyra, tek veprimet e ndyra, tek shteti i ndyrë, tek drejtësia e zgjyrosur. Sepse çdo gjë nis në fillim nga fjala…
Për eurot e oreksit te vet, llaxorja jo vetëm llap, por dhe kafshon objekte historike, trashëgimi kulturore. Zapton ekrane, hyn nëpër kazane, fal dete e bën adete.

Ndërsen policë ndaj hallexhijve të lënë mes katër rrugëve, shpall dëshmorë telefonash, tërheq zvarrë nëna, gra e fëmijë, burgos ish të burgosur politikë. Madje thyen me përdhunë gishta adoleshentësh e në shenjë hakmarrje e prangos tinëzisht njerëz për t’i përkulur.
Shantazhon qytetarët e thjeshtë, i hakërrehet kundërshtarëve politikë e mediatikë, pa e kuptuar që huri i pushteti ku është ulur është me majë.
Llaxorja ka dalë nga shinat – bërtasin njerëzia e ditur, po pak po e dëgjojnë.
Kështu ka qenë gjithmonë – thonë miqtë e vjetër, por pak po e besojnë.
Megjithatë kallaji ka filluar të shkrijë dhe nën të, bakri i ndyshkur po shfaqet dita-ditës.
Ato që e ngritën aty ku është, nuk po e durojnë më dot e sot e shohin si kryeveprën më të shëmtuar të profesionit të tyre.
Kanë rënë pishman. Por llaxorja e di mirë që pishmanin e merr era, karrikja mbetet. E karrikja për të është më e shtrenjta, më e mira dhe më e bukura.
Për të i bën të gjitha.
Prandaj, për “t’i mbyllur gojën” llaxores, nuk mjaftojnë vetëm shkrimet, vetëm faktet e “lumturive” të para të tij e as vetëm kapërcimi e anashkalimi i kazanëve që me lugën e drunjtë, ai i komandon nga zyra e vet me kosh brenda e jashtë. Nuk mjafton as “ta varësh prej gjuhe”.
Për “t’i mbyllur gojën” llaxores nuk duhet t’i fusim shuk topin e basketbollit, por duhet t’i heqim karriken, sepse ajo është spina që furnizon me ligësi cdo folje e veprim të tij.

Artikulli paraprakSi ndikon tradhtia e prindërve në jetën e fëmijëve
Artikulli tjetërVjedhja e pronave nga deputeti i Ramës: Më jep gjysmën e tokës ose të padis në Prokurori