Sot protesta ka hyrë në ditën e 24-t, e thuajse ka nisur që në orët e para të mëngjesit dhe nuk është ndërprerë për asnjë moment.
Përgjatë gjithë ditës ka qenë e bllokuar vetëm një kah i rrugës, ndërsa në orën 5 janë bllokuar të dyja.
Shiu nuk i ka ndalur banorët të dalin me karrige nga shtëpia të ulen në mes të rrugës.
Heqja e shtyllave të ndriçimit është hapi i parë për ndërtimin e projektit.
Banorët vazhdojnë me të njëjtat thirrje, “Nuk na përçani dot”, “Jug, veri jemi një” e “do t’i mbrojmë shtëpitë me gjak”.
“Drejtuesit e automjeteve kanë fikur automjetet dhe nuk u bien borive. Ndërkohë, një prej protestuesve pohoi se, banorët do të qëndrojnë edhe gjatë natës në rrugë. “Do vazhdojmë të qëndrojmë edhe gjatë natës këtu. Do përshkallëzojmë protestën me çadra në rrugë. Nuk tërhiqemi, jemi të vdekur në rrugë të madhe. Shtëpitë na i skualifikoi shteti”, tha ajo.
Protesta e organizuar për nesër nga banorët do të jetë pa afat. Madje ata do të ngrejnë edhe çadra, si formë qëndresë kundër vendimit të shembjeve të shtëpive, në kuadër të ndërtimit të projektit të Unazës së Madhe.
Kujtojmë që banorët u kanë nisur edhe një letër kryeprokurores Marku, ku i cilësojnë si kriminale veprimet e zyrtarëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Bashksisë së Tiranës, Autoritetit Rrugor dhe ALUIZNI-t. Letra, që u firmos mbrëmë gjatë protestës në mbrojtje të shtëpive nga prishja pa dëmshpërblim, synon të vërë në lëvizje organin e akuzës për të ndaluar atë që banorët e quajnë “dëbim me forcë”. Banorët i shpjegojnë me detaje kryeprokurores veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore që nga shenjimi me kryq i shtëpive nga persona të paidentifikuar deri tek lajmërimi me gojë se banesat e tyre do të prishen për shkak të një projekti të panjohur më parë.
“Prishja e banesave dhe marrja e truallit, pa na ofruar më parë një dëmshpërblim të drejtë të dëmit që na shkaktohet, përbën veprim arbitrar të autoriteteve publike, që cenon të drejtën tonë të pronës.”- thuhet në letrën e banorëve për Arta Markun.