Emërimi i kryetares së Partisë Socialiste Leskovik, në pozicionin e drejtoreshës së shkollës së mesme “Jani Vreto” të këtij qyteti është bërë në shkelje të udhëzimit nr. 57 për procedurat e emërimit dhe shkarkimit të drejtorit të institucionit publik të arsimit parauniversitar.
Emisioni “BOOM” ka zbuluar se Dallëndyshe Kravari, nuk plotëson pikën 1, të këtij udhëzimi, e cila përcakton se kandidati duhet të ketë diplomë të nivelit të dytë, në fushën e edukimit. Titulli i diplomës së saj është punonjës i shkencave politike.
Për këtë vetë drejtoresha e sapoemëruar thotë:
Drejtoresha e shkollës/kryetarja e PS Leskovik: Diploma ime është në fushën e edukimit, unë kam mbaruar fakultetin e Shkencave Politike, dega Filozofi. Në 85-ën. Kam bërë praktikë mësimore 2 vite shkollore, pra dhe në vit të tretë quhej atëherë dhe në vit të katërt, se jam me sistemin e vjetër. Kam mbaruar që në 85-ën.
Gazetarja: Pra e kuptoj. Kjo diploma juaj është e njësuar thoni juve dhe me nivelin e dytë, por nuk është në fushën e edukimit.
Drejtoresha e shkollës/kryetarja e PS Leskovik: Në fushën e edukimit jam unë, filozofi.
Gazetarja: Përpara 90-ës kam përshtypjen që nuk ishte futur filozofia në proces mësimor.
Drejtoresha e shkollës/kryetarja e PS Leskovik: Filozofia në 90-ën , ka qenë filozofia dhe bëhej njohuri të marksizëm -leninizmit. Po të mos kishe notën 8, në atë lëndë nuk shkoje dot në shkollë të lartë.
Gazetarja: Filozofi quhej?
Drejtoresha e shkollës/kryetarja e PS Leskovik: Quhej njohuri fillestare të marksizëm – leninizmit.
Gazetarja: Drejtoresha, pyetja ime është çfarë ka ndryshuar nga 2016 në 2018?
Drejtoresha e shkollës/kryetarja e PS Leskovik: Ndaj figurës sime është hedhur baltë pa të drejtë.
Gazetarja: Jo, jo çfarë ka ndryshuar nga vlerësimi në 2016-ën në vlerësimin tani?
Drejtoresha e shkollës/kryetarja e PS Leskovik: Nga vlerësimi, m’u hap dosja.
Gazetarja: Pse nuk hapej dosja juaj?
Drejtoresha e shkollës/kryetarja e PS Leskovik: Nuk hapej dosja fare.
Gazetarja: Pse?
Drejtoresha e shkollës/kryetarja e PS Leskovik: Me pretendimin që unë nuk kam titullin mësues.
Gazetarja: Kush e ka interpretuar që ju plotësoni kriterin e ciklit të dytë në fushën e edukimit me këtë diplomë që keni?
Drejtoresha e shkollës/kryetarja e PS Leskovik: Ne me diplomë të vjetër, ne jemi në ciklin e dytë, cikli i dytë quhet master.
Gazetarja: Jo dakord që jeni, por nuk jeni në fushën e edukimit
Drejtoresha e shkollës/kryetarja e PS Leskovik: Në fushën e edukimit quhem unë si s`quhem.
Gazetarja: Po shkencat politike nuk janë në fushën e edukimit.
Drejtoresha e shkollës/kryetarja e PS Leskovik: Moj në shkollë ne bëjmë qytetari, bëjmë filozofi, bëj unë ç`janë partitë politike, ç`janë sistemet e zgjedhjeve, pra unë në shkollë mbuloj këto lëndë; qytetari, mbuloj ekonominë, mbuloj filozofinë dhe nuk bëj politikë, voto për këtë dhe voto për atë.
Gazetarja: Fakti që jeni dhe kryetare e degës së Partisë Socialiste në Leskovik mendoni se e komplikon një çik çështjen?
Drejtoresha e shkollës/kryetarja e PS Leskovik: Këtu kam ardhur me meritë, nuk kam ardhur se drejtoi këtë këshillin socialist në Leskovik. Unë këtu jam mësuese dhe nuk jam në fushën që unë t`i shërbej dhe asaj partie.
Gazetarja: Dakord, po jeni edhe drejtoreshë?
Drejtoresha e shkollës/kryetarja e PS Leskovik: Nëse mua më kërkohet që të jap dorëheqjen, do jap dorëheqjen.
Instituti i Zhvillimit të Arsimit, institucion që inspekton procesin e emërimit të drejtorëve në shkolla, pranon se në raste të tilla, punonjësi i shkencave politike, mund të jetë mësues, sipas udhëzimit për profil të përafërt, por jo drejtues.
Specialisti i I. ZH. A: Kjo thotë që të ketë diplomë të nivelit të dytë në fushën e edukimit. Shkencat politike janë në fushën e edukimit?
Gazetarja: Nuk është në fushën e edukimit.
Specialisti i I. ZH. A: Nuk është në fushën e edukimit.
Gazetarja: Kështu e kam interpretuar edhe unë, por…
Drejtori: Ka 20 vjet mësuese ajo.
Specialisti i I. ZH. A: Ajo mund të ketë 25, por çështja diplomën që ka është specialiste e shkencave politike.
Gazetarja: Punonjëse e shkencave politike.
Drejtori: Janë këto që kanë mbaruar filozofi o burrë, që kanë dhënë mësim një jetë.
Specialisti i I. ZH. A: Punonjëse e shkencave politike, nuk është mësues. Më përpara kanë qenë diploma të integruara 4-vjeçare. Dhe kjo është e njëvleftshme me këtë të parën.
Gazetarja: Edhe kjo duhet të jetë në fushën e edukimit?
Specialisti i I. ZH. A: Të edukimit, po. Ai mësues vlen, sepse ne kemi udhëzim tonin për profilin dhe ngarkesën thotë, profili i drejtpërdrejt, i përafërt. Pra i përafërt, na duhet për mësues, por jo për drejtor shkolle.
Gazetarja: I njëjti person ka konkurruar edhe njëherë përpara dy vjetësh dhe është bërë një procesverbal i cili thotë… Është në të njëjtat kushte ë, pra ajo nuk është se ka bërë një master. Nuk plotëson pikën e parë të kësaj shtojce mbi titullin mësues si kriterin bazë të diplomës. E kanë skualifikuar. Tani disa nga këta anëtarët që kanë hedhur firmën këtu, janë po prapë ata që e kanë zgjedhur.
Specialisti i I. ZH. A: Qenka një precedent përpara, tani kanë shkelur dhe precedentin.
Udhëzim nr. 57 në pikën 9 parashikon se drejtori i institucionit publik të arsimit parauniversitar nuk duhet të bëjë pjesë, pas emërimit, në forumet drejtuese të partive politike. Në lidhje me këtë fakt përgjegjësi i zyrës Arsimore Kolonjë pranon se znj. Kravari i mban aktualisht të dyja pozicionet në shkelje të këtij udhëzimi.