Ledjon Kolgjoka, përgjegjës i hetimit tatimor i kapur në flagrancë në akte korruptive, merr sërish një detyrë shtetërore, madje duke u ngritur në pozicion, dhe duke mos u përballur me drejtësinë për shkeljet që i janë gjetur.
Në maj të vitit 2016 Kolgjoka u filmua nga emisioni Stop që përmes rryshfetit favorizonte një biznes, që i shmangej detyrimeve doganore e tatimore dhe i kishte shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 1.4 milion lekësh, dhe duket se ai nuk ishte rasti i vetëm ku Kolgjokaj kryente korrupsion.
E megjithatë sot Kolgjoka është duke ushtruar një detyrë dhe më të rëndësishme siç është ajo e inspektorit të Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Pra një person që është filmuar me zë dhe me figurë që merrte ryshfet teksa ishte duke ushtruar një detyrë shtetërore, është vënë në pozicionin që të hetojë persona të tjerë në shkelje.
Në vitin 2016 për shkak të bujës mediatike që mori skandali, Kolgjoka u shkarkua nga detyra nga ana e Ministrisë së Financave, duke qenë se Hetimi Tatimor është në varësinë e kësaj ministrie, po nga organet e hetimit nuk u ndërmorr asnjë masë në drejtim të tij.
Kjo i ka hapur rrugë në mënyrë të befasishme dhe të dyshimtë kthimit të tij në një tjetër pozicion në Drejtorinë e Krimit Ekonomik për Tiranën.