52 për qind e britanikëve votuan pro daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian në referendumin e 23 qershorit.
Nigel Farage, kreu i Partisë për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) dhe Boris Johnson, konservator, ish-kryebashkiaku i Londrës
Të dy këta politikanë ishin udhëheqësit kryesorë të fushatës për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja.
Nigel Farage është ndoshta i vetmi politikan anglez që gjithë karrierën e tij politike e ka kaluar, duke propaganduar daljen e vendit nga BE-ja. Një rrjedhojë ironike për atij që Farage e quan referendumin e lavdisë është se rezultati i referendumit e lë praktikisht Nigel Farage pa punë. Ai është deputet i Parlamentit Europian dhe Mbretëria e Bashkuar do t’i humbasë vendet e saj në PE, sapo të kryehen procedurat për daljen nga BE-ja.
Boris Johnson, përveçse një mbështetës i zjarrtë i daljes së vendit nga BE-ja, duket se është dhe kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Parisë Konservatore, në tetor 2016, pas dorëheqjes së kryeministrit Cameron.
Michael Gove, ministri i Drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, Gove ishte në fakt një mbështetës surprizë i fushatës Brexit, pasi ai njihet si aleat i ngushtë dhe mik i kryeministrit Cameron, ky i fundit udhëhoqi fushatën pro qëndrimit në BE.
Zoti Gove ka qenë një prej politikanëve që gjatë fushatës ka përdorur Shqipërinë si shembull negativ të shteteve që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Ai përdori foto ku tregohej prapambetja e Shqipërisë për të paralajmëruar qytetarët e tij se ç’mund të pësojë Britania nëse vende të tilla ia dalin të anëtarësohen dhe për të bindur njerëzit të votojnë pro daljes nga BE-ja.
Votuesit e moshuar britanikë
Të gjithë sondazhet përpara referendumit e kanë quajtur votimin si një betejë mes brezave: kryesisht qytetarët mbi 65 vjeç mbështesnin daljen nga BE, ndërsa votuesin e rinj mbështesnin qëndrimin në BE.
Gjatë fushatës, mbështetësit e qëndrimit në BE provuan teknika të ndryshme për t’i ndryshuar mendjen brezit më të moshuar; më e famshmja ishte fushata “Fol me gjyshërit”, ku të rinjtë inkurajoheshin t’i ndryshonin mendjen gjyshërve të tyre për votimet. Por mesa duket, këto tentativa nuk funksionuan.
Në shumicën e zonave të Anglisë dhe Uellsit u votua masivisht pro daljes së vendit nga BE-ja. Pavarësisht se Londra, kryeqyteti i Anglisë votoi kundër daljes nga BE-ja, votat nuk arritën në kthejnë rezultatin total.
Humbësit 48 për qind e britanikëve
48 për qind e britanikëve votuan pro qëndrimit së Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Europian në referendumin e 23 qershorit.
Humbësi i madh i këtij referendumi është mbështetësi më i madh i qëndrimit të vendit në BE, kryeministri Cameron. Ai deklaroi se do të dorëhiqet në tetor, pasi nuk mund ta udhëheqë vendin në një drejtim që ai vetë as nuk e donte e as nuk e kishte parashikuar.
Fillimisht, kryeministri konservator pranoi mbajtjen e një referendumi për të shuar zërat euroskeptikë brenda partisë së tij, me besimin e plotë që qytetarët do të votonin pro BE-së. Rezultati i referendumit, pavarësisht se me diferencë të ngushtë tregoi se kryeministri ishte në anën e gabuar.