Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka reaguar mbrëmjen e sotme pas homazheve që përkrahësit e komunizmit bënë në varrezat “Dëshmorët e Kombit”.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Ademi ka publikuar disa statistika. sipas të cilave tregohet sesi diktatori Hoxha, arriti të sundojë në periudhën 1944-1990.
“Si sundoi diktatori në vitet 1944- 1990?
9 ministra të qeverisë së tij janë ekzekutuar.
1 kryeministër është vetëvrarë.
22 gjeneralë të ushtrisë janë ekzekutuar ose burgosur.
6027 persona janë ekzekutuar për arsye politike si armiq të pushtetit .
17650 persona janë burgosur nga regjimi i tij diktarorial.
1065 persona kanë vdekur neper burgjet e tmerrshme komuniste.
3 milion banorë të izoluar brenda vendit”, shkruan Ademi.
Postimi i Voltana Ademit
“E premtja e zezë e Shqipnisë, që filloi me 29 Nandor 1944, dhe jo me 28 Nandor, e që do të vazhdojnë përsa të sundojnë komunistat këtu, erdhi edhe në Shkodër. Flamuri i ynë i dhunuem me yllin e kuq, bashkë me flamurin e Jugosllavisë së Druzhe Titos, plot mbas 31 vjetësh prej 1913, u valvit në atë kompanjel të Kishës tonë, i vuem me forcë prej komunistave shqiptar, “Partizanve çlirimtar”, dhunues të Fesë e të Nderës së kombit tonë”.
“Partizanët në darkë u mblodhën me festue fitoren në ndërtesen e konsullatës italiane (ma vonë shtëpia e kulturës). Rreth mesnatës 3 gjerman të armatosun kanë ardhë prap me një triçikël, kanë trokitë në derë, dhe kanë hy në mjedis 300 partizanve, janë ngjitë nalt, dhe kanë marrë në një kasafortë, një dokument e kanë shkue në punën e vet.
*Át Konrrad Gjolaj, Çinarët, Botime Françeskane, Shkodër, 2015, f. 45; 71; 81).