Pacientët me kancer të cilët ishin të martuar në kohën e diagnostikimit jetojnë dukshëm më gjatë në krahasim me pacientët e pamartuar, theksojnë hulumtuesit amerikanë.
Në fakt, për disa lloje të kancerit, martesa mund të jetë një faktor shumë më i fuqishëm në mbijetesën nga kanceri sesa kimioterapia, ka zbuluar studimi.
Autori dhe udhëheqësi i studimit, dr. Ayal Aizer, mjeku kryesor në onkologjinë rrezatuese në Harvard Medical School në Boston, tha se pacientët e martuar kishin gjithashtu më shumë gjasa të diagnostikohen me sëmundjen në fazën e hershme dhe kanë më shumë të ngjarë ta marrin terapinë e duhur.
Studimi ishte i pari i cili tregoi një përfitim të qëndrueshëm dhe të rëndësishëm të martesës në mbijetesë në mesin e secilit prej 10 shkaqeve kryesore të vdekjeve nga kanceri në Shtetet e Bashkuara – kanceri i mushkërive, kolorektal, i gjirit, pankreatik, i prostatës, i mëlçisë/biliare, limfoma jo-Hodgkin, ai i kokës dhe qafës, ovarian dhe kanceri i ezofegut, tha Aizer.
Për pacientët me kancer të prostatës, gjirit, kolorektal, atë të ezofagut dhe kokës dhe qafës, martesa ishte e shoqëruar me një rritje të mbijetesës që ishte më e madhe se regjimet standarde të kimioterapisë për këto sëmundje.
Studimi vlerësoi të dhëna klinike dhe demografike nga baza e shënimeve të Institutit Kombëtar të Kancerit SEER me mbi 734.889 pacientë të diagnostikuar.
Analiza, e publikuar në “The Journal of Clinical Oncology”, tregoi në përgjithësi se pacientët, të cilët ishin të martuar, kishin 17 për qind më pak të ngjarë të kenë sëmundje metastatike kur ishin diagnostikuar me kancer për herë të parë në krahasim me pacientët të cilët nuk kanë qenë të martuar.
Përveç kësaj, pacientët e martuar me sëmundje jometastatike kishin 53 për qind më shumë të ngjarë të marrin terapi për sëmundjen e tyre në krahasim me pacientët e pamartuar, në çfarëdo periudhe. Së fundi, në çfarëdo periudhe, një pacient i cili ishte i martuar kishte 20 për qind më shumë të ngjarë të jetë i gjallë se një pacient i cili nuk ishte i martuar, theksoi studimi.
“Martesa sigurisht përmirëson rezultatet në mesin e pacientëve me kancer, përmes rritjes së mbështetjes sociale”, tha Aizer në një deklaratë.
“Rezultatet tona sugjerojnë se pacientët të cilët nuk janë të martuar, duhet t’u afrohen për mbështetje miqve, grupeve mbështetëse për kancerin dhe grupeve religjioze, si dhe mjekëve të tyre për ta marrë mbështetjen e duhur sociale”.