Fitimet që kompanitë me kapital të huaj në Shqipëri kanë transferuar në vendet e tyre të origjinës në tre muajt e parë të këtij viti, kanë shënuar rënie të ndjeshme në muajt e parë të këtij viti. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, në janar-mars 2016, kompanitë e huaja transferuan 36 milionë euro, nga 69 milionë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rënie të ndjeshme prej 45%.
Ulja e fitimeve të bankave duket arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë tendencë. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave për vitin 2015, fitimi i sistemit sipas standardeve ndërkombëtare (IFRS, në bazë të së cilit deklarojnë tek tatimet) shënoi një rënie të ndjeshme, nga 12.2 miliardë lekë në 2014-ën, në 4.9 miliardë lekë në 2015-ën. Edhe kompanitë celulare kanë raportuar fitime më të ulëta, si rrjedhojë e maturimit të këtij tregu.
Situata është krejtësisht e ndryshme nga dy vitet e kaluara, kur transferimi i fitimeve nga kompanitë e huaja shënoi një rritje të ndjeshme. Në 2015-ën, të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se sipërmarrjet e huaja transferuan jashtë vendit 238 milionë euro, me një rritje prej 11% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2014. Në krahasim me 2013-ën, fitimi i transferuar u trefishua.
Bankat (14 prej të cilave janë me kapital të huaj, nga 16 gjithsej) dhe dy kompanitë e mëdha të telekomunikacionit janë ndër sipërmarrjet më fitimprurëse në vend, që një pjesë të ndjeshme të tij e transferojnë te mëmat e tyre jashtë Shqipërisë. Shumat e larta që ato transferojnë kanë ndikuar shpesh edhe në zhvlerësimin e ndjeshëm të lekut, pasi rrisin kërkesën për euro.
Niveli i ulët i transferimit të fitimeve në tre muajt e parë të këtij viti, ka bërë që dhe monedha vendase të jetë relativisht e fortë, ku një euro ka zbritur në rreth 138 lekë.
Rënia e investimeve të huaja
Investimet e huaja direkte shënuan një rënie të fortë prej 42% në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë. Investimet e huaja ishin 152 milionë euro në tremujorin e parë, nga 261 milionë euro në janar-mars 2015 dhe 222 milionë euro në tremujorin e parë 2014. Sipas Bankës së Shqipërisë, prurjet në formën e investimeve direkte, vijon të mbeten të përqendruara në sektorin e hidrokarbureve (në masën 27 për qind), energjetikës (me rreth 25 për qind), ndërtimit (në masën 17 për qind), dhe sektori i telekomunikacionit (me 6 për qind). Ndërkohë që rënia me e madhe e fluksit vërehet në sektorin e hidrokarbureve. Një rënie e investimeve të huaja dirkete ishte e pritshme, pasi Bankers Petroleum, investitori më i madh në vend vitet e fundit, kishte raportuar në tremujorin e parë 2016 një rënie të ndjeshme të investimeve. Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë, gjatë tremujorit të parë të vitit 2016, shpenzimet kapitale ishin 13 milionë dollarë. Kompania nuk ka shpuar asnjë pus të ri gjatë këtij tremujori. Shpenzimet kapitale ishin 25 milionë dollarë për tremujorin e kaluar dhe 50 milionë dollarë në tremujorin e parë të vitit 2015. Investimet në hidrokarbure (ku aktori kryesor është Bankers) kanë përbërë në tremujorët e mëparshëm deri në 40% të totalit të investimeve të huaja. Shtesa e kapitalit të bankave, një tjetër element që nxiti investimet në 2015-n, ishte 20% më e ulët në tremujorin e parë 2016, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të pasiveve të sistemit, të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Licenca celulare, që i dhanë hov investimeve të huaja në gjysmën e parë të 2015-s, nuk janë dhënë në muajt e parë të këtij viti.