Vjedhje e padëgjuar/Veliaj i jep tenderin qindramilionësh administratorit të vet në Dajt

Një tender në kushtet e konfliktit të interesit dhe me pikëpyetje të mëdha mbi ligjshmërinë e tij është zhvilluar së fundmi nga Bashkia e Tiranës për rikonstruksionin e shkollës së mesme të bashkuar “Ymer Lala” në Surrel, zonë ku ngrys ditët kryeministri Edi Rama
Tenderi, me vlerë 450 milionë lekë (të vjetra) është fituar nga kompania “Dajti Park 2007”, e administruar nga ish-kryetari jetëgjatë socialist i komunës Dajt dhe sot administrator i Njësisë Dajt, Kujtim Qefalia, njëkohësisht edhe vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia.
Njoftimi i fituesit është shpallur në Buletinin e Prokurimit Publik, dt. 26 Nëntor 2018, nga të dhënat e të cilit konstatohen parregullsi në kushtet e abuzimit skandaloz me ligjin.
Së pari, fituesi i tenderit është në kushtet e konfliktit të interesit. Shkolla e mesme e Surrelit përfshihet në territorin e Njësisë Dajt, i cili administrohet nga Kujtim Qefalia dhe që është nën juridiksionin e Bashkisë Tiranë.
Në nenin 21 të ligjit për “Parandalimin e konfliktit të interesave…”, parashikohet shprehimisht që zyrtarët e nivelit drejtues të pushtetit vendor, ku përfshihen edhe drejtuesit e njësive vendore të Tiranës, nuk mund të përfitojnë kontrata publike nga institucionet ku ata ushtrojnë funksionet apo kanë varësinë. Pra, në rastin konkret, Kujtim Qefalia kishte ndalim ligjor për t’u përfshirë në tenderat e zhvilluar nga Bashkia e Tiranës. Por, pavarësisht këtij ndalimi, as ai dhe as Erion Veliaj nuk janë frenuar për të zhvilluar tenderin dhe për t’u shpallur fitues Qefalia.
Por konflikti i interesave nuk është i vetmi problem në tenderin për rikonstruksionin e shkollës së Surrelit. Nga të dhënat e publikuara prej Agjencisë së Prokurimit Publik, rezulton se kompania “Dajti Park 2007” është shpallur fituese, megjithëse ka paraqitur ofertën më të lartë në tender.
Në këtë prokurorim publik, të zhvilluar në 12 Nëntor 2018, kanë marrë pjesë edhe disa kompani të tjera, të cilat kanë paraqitur oferta më të ulta për të ofruar shërbimin e tyre. Pra, Bashkia e Tiranës mund të kursente fonde publike, nëse do të kishte shpallur fitues një prej kompanive që mund të realizonte rikonstruksionin e shkollës për një vlerë më të ulët.
Por Bashkia e Tiranës, në kundërshtim të hapur me ligjin, ka vendosur që fondi prej 450 milionësh të arkëtohet në llogaritë e “shokut politik”, Kujtim Qefalia.

“Boldnews.al”

dokumenti 2

Artikulli paraprakÇfarë duhet të hani kur jeni me grip
Artikulli tjetërTransaksioni i Donika Prelës, kreu i Prokurorisë kapet në pastrim parash?