Problemet në jetën artistike për artistët po tregojnë që Ministria e Kulturës deri tani më politikat që ka ndjekur nuk ka ndryshuar qëndrim në favor të tyre. Në reagimet e tyre ata herë pas here pohojnë se problemet ligjore nuk kanë gjetur ende zgjidhje. Kryetari i Sindikatës së Artistëve të TKOBAP, tenori Rudi Sata tregon në këtë intervistë se dhe takimi i fundit që u zhvillua në Ministrinë e Kulturës ishte pa rezultat. Sipas tij përgjegjësia bie mbi Ministrinë e Kulturës. Të gjendur në këtë situata ku ata herë pas here i janë drejtuar ministres së Kulturës për problemet me institucionet, kodin e punës, shpërblimin artistik, statusin e artistit, rritje të pagave, etj, tenori Sata shprehet se nuk është treguar vëmendje. Tenori tregon se nuk shpresojnë as në strategjinë e 2019 që ka pohuar Ministria e Kulturës dhe shton se në pesë vite nuk u bë asgjë.
-Ju jeni shprehur herë pas here për problemet në jetën artistike dhe ato ligjore për komunitetin artistik prej vitesh. U zhvillua edhe një takim në Ministri të Kulturës, por ju pohuat pa rezultat. Çfarë ka ndodhur?
Takimi i fundit për problemet tona ka qenë në Ministrinë e Kulturës pas një sërë kërkesash si sindikatë për dialog, uljen në tryezë të rrumbullakët, për të vendosur dhe gjetur alternativat më të mira si për institucionin ashtu dhe për artistët. Pranuan që ne të takoheshim dhe takimi u bë me zëvendësministren e Kulturës. Pas atij takimi, unë e deklarova që ishte një takim i dështuar. Jo se ne nuk e prisnim këtë, por thjesht e bënë formale për të thënë që ju kërkuat takim dhe ne po ju dëgjojmë, por ishte kot. Projektligji që ata kanë hedhur është po i njëjti avaz, glorifikimi i pushtetit absolut të titullarëve në institucione. Nuk përmbush asnjë standard dhe kriter të BE. E kam thënë me forcë që kushti për t’u ulur në tryezën e rrumbullakët dhe bërë reformë është vetëm hartimi dhe marrja e modeleve evropiane, por ata nuk duan.
-Sipas jush pse nuk duan?
Nga gjithë ajo strategji që unë kam bërë doli lakuriqësia e kësaj qeverie, që këta përveçse janë të paaftë për të bërë reforma janë hipokritë dhe të ligj. Mund të mos jesh i ditur dhe i paaftë për të bërë reforma, por kur të ofrohet një ligj i gatshëm mere bëje, një ligj që plotëson standartet evropiane, që unë ia kam bërë me dije. Kam folur në media, ia kam dërguar titullares së TOB me e-mail dhe normal duke qenë hierarki me ministrinë janë në dijeni. Këta nuk duan. Kemi një qeveri diktatoriale, që ka instaluar një sistem dhunues, dhe nuk duan modelet europiane, sepse nëse këto implementohen nuk janë më padronë. Ne kërkuam ligj të ri sipas modelit europian, statusin e artistit, kërkuam në atë takim në ministri rrëzimin e rregullores së brendshme të institucionit, kërkuam ndarje pushtetesh dhe autonomi institucionale, por ata nuk i duan. Kërkuam që të vendoset një datë kur fillon sezoni dhe mbaron, e shkruar në rregullore dhe kontratë. Kërkuam të trajtohen ditët e punës, dhe këtë kemi vite që e kërkojmë dhe është një tjetër shkelje. Nuk mundet një rregullore e brendshme të prevalojë mbi dispozitat ligjore. Ne i kemi bërë kërkesë dhe titullares së institucionit tonë të ulemi në tryezë për të diskutuar për problemet. Madje ne kemi thënë herë pas here, që bordi artistik të jetë me përfaqësues të barabartë nga institucioni dhe komuniteti artistik, nëse përshembull janë tetë anëtarë, 4 nga institucioni dhe 4 nga komuniteti artistik. Në Ministri të Kulturës nuk dinë se çfarë bëjnë, njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit.
-Pse?
Kam respekt për sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Oltjon Muzaka. Ai si sekretar e ka bërë punën e tij si jurist, ka thënë të zbatohet kontrata kolektive e punës, por këta se bënë. Unë do ti bëj thirrje të drejtpërdrejtë sekretarit të përgjithshëm të ministrisë, që ai ose duhet të lërë atë vend të punës nëse këta se dëgjojnë, ose të bashkohet me artistët. Ai ka çuar një shkresë ligjore, që thotë të zbatohet kontrata kolektive, por ne na u zbatua kontrata individuale sërish. I bëj thirrje sekretarit të përgjithshëm të ministrisë të verifikojë kontratat individuale që janë bërë për artistët. Ne kemi firmosur kontrata dhe artistët nuk kanë asnjë kopje në xhep. Kur unë firmos kontratën duhet ta kem në xhep, të ketë numrin e protokollit dhe firmën e titullarit të institucionit. Sekretari i ka çuar një direktivë institucioneve dhe ata se kanë dëgjuar. Por kontrata e re është bërë pa dijeninë e sindikatës dhe janë shtuar nene, por që janë në interesin e tyre.
-Ju jeni kryetar i Sindikatës së Artistëve të TKOBAP dhe keni kohë që pohoni problemet me ligjin e artit, çfarë do të bëni në vijim?
Do të përgatisim një pyetësor për artistët dhe do t’ia shpërndajmë atyre, me pyetjet si a duan status të artistit, rregullore sipas standarteve europiane, doni të drejta të barabarta me homologët e Europës, etj, dhe nëse janë dakord unë do të bëj një konferencë për shtyp bashkë me artistët. Dhe në rast se ministria nuk ulet në tryezë me ne për të firmosur aktmarrëveshjen, që deri tani nuk kanë pranuar, atëherë unë do ta ndjek penalisht institucionin, ministren e Kulturës në Gjykatën Administrative për shkelje të kodit të punës. Deri më sot procedurat ligjore që kanë bërë janë në shkelje ligjore të të drejtave të punëmarrësit dhe të dispozitës ligjore, që është kodi i punës. Unë do ta kap çështjen në themel në Gjykatën Administrative si sindikatë. Ne jemi duke punuar për këtë ide, që do ta çojmë në gjykatë. Unë këtë ide do t’ia hedh bordit të sindikatës së pavarur të artistëve dhe do të marrim një vendim kolegjial, por që për mua këto institucione që nesër duhet të shkojnë para drejtësisë.
-Sa ju kanë përkrahur deri komuniteti artistik?
Sa kohë kjo bazë ligjore është bërë në interes të punëdhënësit, punëmarrësi është pengu i punëdhënësit. Dhe normalisht që punëmarrësi nuk mund të ketë këllqe të përballet me punëdhënësin, por kjo jo se ndikon 100 përqind të një artist, sepse të dalësh dhe të thuash duam status të artistit nuk të pushon njeri nga puna, të dalësh të thuash që dua rritje të pagës nuk të pushon njeri nga puna, të kërkosh standarte europiane nuk të pushon njeri nga puna. Por këto teori që nuk del artisti të flasë se e pushojnë nga puna justifikojnë atë që është i paburrëruar. Pikërisht pse artistët janë në kushtet që lë për të dëshiruar dhe me probleme jeta artistike dhe ligjore duhet të reagojnë, që kjo situatë të ndryshojë.
-Buxhetet e pakta si ndikojnë në jetën artistike?
Unë kam thënë ishalla nuk shtohet buxheti sepse vidhet, këtë e kam thënë dhe në parlament. Me këto ligje dhe kanibalizëm ligjor që kemi ne, buxheti shtohet për t’u abuzuar. Unë e kam thënë dhe më parë, neni 7, neni 10 dhe 11 janë më të tmerrshmet në ligjin 10352, që tregon hapur që këtu ka abuzime. Ministrja e Kulturës të na rrojë sa malet, e kam thënë dhe vijoj është Kumbaro ministrja më e dështuar. Arrogante dhe e paaftë. Ministrja Kumbaro bën atë që i thotë mentori i saj. Me këto që ka bërë në Ministri të Kulturës atë e shemb vetëm forca e artistit, që të dalë atje para dhe ti bllokojë zyrën. Unë jam i gatshëm ta bëj këtë. Komuniteti artistik të shkojë para Ministrisë së Kulturës dhe të thotë duam të drejta të barabarta, duam status të artistit, duam rritje të pagave, etj. A keni parë ndonjë protestë të artistëve?
-Po artistët kanë zhvilluar protestë lidhur me teatrin…
Çfarë bënë? Nuk erdhën të gjithë ata që janë me të drejtë rroge, një pjesë, dhe të tjerët që janë jashtë institucioneve.
-Shpërblimi artistik një tjetër kërkesë që duhet nuk ka gjetur zgjidhje?
Paradoksi është, që ligji e përmban shpërblimin artistik për figurën artistike, por nuk jepet. Unë pyes kur do jepet? Tjetër problem nuk kemi dieta për artistët. Pse i çojnë artistët në rrethe kur nuk jepen dieta? Kjo është shkelje ligjore.
-Kjo bëhet për të shkuar pranë publikut me shfaqje dhe në zona të tjera larg Tiranës…
Po shumë mirë që bëhet, por shteti është shtet dhe ka rregulla. Kanë miliona euro për 1 km rrugë dhe nuk kanë për 1 mijë lekë të reja në ditë dietë për një artist. Ministrja shtyn ditët e saj, ajo që ka thënë do ta bëjmë në 2019 strategjinë e madhe, por them: O pika strategjisë së saj. Unë se kuptoj, ajo dhe një ditë para fundit të mandatit të dytë po këtë do të thotë, më lini dhe një mandat se do ta bëj strategjinë. Por 5 vjet deri tani çfarë bëri si ministre? Çfarë politikash bëri në art dhe kulturë për të pasur zhvillim? Ministrja e Kulturës as më shumë dhe as më pak bën direktivat. Edhe TOB e bënë për punë të tyre, sepse shtohen paratë atje ndërtohet. Por kur ti nuk ke njeriun, sepse e kë të dhunuar, është bërë lëpirës, ka frikë, çfarë na duhet një institucion i bukur kur artisti nuk ka dinjitet? Unë jam i bindur që artistët do të dalin në protestë nëse vazhdon kjo situatë. Ose do ta dalin të protestojnë për rrogën, statusin, buxhetin, ligjet sipas BE, dhe nëse se bëjnë këtë dhe justifikohen që ne kemi frikë, unë do ti pyes po në Kosovë a kishin frikë? Jo vetëm qeveria mëkatare, por dhe ne si shoqëri kemi përgjegjësi, që duhet të marri rol dhe të kuptojë që ka shumë rëndësi dhe peshë në jetën aktive të kombit. Më keq akoma kam marr vesh nga burime jozyrtare që në 2019 mund të ndërhyjnë në strukturë. Ne kërkojmë ndryshime në ligj dhe statusin, por jo në strukturë sepse nëse i teket të thonë nga 100 veta që është trupa të rrinë 80. Pse po i bëjnë këto kontratat 1, apo 1 vit e gjysmë? Nisma ime është të mbrojtje të të drejtave dhe dinjitetin tonë. Ministres Kumbaro i them reflektim sa nuk është vonë.
Intervistoi: Julia Vrapi