Klithama e një gruaje: “Nëse ma shembin shtëpinë do të rri poshtë mureve të mia, le të më bjerë sipër”

Nga Grida Duma

Forca e njeriut për të rezistuar në ditë të vështira është shenjë e mbinjerëzores.Banorët e zonës së ashtuquajtur Astir kanë dhjetra mëngjese që presin ditën pa gjumë e kur errësira bie kanë forcën të të shpjegojnë se si i kanë dokumentat e shtëpive, se sa vite kanë paguar taksa, se si i kanë shlyer detyrimet e legalizimeve me miliona lekë, se si e kanë blerë truallin me “letra” pronarit që i shfaqej.
Është e pakoment se si kanë forcë të mbajnë mendjen dhe të logjikojnë, kur gjithë jeta mund t’i shembet para syve. Të shpjegojnë me detaje që me aq sa mundësi i është dhënë kanë kryer çdo detyrim që i është kërkuar nga shteti madje edhe dy herë, por sërish mbetën të paragjykuar vetëm sepse po të respektohej e drejta e tyre rilindja nuk do të përfitonte dot nga prona e tyre.
Njëra prej grave tha që, “nëse ma prishin shtëpinë do rri poshtë mureve të mia dhe le të më bjerë sipër shtëpia ime se sa të më groposë vuajtja që mbeta në rrugë pas 17 vjetësh”.
Kushdo që do ta relativizojë drejtësinë në zonën e Astirit le të mbajë rëndesën e ndërgjegjies që po zgjedh të mos shohë faktet në të gjithë të vërtetën e vet.
Shqipëria e gjitha është e mbushur me mbivendosje pronash, me mbivendosje premtimesh fushate me “bojë” për legalizime falas, si kanë dëgjuar tek “Astiri” për që për ironi po bëhet e njohur me emërtimin e një kompanie boje.
Po ashtu kudo nëpër Shqipëri mund të gjesh adoleshentë që kanë hyrë në rrjete kanabisi; mund edha ta relativizosh fajin e të thuash këta 15 vjeçarë janë fajtorë; por mundet edhe të vendosësh të shohësh! Të shohësh fajtorët dhe shkaktarët e vërtetë, ata që i lanë vetëm këtë mundësi.

Artikulli paraprakBllokohet në Itali gomonia me 1.5 ton drogë nga Shqipëria
Artikulli tjetërParisi në flakë sërish nga protestat kundër rritjes së çmimit të karburantit!