Pengmarrja e anijes, Forcat Detare të NATO dhe BE nisin kërkimet

Kanë kaluar disa ditë nga zhdukja e peshkarexhës “Çelepia 2” dhe ende nuk ka asnjë të dhënë mbi fatin e dy marinarëve shqiptarë, të cilën ndodhen në bordin e saj. Pas apelit për ndihmë nga autoritetet shqiptare për gjetjen e peshkarexhës dhe 2 peshkatarëve të zhdukur prej 21 qershorit, Forcat Detare të NATO-s dhe ato të porteve të shteteve fqinje me vendin tonë janë angazhuar për të identifikuar anijen.
Burime nga Autoriteti Portual i Durrësit pohojnë se u është kërkuar ndihmë aleatëve, por edhe misionit të BE që kontrollon ujërat detare për të parandaluar rrugën e trafikut njerëzor Libi-Itali, por deri tani ende nuk është mundur të sinjalizohet vendndodhja e “Çelepia 2”.
Anija kishte dalë për peshkim më 18 qershor, por më 21 qershor peshkatari egjiptian Adel Mohamed Sallam njoftoi se kishte marrë peng anijen, si edhe dy shqiptarët Dhimitër Malja dhe Luan Mema.
Sipas Autoritetit Portual të Durrësit, anija duhet të jetë diku e fshehur në detin Egje, pasi po të ishte në portin egjiptian  të Aleksandrisë, do të ishte kapur me kohë. Paralelisht me Forcën Detare të NATO-s janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit edhe autoritetet egjiptiane, por ende nuk dihet asgjë për fatin e peshkarexhën “Çelepia 2”.
30-vjeçari egjiptian që ka marrë përsipër pengmarrjen ka ndërprerë kontaktet edhe me pronarin e anijes, duke shtuar enigmën për destinacionin e mjetit lundrues, por në një prej komunikimeve, ai ishte shprehur se e kishte shitur mjetin dhe se nuk donte më asnjë para prej pronarëve, ndërsa nuk ka pranuar të thotë asgjë për fatin e dy peshkatarëve shqiptarë.
Familjarët e dy peshkatarëve apelojnë shtetin të angazhohet më shumë për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje, që aktualisht po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Marinari egjiptian, Adel Mohamed Sallam, disa ditë më parë kontaktoi me një bashkëkombasin e tij në Durrës, duke thënë se kishte marrë peng dy shqiptarët, Dhimitër Malja dhe Luan Mema dhe se do të fundoste anijen, nëse nuk i paguheshin 70 mijë euro.
Për ta bërë sa më të besueshme pengmarrjen, egjiptiani dërgoi dhe një foto të një prej marinarëve shqiptarë, të cilin e kishte lidhur me zinxhirë dhe litar. Fotoja sqaron pengmarrësi është bërë në Portin e Aleksandrisë në Egjipt, aty ku ndodhet edhe peshkarexha sipas tij.
Autoritetet shqiptare nuk mund të përcaktojnë se ku është anija, pasi është fikur aparatura e “blue box-it”. Ndërsa autoritetet egjiptiane sqarojnë se nga kërkimet e bëra nuk kanë mundur të gjejnë anijen në Portin e Aleksandrisë.
Prokuroria për Krimet e Rënda ka marrë në dorë hetimet për veprën penale të gjobëvënies. Ka dyshime se marinarët shqiptarë mund të jenë bashkëpunëtorë të egjiptianit, për motive që janë ende të paqarta.

Artikulli paraprak80 milionë euro në vit për luksin e qeverisë dhe zyrat
Artikulli tjetërDy kallëzime të tjera në Prokurori për dhunë ndaj fëmijëve në kopsht