Vlora është kthyer ditët e fundit në një arenë konfliktesh mes bandave, ku përplasja ka kulmuar me vrasje dhe rrëmbime të bujshme.
Gazetarja Lindita Çela ka treguar më shumë detaje rreth asaj që ndodh në qytetin bregdetar, ku thotë se njerëzit kanë frikë që të dalin nga banesat e tyre pas orës tetë të mbrëmjes.
Çela tregoi eksperiencën e saj dhe atë që pa e bisedoi në Vlorë me familjarë të të zhdukurve, gjatë punës së saj.
“Unë kam qëndruar më shumë se një javë në Vlorë. Ne jemi gazetarë dhe e dimë shumë mirë që mes dëshmive dhe të dhënit nëpërmjet pamjeve ka ndryshim.
Dalja në televizion është sensitive, është e sikletshme për këdo që nuk është person publik, jo më për persona që kanë të bëjnë me trafikun e drogës, gjë që s’është e re në Vlorë.
Situata është ndryshe në këtë rast. Gjëja e parë që më ka bërë përshtypje është që njerëzit nuk dilnin darkave pas orës 20:00. Vlora ishte bosh, të imagjinosh që ne ishim aty dy javët e para të nëntorit, ku nuk bënte as shumë ftohtë.
Dëshmitë ka qenë shumë e vështirë, pasi i kam gjetur dhe kanë ndërruar mendjen pasi i marrin në telefon dhe u thonë mos flisni. Kanë qenë dy raste të tilla që nuk kanë folur nga presioni. Këta persona janë përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike”, u shpreh gazetarja.