Studentët kanë zhvilluar ditën e sotme një protestë para Ministrisë së Arsimit, ku kërkonin uljen e tarifave të studimit për universitetet publike.
Për protestën reagoi kryeministri Rama, i cili shfajësoi Ministrinë dhe tha se tarifa është rritur nga Universiteti, ndërsa publikoi sipas tij, “5 të vërteta” ku shkruante: “Thjesht e vërteta: 1.Tarifat s’i përcakton ministria po universiteti 2.Asnjë tarifë s’është rritur nga 2014 3.VKM për tarifën e mbetësve është kërkuar nga universitetet 4.Efekti i VKM nis vitin tjetër 5.Ministrja u ka sugjeruar sot universiteteve të konsiderojnë rishikimin e VKM.”
Kjo ka nxitur lëvizjen “Për Universitetin”, e cila me anë të një postimi në rrjetet sociale, i ka kthyer përgjigje kryeministrit, ndërsa e kritikojnë për këshilltarët, që sipas tyre nuk kanë kulturë juridike.
“Përgjigje kryeministrit:
1. Nivelin e financimit të universiteteve publike dhe tarifën maksimale e vendos qeveria. Rrisni buxhetin dhe ulni tavanin! Pastaj universitetet mund të propozojnë uljen e tarifave.
2. Në vitin 2014 tarifat janë rritur sa për pesë vite të mëparshme rresht. Përveç kësaj, ne kërkojmë përgjysmimin e tyre deri në realizimin e parimit arsim publik falas. E kupton logjikën apo ke nevojë për një orë leksioni?!
3. Ne nuk jemi mbetës. Jemi mijëra studentë që punojmë dhe studiojmë fort. Prandaj shumë prej nesh zgjedhin t’i shtyjnë provimet, që të kemi mundësi të studiojmë më shumë.
4. Ne do të jemi gjallë edhe vitin tjetër. Siç do të futen në universitete dhjetëra mijëra studentë të tjerë. Ne luftojmë edhe për ta.
5. Rishikimin e v.k.m. e bën autoriteti që e ka hartuar, jo universitetet. Nuk ke një këshilltar që ka pak kulturë juridike?!”