Sali Berisha, kryeministër e president i dikurshëm i Shqipërisë, ka folur për bisedën që ka zhvilluar me ish-presidentin e ndjerë amerikan, George H.W. Bush, për Kosovën, shumë vite më parë.
“Ishte takimi më i rëndësishëm i jetës sime”, është shprehur Berisha në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, duke iu referuar takimit me Bushin e Vjetër, në Shtëpinë e Bardhë, në vitin 1992.
“Mund të them se çështje kryesore në atë takim ka qenë Kosova”, ka kujtuar Berisha.
“Dua t’i jap meritë mikpritësit tim… e hapi bisedën me Kosovën”, ka thënë ai, duke folur për takimin e 15 qershorit të vitit 1992.
“Mori atllas përpara, dhe hartën e Kosovës, duke më pyetur mua për situatën”, është shprehur Berisha.
Ish-udhëheqësi shqiptar ka thënë se koha më kryesore e takimit të tij me Bushin e Vjetër në Uashington iu kushtua Kosovës.
“Për mua, dhe për çdo shqiptar, Kosova ishte nën pushtim, dhe e kërcënuar për ekzistencën e saj”, ka thënë Berisha në T7.
“Copëtimi i mëtejshëm i saj e shuante nga harta”, ka theksuar ai.
Sipas Berishës, po të mos ishte paralajmërimi i famshëm i Bushit të Vjetër ndaj Sllobodan Millosheviçit, Serbia do ta sulmonte ashpër Kosovën.
Berisha: Për ndarjen e Kosovës dëgjova për herë të parë më 1992 – ideja u ringjall më 2005
Sali Berisha, kryeministër e president i dikurshëm i Shqipërisë, ka treguar se kur ka dëgjuar për herë të parë idetë për ndarjen e Kosovës.
Berisha ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se “për herë të parë, problemin e ndarjes së Kosovës e kam dëgjuar në vitin 1992”.
“Nga fundi i vitit 1992, dhe në vazhdim shumë herë”, ka shtuar Berisha.
Ai ka kujtuar se Greqia asokohe, e udhëhequr nga kryeministri Konstantinos Mitsotakis, ka pasur plan për ta copëtuar Kosovën.
Plani për ndarjen e Kosovës është ringjallur më 2005, ka treguar ish-udhëheqësi shqiptar.
Berisha ka thënë në T7 se për copëtimin e Kosovës është folur atë vit në Selanik, në një takim të udhëheqësve të Ballkanit, më pak se një muaj pasi ai ishte bërë kryeministër i Shqipërisë.
“Ishte ofertë e Vuk Drashkoviçit”, ka kujtuar Berisha, duke iu referuar shkrimtarit e politikanit serb.
“Kam refuzuar në mënyrë kategorikë. Thash se nuk e pranoj një variant të tillë, sepse është variant i Serbisë së Madhe”, ka theksuar ai.
Berisha: Gandizmi i Rugovës ma lehtësonte promovimin e Kosovës
Sali Berisha, kryeministër e president i dikurshëm i Shqipërisë, ka folur për raportet e tij me ish-presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ai ka kujtuar se me Rugovën koordinohej mirë për Kosovën.
Berisha ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se Rugova gëzonte reputacion të lartë në mesin e udhëheqësve perëndimorë.
Ai ka treguar se veprimtaria e Rugovës ia bënte atij më të lehtë të diskutonte për Kosovën në takimet që i zhvillonte në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar nëpër kryeqendrat botërorë.
“Gandizmi i Rugovës ma lehtësonte promovimin e Kosovës”, është shprehur ai në T7.
Berisha: Hashim Thaçi ndjek planin e Serbisë, Baton Haxhiu ndihmon
Sali Berisha, kryeministër e president i dikurshëm i Shqipërisë, ka folur për bisedën idenë e presidentit Hashim Thaçi për ndarjen e Kosovës. Ai ka thënë se Thaçi po i ndjekë planet e Serbisë.
Berisha në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, ka thënë se edhe gazetari Baton Haxhiu është duke e ndihmuar Thaçin për idenë e ndarjes së Kosovës.
“ Baton Haxhiu është kryesori në këtë proces. Ai është duke e ndihmuar Thaçin për idenë e ndarjes së Kosovës. Batoni është mbështetësi kryesor në krejt këtë proces”, ka thënë Berisha.
Ai ka thënë se ideja e Hashim Thaçit është absurde dhe është plan i Serbisë.
“Askush nuk është dakord me Thaçin për këtë ideje. Kjo ide është plan i Serbisë dhe nuk duhet të përkrahet nga askush. Luftëtarët e vërtetë janë kundër Hashim Thaçit”.