CDU-ja në fillim të vitit 2000: një parti popullore e dominuar nga meshkujt, pak e mërzitshme, por edhe përfaqësuese e shtetit dhe me parime të qarta. Politika liberale ekonomike ka rëndësi shumë të madhe, përfytyrimi kristjan për njeriun i jep pamjen partisë – kështu e përshkruan politologu Oskar Niedermayer.
CDU-ja me besim në vetvete atëherë ndodhej në krizë. Ajo pati pësuar një disfatë të rëndë në zgjedhje kundër SPD. Helmut Kohli pati marrë në kabinetin e tij Angela Merkelin e re, atë e thërrasin “vajza e Kohl-it”. Por ajo emancipohet shpejt. Më shumë se kaq: në mes të aferës për donacionet partiake të CDU-së Merkeli distancohet nga babai i saj politik në një letër të hapur. Pak muaj më vonë ajo është vetë kryetare e partisë. Si gjermanolindore, protestante, shkencëtare e shkencave të natyrës, e divorcuar ajo duket si një trup i huaj në CDU-në e Kohlit.
Njëri nga ata që e pa që atëherë në mënyrë kritike kandidaturën e saj është Friedrich Merzi – sot një kandidat me mjaft shanse për t’u bërë pasardhës i Merkelit në krye të partisë. Ai bën pjesë në një radhë të tërë rivalësh meshkuj, të cilët e konsiderojnë veten shefa më të mirë për partinë, midis tyre bën pjesë edhe Wolfgang Schäuble. Por Merkeli i spostoi ata të gjithë në anë. Kur në vitin 2005 kandidon për kryetare partie, atë nuk mund ta rrezikojë më njeri. Në çështje pushteti ajo tregon ashpërsi. Së jashtmi ajo shfaqet racionale dhe e dashur.
Kohli e drejtoi CDU-në për 25 vjet, Merkeli për 18 vjet. Niedermayer flet për një “epokë Merkel”, “jo vetëm për shkak të gjatësisë së kryesimit, por edhe sepse ajo e transformoi thellë partinë, e ka zhvendosur nga e majta si në politikën ekonomike, ashtu edhe në atë sociale.”
Një kryetare partie “e kthesës”
Shumë ndryshime nën Merkelin zor se do të ishin të përfytyrueshme nën Kohlin. Kjo në një kohë kur që në krye atë nuk e konsideronin si person me koncepte të mëdha. Shpesh e akuzonin se manovronte gjatë dhe ngurronte në vend që të vendoste. Pastaj u bë e qartë: pikërisht për çështjet e rëndësishme Merkeli vendos shpesh pa bërë zhurmë dhe pa e vënë partinë që të diskutojë. Për disa tema ajo krijoi habi:
-2010: Merkeli shihet si “grua kursimtare, si gratë nga Shvabeni”. Në mes të krizës financiare ajo i përjashton ndihmat financiare për Greqinë e mbytur në borxh. Por pa kaluar kohë ajo bie dakord për paketën e parë të ndihmave për Athinën, dy të tjera pasojnë. Euroja dhe kohezioni i Evropës bëhet një nga temat e mëdha të saj.
-2011: Merkeli konsiderohet mbështetëse e energjisë bërthamore. Por pas aksidentit shkatërrimtar në Fukushima, ajo e kthen pllakën brenda natës; koalicioni qeveritar vendos braktisjen e energjisë bërthamore nga Gjermania.
-2013. Ajo shprehet edhe kundër nënshtetësisë së dyfishtë, të cilën e ka futur qeveria e mëparshme e socialdemokratëve dhe e të Gjelbërve. Por në vitin 2017 ajo e mbron nënshtetësinë e dyfishtë kundër vendimit të partisë së saj.
-2015: Në vitin 2004 Merkeli e konsideron të dështuar shoqërinë “multikulturore”. Por në krizën e refugjatëve të vitit 2015 ajo thotë “Do t’ia dalim mbanë”. Mbajtja e kufijve hapur për refugjatët e ndan deri më sot CDU-në.
-2017: Merkeli ka qenë për një kohë të gjatë kundër martesave midis të njëjtit seks. Por pak para zgjedhjeve për Bundestagun në vitin 2017 ajo hap rrugën që në parlament të votohet, pa u ndjerë deputeti i lidhur me pozicionin e grupit të vet parlamentar. E ashtuquajtura martesë për të gjithë pranohet.
Tema të reja dhe pozicione
Merkeli si kryetare e partisë e shtyu CDU-në në mesin politik, dhe pjesërisht me këtë ajo mblodhi pikë. Për këtë shërbyen një sërë temash, të cilat tradicionalisht kanë qenë tema të socialdemokratëve ose të të Gjelbërve, dhe të cilat Merkeli pa pritur i shpalli si tema të CDU-së. Një shembull: politika ndaj familjes. Nën Merkelin u imponua subvencioni për prindërit dhe e drejta ligjore për një vend në kopsht për fëmijën tënd. Me këtë, CDU-ja arriti të marrë mbi 40 përqind të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, sot kjo është një ëndërr e largët.
Vetëm për politikën e migrimit dhe të azilimit ndodhi një ndarje e ashpër nën kristjandemokratët. Në një kohë kur shumë kërkuan një kufi të sipërm për numrin e azilkërkuesve dhe të refugjatëve të luftës civile, Merkeli ishte kundër. “Këtu ajo përcaktoi një pozicion për veten dhe e mbrojti atë përballë gjithë kundërshtive dhe kritikës shumë të fortë”, thotë Oskar Niedermeyer.
Ky qëndrim i kushtoi shumë vota zgjedhësish CDU-së në zgjedhjet e vitit 2017. Edhe heqja dorë para kohe e Merkelit nga kryesia e partisë në fund të fundit ka të bëjë me politikën polemizuese për migrimin.
“Si emërues i përbashkët mund të thuash se për CDU-në ka qenë një kohë shumë e suksesshme”, shprehet politologu Werner Patzelt, i cili është vetë anëtar i CDU-së. Por ajo “errësohet, nga rrethana se në fund Merkeli ishte shumë pak e zhdërvjellët, shumë refuzuese për të dalluar rrezikun më të madh për CDU-në: ngritjen e një partie në të djathtë të saj”, të AfD-së.
Kulturë partiake e hapur
Në procesin e zgjedhjes të pasardhësit të saj ndoshta lexohet më mirë ndryshimi i CDU-së në kohën nën Merkelin: tri kandidatë kryesorë dalin publikisht kundër njëri-tjetrit. Të tjerë dalin nga pas dhe sulmojnë shefen e deritashme. Për kristjandemokratët kjo është risi. Në një kohë kur Helmut Kohli madje e pati propozuar vetë veten si kandidat për kancelar, për zgjedhjet parlamentare të vitit 1998.
Sot CDU-ja është më e hapur dhe më e larmishme. Ajo pasqyron një shoqëri gjithnjë e më shumë heterogjene. Vërtet që te CDU-ja ka tani një mall të përhapur për të pasur sërish pozicione të qarta, konservatore. Por “koha nuk do të kthehet pas, pavarësisht se kush do të bëhet pasardhës i Merkelit”, mendon Oskar Niedermeyer. Politologu nuk e konsideron “as të mundur” fare këtë dhe me këtë kupton se “këtë nuk e do askush”. Diskutimi bëhet vetëm “nëse do të ketë një vazhdim krejtësisht si tani apo një korrigjim të moderuar të kursit”. Për kohën e patriarkut Helmut Kohl shumica e partisë duket se nuk ka mall.