Skandali, Beqaj bllokoi për 4 muaj ilaçin e leuçemisë

Krerët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë bllokuar për të paktën 4 muaj një ilaç të domosdoshëm për kurimin e leuçemisë dhe qelizave kanceroze të gjakut. “HashtagAL” disponon një MEMO qarkulluese, informacioni shqetësues i së cilës i ka kaluar disa muaj më parë krerëve më të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Fondit të Kujdesit Shëndetësor.
Bëhet fjalë për ilaçin e quajtur “Fludarabine-10 mg”, ekskluzivitetin e së cilës e ka pasur kompania “Sanofi-Aventis”, ndërsa kur kjo e fundit aplikoi në korrik 2015 për rinovimin e të drejtës së importit të ilaçit, kërkesa u refuzua nga komisioni i Ministrisë së Shëndetësisë. MEMO-ja zbulon se refuzimi nuk u shoqërua me arsyetim.
Por ndërkohë në lojë kishte hyrë dhe një kompani tjetër e quajtur “Incomed”, e cila kërkonte leje për importin e këtij ilaçi dhe kërkesa e kësaj kompanie u aprovua për 48 orë, ndërsa pak më vonë jepet dhe leja e importit.
Por siç zbulon MEMO-ja, kjo leje kishte një problem:
Ende pa patur një çmim zyrtar të barit “Fludarabine oral 10 mg”, drejtori i Agjencisë, znj. Alma Skënderaj, në shkelje flagrante me ligjin e barnave, autorizon importin e barit “Fludara oral 10 mg”, sipas autorizimit të importit nr. 16529, datë 14.07.2015, me një çmim CIF 430.2 euro/paketim. Miratimi i çmimit CIF nga Komisioni i Çmimit të Barnave është kusht thelbësor që paraprin importin e një bari të autorizuar në vendin tonë. Nëse ky çmim nuk është i miratuar, nuk mundet kurrsesi të lëshohet autorizimi i importit, element përbërës i formatit të tij”, shkruhet në MEMO. Ndërsa më tej, MEMO-ja sqaron se çmimi i aprovuar ishte dhe më i lartë: drejtori i Agjencisë tejkalon kompetencat duke lëshuar autorizim importi për një bar të autorizuar (të regjistruar) pa patur një konfirmim zyrtar të çmimit CIF të barit dhe për më tepër me një diferencë prej 40.2 euro/kuti nga çmimi i listës së rimbursimit (390 euro/kuti kundrejt 430.2 euro/kuti në autorizim) dhe një diferencë 180.2 euro/kuti (430.2 euro–250 euro i miratuar nga Komisioni i Çmimit të Barnave)”, qartëson MEMO-ja.
Por pasi jepet kjo leje, kompania “Sanofi-Aventis” i shkruan drejtoreshës së Drejtorisë Farmaceutike, znj. Shpresa Bello duke i kërkuar rishikimin e statusit të këtij ilaçi. Këtu nis një histori e re dhe një ping-pong mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Kujdesit Shëndetësor.
Drejtoresha Bello pak më vonë i kërkon kompanisë “Incomed” të tërhiqej nga loja dhe ndërkohë në lojë hyn një kompani e tretë. Drejtoria e Bellos njofton se këtë kontratë furnizimi do e lidhte me kompaninë “Rejsi Farma”, ndërsa Fondi e kishte lidhur ndërkohë kontratën me kompaninë “Incomed”.
Nëse do të përmblidhnim të gjithë fabulën në pak fjalë, rezulton se Ministria e Shëndetësisë ka bllokuar fillimisht kompaninë e autorizuar dhe më pas mes ministrisë dhe Fondit kanë lindur rivalitete për të lidhur kontrata me dy kompani të tjera.
E gjithë procedura në fjalë, përveç mpleksjes së interesave dhe aprovimit të ilaçit me çmim gati 40% më të lartë se oferta fillestare, ka shkaktuar dhe furnizimin e tregut me këtë ilaç për leuçeminë për të paktën 4 muaj.
E gjithë fabula është konsumuar në heshtje dhe të gjitha institucionet e përfshira duken tepër të interesuara për të mos bërë publik dokumentacionin që lidhet me këtë çështje.
Ministri Beqaj ka qenë i informuar gjatë gjithë kohës për vonesat, por ai nuk ka lëvizur në zgjidhjen e situatës dhe ka motivuar përplasjen e kulisës mes drejtorëve të tij, të cilët shfaqen tërësisht nën ndikimin dhe komandën e tri kompanive farmaceutike të përfshira në lojë.

Konkluzionet e MEMO-s

– MSH/FSDKSH zgjedh të përfshijë në listën e rimbursimit një bar, çmimi i të cilit është fillimisht 114 euro/kuti më i lartë (276 euro çmimi i zyrës së përfaqësisë kundrejt 390 euro/kuti të kompanisë “Incomed”) dhe më pas diferenca rritet në 140 euro/kuti (250 euro çmimi i zyrës së përfaqësisë i miratuar kundrejt 390 euro/kuti i çmimit të listës, deklaruar nga subjekti “Incomed shpk”).
– Subjekti “Incomed shpk” i përzgjedhur nga MSH/FSDKSH, nuk plotëson dot kushtet e kontratës për furnizim me këtë bar (një herë shprehet për arsye furnizimi dhe më vonë se ka qenë i detyruar nga drejtori i Drejtorisë Farmaceutike të ndërpresë kontratën).
– Drejtori i Agjencisë tejkalon kompetencat duke lëshuar autorizim importi për një bar të autorizuar (të regjistruar) pa patur një konfirmim zyrtar të çmimit CIF të barit dhe për më tepër me një diferencë prej 40.2 euro/kuti nga çmimi i listës së rimbursimit (390 euro/kuti kundrejt 430.2 euro/kuti në autorizim) dhe një diferencë 180.2 euro/kuti (430.2 euro–250 euro i miratuar nga Komisioni i Çmimit të Barnave).
– Drejtori i DF në MSH tejkalon kompetencat duke kërkuar heqjen apo përfshirjen e kompanive në kontratat e furnizimin me barna, duke mos njohur asnjë procedurë administrative.
– FSDKSH nxjerr njoftim në faqen e saj zyrtare se kompania e autorizuar për furnizimin me këtë bar është vetëm “Incomed shpk”, ndërkohë që edhe subjekti “Rejsi Farma shpk” pretendon se edhe ai është i autorizuar për barin në fjalë.
– Bari mungoi në treg për muaj të tërë, sepse këto institucione përveçse abuzojnë me çmimin, ia përcjellin situatën njëri–tjetrit, pa i dhënë zgjidhje.
– Pacienti mbetet pa mjekim, ndërkohë që bari është jetik, pasi sipas protokollit ai rekomandohet në Ca, me konsultë të Shërbimit Hematologjik të QSUT.

“HashtagAL”

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërGjykata rrëzon Beqen, e nxjerr zbuluar për për vjedhjen 31 milionë euro