“Çmenden” për Ajetin

Arlind Ajeti është kuqeziu më i kërkuar në merkato. Garës për mbrojtësin shqiptar, së fundmi i janë shtuar edhe Werder Bremen në Bundesligën gjermane dhe Torino në Serinë A italiane. Me paraqitjet në Kampionatin Europian, ku luajti si titullar në dy ndeshjet përballë Francës dhe Rumanisë e kanë vendosur 22-vjeçarin në qendër të vëmendjes.
Werderi kërkon të përforcojë repartin difensiv, me dy mbrojtësa qendre dhe njëri prej alternativave është Arlind Ajeti, që shkëlqeu në Euro 2016. Konfirmimi erdhi nga drejtori sportiv, Frank Baumann, i cili kërkon të përfitojë nga fakti se futbollisti i Kombëtares është lojtar i lirë pas përfundimit të akordit me Frosinonen dhe ka avantazhin që nuk cilësohet ekstra-komunitar, prej pasaportës zvicerane.
Për të siguruar shërbimet e Ajetit, Werderi duhet të rivalizojë me klubet italiane. Pas Pescara-s, Bolognas e Lazios, në gjurmët e mbrojtësit është edhe Torino. Lajmi u bë i ditur në faqen e parë të gazetës “Tuttosport”, sipas të cilës “granata”-t janë në pozita të mira për të afruar lojtarin e Kombëtares shqiptare, për të cilin konkurrenca është e fortë, ku nuk mungojnë as ofertat nga dy gjigantët turq, Fenerbahce dhe Besiktas.
Së fundmi për Ajetin ka shfaqur interes edhe Fenerbahce. Nënkampionia e Turqisë kërkon një qendërmbrojtës të ri, për ta rreshtuar krah danezit Simon Kjaer dhe Ajeti ka profilin e duhur për këtë rol. Sigurisht është herët për të folur për një marrëveshje përfundimtare, por është e qartë se drejtuesit e klubit turk kanë nisur kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit, që sapo mbylli aventurën me Shqipërinë në “Euro 2016”. Për Ajetin, në fakt është interesuar edhe Pescara e sapongjitur në Serinë A, por gjithçka varet nga oferta që do t’i bëjë klubi italian. Nuk duhet anashkaluar fakti se me Fenerbahcen qendërmbrojtës i Shqipërisë do të ketë mundësi të luajë edhe në Kupat e Europës.
Ndërkohë, Mario Xhufredi, menaxheri i Elseid Hysajt, përsëriti edhe njëherë, se mbrojtësi i Kombëtares shqiptare do të mbetet te Napoli pavarësisht ofertave dhe zërave të shumtë të merkatos. “100% mbetet në Napoli. Po flasim për kontratën e re, sepse ajo duhet të jetë e përshtatshme për vlerën e lojtarit. Nuk nxitohemi, punojmë me qetësi të madhe. Unë jam i bindur se rinovimi do të vijë në kohën e duhur, dhe do të jetë një rinovim që do të bëjë të lumtur si djalin, ashtu edhe Napolin”, deklaroi Xhufredi në një lidhje telefonike me “TMW Radio”. Gjatë kësaj vere, por edhe më parë, është përfolur për shumë oferta ndaj Hysajt, teksa e fundit ka qenë ajo e Arsenalit, që është e gatshme të ofrojë 22 milionë euro, ndërkohë që më parë është shkruar për Barcelonën, Atletikon e Madridit, apo edhe Bajer Leverkuzen.

Artikulli paraprakMesi: Ta fitojmë me çdo kusht Kupën e Amerikës
Artikulli tjetërDuel me kampionët e Europës?