Perandoria informatike amerikane në sprovën kineze

Interneti është ana virtuale e primatit amerikan në botë. Pavarësisht qasjes universaliste, Silicon Valley është e ndërthurur me shtetit federal dhe i siguron inteligjencës amerikane një sasi të jashtëzakonshme të dhënash. Kush guxon që t’i hapet Pekinit është i mbaruar.

Interneti është një fenomen thellësisht amerikan, që i nënshtrohet interesit gjeopolitik të superfuqisë, përkues me dominimin planetar të saj. Në versionin aktual është zhvilluar nga privatët, por ka lindur në mitrën ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe është akoma sot funksional me nevojat strategjike të vendit. Silicon Valley furnizon CIA-n dhe NSA-në me të dhëna të pambarimta për të spiunuar aleatë dhe antagonistë, por nuk e ka krijuar teknologjinë të cilën disponon, nuk mund të ekzistojë pa investimet e uashingtonit, nuk mund t’u shpëtojë imponimeve të administratës federale. Mbi të gjitha, Interneti është i ndërthurur me globalizimin, domethënë me perandorinë amerikanë, i është ana virtuale, dimensioni paralel. Ashtu si dimensioni strategjik, Rrjeti global është pasojë e drejtpërdrejtë e rënies sovjetike; disponon matricë talasokratike nëpërmjet kabllove të vendosura në dyshemetë e oqeaneve; i mundëson Amerikës që të ketë në dorë intimitetin e miliarda personave; i pengon vendeve të tjera që të jenë realisht sovranë – përfshi Rusinë dhe (pjesërisht) Kinën. E ardhmja e tij do të shënohet pashmangshmërisht nga qasja e supremacisë amerikane, fate të pamundur për t’u zgjidhur. Ashtu siç ndodh me rrugët detare, Rrjeti do të mbesë universal derikur Uashingtoni do të ketë forcën që t’u imponohet angatonistëve të tij. Sidomos Republikës Popullore, e impenjuar që ta ballkanizojë zgjatimin, nëpërmjet menaxhimit ekskluziv të serverëve të ndodhur në atdhe dhe kufizimit të aksesit për shoqëritë e huaja. Nëpërmjet tentativës, sa materiale, aq edhe kibernetike, për ta përdorur inteligjencën artificiale në lidhjen pas vetes të satelitëve potencialë, zhvillim tjetër i rrugëve të reja të mendafshit. Ofensivë të cilës Amerika i përgjigjet me agresionin tregëtar, të treguar si proteksionizëm, si tentativë (e pamundur) për t’i dhënë fund pax-it të saj, në realitet i përqëndruar mbi kapacitetet teknologjike të rivalit. Ndërsa aparatet e tij, në posedim likuiditeti të jashtëzakonshëm dhe të ushqyer nga etja për t’u (ri)futur në tregun kinez, janë impenjuar në shmangien që gjigandët e Silicon Valley ta mendojnë veten si përtej nevojave gjeopolitike të vendit, duke kontribuar padashje në copëzimin e Internetit. Me Trump si kalorës jo i dyshimtë i shoqërisë globale, i vendosur që t’ia mbështesë ekzistencën. Me qëllimin final e ruajtjes së paprekur të thellësisë informatike.
Interneti përbën zgjatimin artificial e primatit amerikan. Nëpërmjet virtuales, superfuqia menaxhon tregun e vetëm botëror, ruan të lidhura pas vetes vendet e tjera, duke u kontrolluar gjendje shpirtërore dhe qëllime. Në mungesë të saj, ruajtja e sistemit do të bëhej e vështirë, sigurisht më e kushtueshme. Rrjeti është universal nga fundi i Luftës së Ftohtë, kur administrata federale vendosi që të përhapë jashtë vendit një shpikje të realizuar qysh më 1969 në gjirin e Pentagonit. Duke i dhënë dimension detar. Ashtu si kontrolli i rrugëve oqeanike është nënshtresë e globalizimit – mbi to udhëton mbi 90% e mallrave botërore – një sasi e madhe kabllosh nënujore përbën skeletin e domosdoshëm e Internetit global. Mbi 1 milion kilometra kabllosh fibre optike, mbi të cilat kalon 99% e të dhënave të shkëmbyera në Rrjet, të depozituara në dyshemetë oqeani gjatë dekadave. Me Shtetet e Bashkuara si qendër gjeografike dhe strategjike e sistemit. Domethënie fizike e një realiteti që do të ishte pashpjegueshmërisht jomaterial – deri i pagëzuar cloud (re) në rast magazinimi të kujtesës – pasi i emetuar nëpërmjet mikroprocesorësh. Siç ndodh me ruajtjen e kalimit të lirë nëpër istme dhe nëpër ngushticat e planetit, megjithëse qindra tuba nuk i përkasin, superfuqia ndjehet depozitare e sigurisë së tyre, pse jo edhe e të drejtës për t’u spiunuar përmbajtjen. Në pikën sa t’i kalojnë ciklikisht në sitë me Marinën e tyre dhe të deklarohet shumë herë e preokupuar për mundësinë (e largët) që Rusia, Kina dhe sfidantë të tjerë materialisht mund t’i këpusin, duke e lënë botën në errësirën virtuale. Veçanërisht tani që shumëkombëshet amerikane vendosin kabllo me ritmin e 100000 kilometrave në vit – brenda 2019 vetëm Google do të ndërtojë 3 linja themelore që do të lidhin Los Angeles me Kilin (vija Curie), Danimarkën me Irlandën (Havfrue) dhe Guam me Hong Kongun (Hkg).

Shumë përpara Internetit, Uashingtoni e përdor detin për të përgjuar komunikimet e armiqve. Në vitet ’70, marinsat realizuan Operacionin “Ivy Bells” për të spiunuar fijet që nga Ishujt Kurile të çonin në Bashkimin Sovjetik, përpara se Ronald Pelton, analisti i NSA-së, t’ia tregonte gjithçka armikut për 35000 dollarë. Akoma në 2005, në kulm të erës dixhitale, u miratua nëndetësja “Jimmy Carter” në gjendje që të vjedhë informacionet nga fundet e oqeaneve. Ndërsa teknikët e inteligjencës ndërhynin në breg, përpara se tubat të hidheshin në ujë. Dalja e mediave sociale e ka revolucionarizuar systemin e spiunazhit, duke integruar teknikat nënujore (doënstream) me ato tokësore (upstream), duke e transformuar përfundimisht Rrjetin në domen amerikan. Në planin e softuerit, Uashingtoni ka nisur t’i financojë zhvilluesit e algoritmeve duke filluar nga vitet ’90, kur është bindur se donte ta shfrytëzonte Internetin në funksion të jashtëm. Janë shfaqur kolosët aktualë high tech, në gjendje që t’u japin qenieve njerëzore mundësinë e komunikimit nëpërmjet mesazhistikës së menjëhershme. Kështu, sot miliarda qytetarë – nëpërmjet postimeve, emailave, blogjeve – ua besojnë mendimet e tyre më intime kompanive të kalifornianes Silicon Valley, plus Microsoft dhe Amazon që e kanë selinë në Seattle. Në fakt, është 80% e popullsisë së lidhur në planet, që u ofron amerikanëve sasinë më të madhe të informacionit në histori. «Mjafton të mendohet se nga shfaqja e qytetërimit deri në 2003 janë krijuar të dhëna për 5 ekzabajt dhe se tani e prodhojmë të njëjtën sasi në afërsisht 2 ditë», ka shpjeguar ish Administratori i Deleguar i Google (Alphabet), Eric Schmidt. Fuqia e motorëve të kërkimit dhe e mediave sociale amerikane është tek të dhënat. Sëbashku, Google, Yahoo! dhe Bing kontrollojnë 98% të kërkimeve të realizuara në nivel botëror (vetëm Google i është destinatare për 92%). Facebook, Twitter, YouTube, Pinterest, Instagram absorbojnë 96% të të regjistruarve ne rrjetet sociale (vetëm Facebook vlen për 66% të totalit, me një korrespondues prej 2.2 miliard përdoruesish). Influenca e tyre në vendet satelite të Shteteve të Bashkuara rezulton deri mbresëlënëse. Google menaxhon 90% të kërkimeve të realizuara në Itali, 86% në Francë, 82% në Britaninë e Madhe, 70% në Japoni. Deri 94% në Indi. Facebook numëron 131 përdorues aktivë në Indonezi, 129 milion në Brazil, 60 milion në Vietnam, 40 milion në Mbretërinë e Bashkuara. Deri në 295 milion në Indi.
Ata që japin spontanisht informacione uebsajteve amerikane janë edhe qytetarët e qeverive rivale, prej kohësh të impenjuar që ta bllokojnë aksesin në territorin e tyre dhe të zhvillojnë homologë të origjinalëve, megjithatë të detyruar që ta ranojnë ndërhyrjen e kompanive të huaja. Google është destinatari i 87% të kërkimeve të kryera në Hong Kong, i 40% të atyre të kryera në Rusi, i 6% brenda territorit kinez. Kështu, Facebook përmbledh 75% të banorëve të Hong Kong, 51% të përdoruesve turq, 21% të atyre rusë (porhuajse i njëjti numër i homologut lokal VKontakte). Pa llogaritur aksesin klandestin në rrjetet sociale amerikane që kryejnë qytetarët e vendeve ku këto janë formalisht të ndaluara.

Ashtu si në Iran, ku Twitter rezulton tejet i përhapur nëpërmjet sistemeve të përhapura të mistifikimit. Siç parashikohet nga ligji amerikan, Silicon Valley i garanton inteligjencës kombëtare aksesin e lirë tek të dhënat. Serverët ndodhen ekskluzivisht në truallin amerikan, subjekte kërkesash ndërkombëtare çdo herë që shtete të huaja do të donin të kishin akses, të nënshtruar vullnetit të institucioneve federale. Siç u zbulua në 2013 nga ish kontraktori i NSA-së Edward Snowden, bëhet fjalë për një sistem (PRISM e më gjerë) në funksionim nga 2007, ku të paktën fillimisht kanë aderuar Microsoft, Apple, Google, YouTube, Yahoo!, Facebook, Skype, AOL dhe Paltalk. I konfirmuar në kohë, pavarësisht ligjeve të vagullta të miratuara në këtë fushë nga Kongresi për të qetësuar paqartësinë e opinionit publik – përfshi USA Freedom Act e 2015, që akoma sot u njeh autoriteteve federale diskrecionin absolut në përcaktimin se kush të spiunohet dhe përse. Nëpërmjet të dhënave, analistët amerikanë janë të bindur se mund t’i njohin shtetasit e huaj më mirë se qeveritarët e tyre, kështu që t’ua kapin përpara kohe tendencat politike, reagimet ndaj impulsive specifike. Të sigurt se mund të shkaktojnë revolta nëpër rrugë, çdo herë që përdoruesit do të tregoheshin të gatshëm ndaj ndryshimit. Të kontrollojnë nga larg sa ndodh në planet. Ka mundësi një iluzion, të paktën derikur të dhënat nuk do të transferohen nëpërmjet kategorive të gjeopolitikës njerëzore. E megjithatë një minierë potencialisht vendimtare, nga e cila superfuqia nuk ka ndërmend të heqë dorë. Simbol i vetë supremacisë së Uashingtonit ndaj kompanive private, të detyruara që t’i konformohen strategjisë kombëtare, t’ia mbivendosin interesat e vendit fitimeve të tyre. për arësye historike e antropologjike, të ndërthurura në të ndjerin si amerikan.
Midis paragjykimeve të këndshme të kohës tonë është ai që përcakton autonominë e shumëkombësheve ndaj qeverive. Sajim i përpunuar Përtejoqeanit me përdorim ekskluziv të jashtëm, e mirëpritur në mënyrë fideistike në shoqëri pashisotrike të informuara nga primate ekonomistik, jashtëzakonisht i panjohur në kontekstin amerikan. Sidomos në sektorin informatik, i varur nga shteti për teknologjinë e vet, thellësisht i ndërthurur në shoqërinë anglosaksone, gjithmonë ndihmës i aksionit të vendit. Parasëgjithash, ajo që përcakton brishtësinë e Silicon Valley është vetëdija e mosshpikjes së teknologjisë të cilën përdor. Çdo produkt dhe shërbim i ofruar në fushën e high tech e pasur origjinën në Pentagon, jo në Kaliforni. Interneti u shpik nga Arpanet, rrjeti i pararendëses së DARPA-s aktuale, zyrës shumë të fuqishme për rinovimin e Mbrojtjes. Objektivi ishte që të disponohej një sistem komunikimi i brendshëm. Mikroprocesori, zemra e çdo kompjuteti dhe e çdo smartfoni, u krijua me iniciativën e shtetit federal që kishte nevojë për një dispozitiv të lehtë në telekomandimin e raketave, avionëve dhe sistemeve të tjera. Fillimisht u provua tek gjuajtësit F-14, më pas në nëndetëset bërthamore dhe më pas në raketat balistike ndërkontinentale. Kështu, telefoni celular që realizim i përbashkët i General Dynamics (në të kaluarën GTE) dhe i ushtrisë amerikane, në kërkim të një telefoni portabël për ta përdorur nëpër beteja. U përdor për herë të parë nga Gjenerali Norman Schwarzkopf gjatë fushatës për çlirimin e Kuvajtit. Deri edhe Siri, sistemi i njohjes vokale i instaluar në çdo iPhone, është ideuar nga qendra kërkimore SRI, një projekt i financuar po nga ushtria amerikane.

Nga ana tjetër, për arësye llogaritjeje të rrezikut, kompanitë private nuk mund të shpenzojnë në novatorizëm sa shteti federal. Nëpërmjet zyrave dhe kompanive venture capital specifike, në vite Pentagoni, CIA dhe NSA-ja kanë financuar, drejtpërsëdrejti ose jo, lindjen e Microsoft, Facebook, Google, Paypal, Yahoo!, Amazon, Twitter, YouTube. Akoma sot Pentagoni shpenzon në zhvillim dhe kërkim rreth 72 miliard dollarë, më shumë se dyfishi i shifrës së akumuluar nga Apple, Intel dhe Google. Në vend që të jenë në krye të një revolucioni teknologjik, gjigandët e Silicon Valley janë kufizuar në përshtatjen për përdorim civil të instrumentave të cilave nuk ua disponojnë patentën. Me nënshtrimin ndaj shtetit federal që sjell një gjë e tillë dhe terrorit fiziologjik se mos nxirren prej tregut nga kush do ta realizojë konkretisht shpikjen e radhës. Siç pranohet nga Peter Thiel, bashkëthemelues i Paypal dhe i Palantir, ndër vëzhguesve më të ndritshëm të sektorit, «rruga e shpikjeve nuk është e pambarimtë. Nganjëherë vlen të merren shtigje alternative».
Për nga prejardhja etnike dhe gjinia e klasës drejtuese të tyre, kompanitë e mëdha informatike mbesin thellësisht amerikane. Pavarësisht se shiten si pasuri e njerëzimit, pavarësisht se kanë selinë në Kaliforni. I gjithë menaxhmenti i Facebook është me prigjinë të qartë gjermane, domethënë i përket grupit të parë etnik të vendit. Bëhet fjalë për themeluesin dhe Administratorin e Deleguar Mark Zuckerberg; Drejtoren Operative Sheryl Sandberg; Drejtorin Financiar David Wehner; Drejtorin Teknik Mike Schroepfer. Po kështu janë me prejardhje teutone të gjithë ideuesit e Tesla: Elon Musk, Martin Eberhard, Marc Tarpenning, J. B. Straubel. E njëjta gjë vlen për Administratorin e Deleguar Jeff Bezos (mbiemrin e vërtetë Jorgensen); Drejtorin Teknik të tij Werner Vogels; për Administratorin e Deleguar të Paypal, Dan Schulman; për Përgjegjësin Teknik të Space X, Tom Mueller; për Administratorin e Deleguar të Palantir, Alex Karp; për vetë Peter Thiel, i lindur në Frankfurt mbi Main. Akoma, qenë me prejardhje gjermanike themeluesi historik i Apple, Steve Jobs (në gjendjen civile Jandali Schieble) dhe ish Administratori i Deleguar i Google, Eric Schmidt. Sipas raporteve zyrtare të shpërndara vitin e kaluar nga Apple dhe Google, respektivisht 57% dhe 56% e vendeve të tyre të punës zihen nga të bardhët, kundrejt 21% dhe 29% të zënë nga aziatikët, 13% dhe 4% të zënë nga hispanikët dhe 9% e 2% të zënë nga afroamerikanët. Me një të dhënë që në sektorin high-tech shënon 65% e të punësuarve anglosaksonë, deri më e larta se mesatarja kombëtare (61%). Në një vend kulturalisht homogjen si Shtetet e Bashkuara, një përkatësi kaq e madhe e grupit dominues përkthehet në aderin spontan ndaj mendimit kolektiv.

Për më tepër, gjigandët e Rrjetit janë të vetëdijshëm se janë subjekt i kapriçove të Uashingtonit. Kurdo që të dëshironte, Konresi mund të miratojë norma të rrepta antitrust, ose mbi privatësinë, që faktikisht do t’i pengonin kompanitë e Silicon Valley (dhe të Seattle) që të mbijetonin. E vërtetë, senatorë dhe deputetë nuk e kuptojnë sesi funksionon teknikisht Interneti, por i kanë mjetet për ta shpërbërë në qendra të shumta pushteti, t’ia zerojnë basenet kryesore të pushtetit. Siç ka ndodhur në të kaluarën nëpërmjet Sherman Antitrust Act (1890), i përdorur nga administratat e Teddy Roosevelt dhe Taft sidomos kundër Standard Oil Company dhe American Tobacco Company.
Për këtë arësye, nga lindja e tij ana informatike ruan raporte të qëndrueshme me Shtëpinë e Bardhë dhe me Kongresin. Qysh kur në vitin 1993 John Scully, CEO-ja i atëhershëm i Apple, u takua me Presidentin Bill Clinton dhe zëvendësin e tij Al Gore. Duke inauguruar kështu një zakon që ka kaluar administrata të shumta. Deri në mbledhjen e tendosur e dhjetorit 2016 midis Barack Obama, Eric Schmidt dhe Alex Karp. Akoma edhe më e rendësishme, në tentativën për të blerë mirësinë e deputetëve dhe senatorëve, në vite Silicon Valley është bërë sektori që derdh më shumë në lobime pranë Kongresit. Më 2017 Google, Facebook, Microsoft, Apple dhe Amazon kanë shpenzuar 56.8 milion dollarë, më shumë se dyfishin e asaj të derdhur nga Wall Street, historikisht në krye të një klafikimi të tillë. Më 2018 vetëm Google (Alphabet) ka derdhur 18.3 milion, ndjekur nga Amazon me 10.6 milion dhe nga Facebook me 9.7 milion. Të dhëna që dëshmojnë mbizotërimin e pastër e institucioneve ndaj pjesës tjetër. Pavarësisht retorikës indipendentiste të shumëkombësheve, e stimuluar nga vetë administrata federale që të mund të veprojë në mënyrë të matur në kontekste të huaja dhe të shmangë që që t’u përgjigjet drejtpërsëdrejti nga sa ndodh në teatra të ndjeshëm.
Ndërsa prej disa vitesh Pentagoni dhe CIA kanë hapur në luginën kaliforniane filialet e tyre – respektivisht DIUx në Mountain View dhe In-Q-Tel në Palo Alto – me objektivin që të shfrytëzojnë dhe të stimulojnë përmirësime eventuale të teknologjisë të realizuar në vend. Pse jo edhe të pengojnë kompani dhe start-up të ndjekin interesat ekonomike të kundërta me ato të vendit. Për këtë qëllim Pentagoni disponon deri një ambassador të tijin, formalisht President i Defense Innovation Unit, i ngarkuar t’ia imponojë kontekstit vizionin e tij. Bëhet fjalë për Michael Brown (me mbiemrin e vërtetë Braun), bartës i një vizioni thellësisht antikinez, që synon të ruajë hendekun industrial thellësisht në dëm të Pekinit dhe që të përdorë për këtë qëllim Japoninë e Gjermaninë, aleatët më shumë të aftë në planin teknik. Jo rastësisht, Broën ka qenë bashkëautor i Raportit Diux që informon ofensivën aktuale të administratës Trump kundër zhvillimit teknologjik të Republikës Popullore. Indicie të përplasjes së afërt me antagonistin aziatik. Në pritje të së cilës, Silicon Valley duhet mbajtur domosodshmërisht në hapësirën e manovrës të dhënë.

Në dimensionin tokësor, ashtu si edhe në atë virtual, Shtetet e Bashkuara mbesin në pozicion dominues. Megjithëse planeti na duket në pragun e kaosit dhe rendi ndërkombëtar i rënë, sfiduesit e superfuqisë janë ende të shtrënguar që të bëjnë beteja prapavije, për të mos sulmuar tamam. Rusia disponon rrjetet e saj sociale me të cilat (pjesërisht) të shpëtojë nga infiltrimi i huaj, por trollët e saj janë të detyruar që të ndërhyjnë në platformat e Përtejoqeanit për të realizuar dezinformacija-n. Përndryshe puna e tyre do të ishte thjesht joinfluente. Kështu Kina, që megjithatë mbetet vendi më shumë i imunizuar ndaj ndërhyrjes së të tjerëve, pasi ka stimuluar në vite lindjen e homologëve të kompanive amerikane, nuk arrin që t’i eksportojë rrjetet sociale dhe motorët e kërkimit të saj jashtë vendit – Baidu kontrollon thuajse 1.37% të kërkimeve botërore, WeChat arrin 26% të mesazhistikës, por me një prani të konsiderueshme vetëm në vendin e origjinës, në Tajvan dhe në Malajzi. Më shumë është detyruar ta përdorur Internetin për të spiunuar qytetarët e vet, në vend të atyre të huajë. Situatë e disfavorshme që në këtë fazë Perandoria e Mesit provon të përmbysë, kurse Rusia nuk e ka as ambicien. Jo vetëm duke lançuar projektin spektakolar e Rrugëve të Reja të Mëndafshit, tentativë për t’ju shmangur stërfuqisë detare të Shteteve të Bashkuara. Duke provuar që të reduktojnë frymën ekzistuese edhe në domenin informatik, ku është më e thjeshtë të ndërhyhet sesa në dimensionin ushtarak, pasi më pak i kushtueshëm në termat e kostos dhe të dijeve. Sidomos nëpërmjet investimesh të mëdha në zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe me imponimin e rregullave të veta, në fushën e censurës dhe të dhënies së të dhënave, kompanive të huaja që duan të penetrojnë tregun e pamatë. Objektivi final është shkatërrimi i hegjemonisë universale të Uashingtonit, duke siguruar një sferë të veten të influencës, virtuale dhe reale. Duke lidhur pas vetes ato vende që duan të përqafojnë intleigjencën artificiale e markës së saj, duke i shtrënguar që ta mirëpresin ekskluzivisht, duke refuzuar atë amerikane. Apo duke i vendosur përpara dilemës që të duhet të dyfishojnë platformat, me dëmin e madh në termat e kostos që do të sillte një gjë e tillë. I vetëdijshëm për manovrën në zhvillim, Uashingtoni synon që ta pengojë Pekinin të pajiset me teknologjinë e nevojshme për të realizuar shumë në këtë aspekt, të zerojë hendekun që ekziston midis dy vendeve, për ta shpërbërë Rrjetin. Duke shmangur çfarëdo transferim kompetence, pse jo edhe blerjen nga ana kineze të kompanive amerikane e pajisura me ekspertizë specifike. Në bindjen se, pa pasur know-how nga jashtë, Republika Popullore nuk mund ta sfidojë primatësinë e Shteteve të Bashkuara. Sepse e privuar nga instrumentat e nevojshëm për të tërhequr vendet e tjera, sidomos nëse do t’u kërkonte këtyre që të prisheshin me Uashingtonin.

Nga një qasje e tillë kanë dalë tarifat e vendosura nga administrata Trump Republikës Popullore, të konceptuara për të goditur kompanitë kineze që prodhojnë makineri dhe instrumenta të lidhura me zhvillimin teknik. Për të njëjtën arësye, në NAFTA-n e Re janë future klauzola që u ndalojnë pjesëmarrësve të nënshkruajnë një marrëveshje me Pekinin. Me kushtin e zgjidhjes së traktatit nga ana amerikane. Kështu, në këtë fazë Uashingtoni ndërhyn masivisht mbi rolin që mund të luajë Silicon Valley. Në frikën se, të joshur nga mundësia për fitime të ofruara nga tregu kinez, manjatët kibernetikë mund të devijojnë nga veprimi amerikan. Duke krijuar iluzionin se mund të pajtojnë fitimin me interesin kombëtar. Deri sa të marrin pjesë, pa dashje, në projektin shkëputës kinez. Nga këtu antipatia e hapur e Trump ndaj luginës kaliforniane, shumë herë e përmendur qysh gjatë fushatës presidenciale. «Bëhet fjalë për kompani që nuk kanë prodhuar kurrë të ardhura reale, e megjithatë vlerësohen miliarda. Rrezikojnë seriozisht të shpërthejnë», kishte paralajmëruar në majin e 2016. Armiqësi e motivuar jo vetëm nga prirja majtiste e kontekstit paqësor dhe nga analfabetizmi i njohur informatik i manjatit njujorkez. Eksplicit është objektivi për t’ua veshur bashkëbsieduesve të tij nevojën për të aderuar në aksionin e qeverisë. Sidomos në vijim të parashikimeve apokaliptike dhe qëndrimeve të konsideruara pak simpatizuese kundrejt Kinës nga ana e liderëve të high tech. Pasi Eric Schmidt ka paralajmëruar për 2028 një rrjet të ndarë më dysh, midis një ane me drejtim amerikan dhe një tjetre me drejtim kinez. Dhe pasi Mark Zuckerberg e ka lënë veten të fotografohet me vëllimin e parë të “Qeveria e Kinës”, tekst monumental që përmbledh diskutimet e Presidentit Xi Jinping.
Pikërisht Zuckerberg prillin e ka përjetuar furinë potenciale të Uashingtonit. Kur është detyruar që të kërkojë dramatikisht falje në Senatin amerikan pse i ka shitur të dhëna kompanisë britanike Cambridge Analytica, që nga ana e saj do t’ua xhironte blerësve rusë, me sa dukej të impenjuar që të influenconin procesin politik e Përtejoqeanit. «Marrëveshjet që u propozoni përdoruesve ta shpifin (…) duhet t’u kushtoni vëmendje më të madhe», i ka ulëritur kundra John Neely Kennedy, Senatori i Louisiana. E përkthyer: Silicon Valley nuk mund të bëjë inteligjencë me armikun. I çfarëdo shtetësie qoftë ai. Në sindromë të plotë kineze, vëmendja e administratës federale ndaj anës informatike është rritur ndjeshëm. E ushtruar nëpërmjet një përzierje miklimesh dhe kërcënimesh. Kështu që fyerjet i ka pasuar reforma fiskale e miratuar nga Kongresi, nga e cila përfitojnë shumë pikërisht kompanitë kibernetike (vetëm Apple ka siguruar 14 miliard dollarë nga favorizimet fiskale). Kështu, kontratat fitimprurëse e lidhura nga Palantir dhe Amazon, kompani të zgjedhura pse të konsideruara ortodokse në terma gjeopolitikë. Ai që e ka bindur Uashingtonin ka qenë pikërisht qasja antikineze e Peter Thiel, i sigurtë që «Republika Popullore nuk do t’i arrijë kurrë Shtetet e Bashkuar». Dhe zhgënjimi i pësuar nga Amazon, të cilit i është ndaluar hyrja në territorin kinez nga qeveria komuniste, që parapëlqen të favorizojë autoktonen Alibaba.

E specializuar në analizën e të dhënave, gjatë muajve të fundit Palantir ka fituar një tender prej 876 milion dollarësh për të rindërtuar sistemin e inteligjencës informatike të forcave të armatosura. Ndërsa Amazon, pasi ka nënshkruar një kontratë të ngjashme CIA-n, tani është e favorizuar për të realizuar cloud-in e brendshëm në Pentagon, për një total prej 10 miliard dollarësh. Dyshimet e mëdha të administratës federale përqëondrohen mbi Google (Alphabet) dhe Facebook. Jo rastësisht, në vitin 2017 Schmidt ka lënë drejtimin e shumëkombëshes nga Mountain Vieë, pasi bartës i një vizioni të botës në kontrast me shpirtin e kohërave. Ajo që ka ushqyer rrëmimin në dëm të tyre vullneti për t’u futur në territorin kinez. I sinjalizuar për Google nga pjesëmarrja në projektin e motorit kërkimor Dragonfly, me të cilin Pekini eksperimenton instrumenta të rinj censure. Dhe për Facebook nga testimet e kryera në vend për krijimin e një aplikacioni shkëmbimi fotosh. Të kapur me presh në duar, tani aparatet i njoftojnë të dy kolosët se cilët janë termat që të sigurojnë dritën jeshile për kthimin në Kinë. Domethënë t’i dorëzojnë Uashingtonit informacione vendimtare lidhur me popullsinë kineze, mbi atë që ndodh në barkun e rivalit. Pa pranuar tërësisht censurën e vendosur nga Pekini, pa ju mundësuar të tjerëve përdorimin e serverëve të tyre, pa marrë pjesë në krijimin përfundimtar të një internet të markës së kuqe. Akrobaci me arritje komplekse, lidhur me të cilën Deep State nuk fal. E destinuar në vitet e ardhshme të informojë taktikën amerikane. Me objektivin e mbajtjes nën fre të Republikës Popullore, për të penguar që në perandorinë informatike të krijohen feude të pavarura.
Historikisht, çdo hegjemon disponon një avantazh të konsiderueshëm teknologjik. Romakët qenë superiorë në arkitekturë e në art ushtarak; arabët në bujqësi e në matematikë; anglezët në lundrim e në industri. Teknologjia nuk është asnjëherë themel hegjemonie, nuk mund t’i shtohet mungesës së kapaciteteve të përhapura antropologjike. Megjithatë është e domosdoshme për të rritur largësinë nga kundërshtarët, për të konfirmuar një kalim specifik kohor. Prej dekadash Shtetet e Bashkuara disponojnë superioritet informatik, fillimisht në gjendje që ta çojë Bashkimin Sovjetik drejt rënies, më pas të përkthehet në dimensionin virtual të primatësisë, domethënë në kontributin më të madh teknik të dhënë në histori. E paumndësuar që të konkurrojë në terrenin ushtarak, Kina provon ta sfidojë superfuqinë në aspektin teknologjik, atje ku qeveria qendrore mund ta fiksojë njëanshmërisht objektivin dhe likuiditetin e konsiderueshëm për ta arritur. Me shpresën që të realizojë kthesën, të përmbysë gjendjen e vet të izolimit, të shkatërrojë universalitetin e të tjerëve. Duke përfunduar me shkaktimin e reagimit të Uashingtonit, përfshi atë të Shtëpisë së Bardhë. Kështu, i zënë me kaq shumë sulm, Trump ka braktisur shpalosjen e izolacionizmit për të adoptuar një qasje dukshëm dinamike, për t’u përplasur me këdo që dëshiron të zvogëlojë madhështinë gjeografike të autoritetit amerikan. Deri sa të përdorë proteksionizmin për ta goditur Republikën Popullore, deri sa të shtyhet në firmosjen e marrëveshje multilaterale të shkëmbimit të lirë, në funksion të asaj që ka premtuar në fushatë elektorale. Ndërsa aparatet i imponojnë Silicon Valley lëvizjet që duhet të bëjë, për të shmangur kështu shpërthime të pakontrollueshme përpara që dëmtojnë pozicionin dominues të vendit. Deri kur internet global të vazhdojë ta dyfishojë thellësinë e pax americana, deri kur të mbesë i tërë në çdo rënie të tij. Nga rrugët detare tek satelitët, nga kabllot nënujore tek cloud memory, nga çipat tek organet jetike të qenieve njerëzore. Fytyrë transhendente e perandorisë amerikane.
(nga Limes)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakStudentët nesër sërish në protestë, publikohet axhenda
Artikulli tjetërNjë bashkëbisedim me Sylvia Iparraguirre