Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn i kërkoi dje Ramës zbatimin e menjëhershëm të ligjit për dekriminalizimin. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Ramën, komisioneri Hahn e cilësoi procesin e dekriminalizimit si një element thelbësor në lidhje me konsolidimin e legjitimitetit dhe integritetit të të gjitha institucioneve.
“Më lejoni t’ju them që përtej këtyre objektivave të 5 prioriteteve kyçe, ka edhe sfida të tjera, reforma të tjera, të cilat duhen trajtuar dhe dëshiroj që të përmend dy procese ne veçanti; nga njëra anë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe ana tjetër reformën zgjedhore. Për sa i përket dekriminalizmit, duhet të jemi shumë të qartë, legjislacioni do të zbatohet shpejt dhe në të gjitha nivelet e nevojshme dhe në rast se bëhet në mënyrën e duhur, ky proces mund të fuqizojë, të përforcojë besimin e qytetarëve tek shteti. Dekriminalizimi është kyç për sa i përket konsolidimit të legjitimitetit, integritetit, efikasitetit të të gjithë institucioneve publike” u shpreh komisioneri Hahn gjatë konferencës për shtyp me Ramën.
Hahn i kërkoi qeverisë shqiptare forcimin e masave në luftën antikorrupsion, realizimin me urgjencë të Reformës në Drejtësi dhe të kritereve të tjera kyçe të vendosura si kushte nga Bashkimi Europian. “Të vazhdohet përpara me rekomandimet që kemi dhënë që të arrihet gjithçka kemi kërkuar. Institucionet evropiane po bashkëpunojnë ngushtë me ato shqiptare sidomos në disa fusha kyçe. Ne jemi mjaft të interesuar edhe për Komisionin e Venecias, të vazhdojë puna, të ecë përpara. E rëndësishme të luftohet korrupsioni, të arrihet transparenca. Duhet një sistem gjyqësor transparent. E rëndësishme edhe ekonomia. Të përmirësohen investimet. Zbatimi i këtyre reformave është mjaft i rëndësishëm. Theksohet zbatimi i 5 prioriteteve që janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Shoh një vendosmëri nga ana e Shqipërisë për të ecur para. Çelja e negociatave, pjesë e procesit, por e rëndësishme se çfarë do të bëhet pas hapjes së negociatave”, deklaroi Hahn, i cili kërkoi bashkëpunim për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Komisioneri Hahn në fund të fjalës së tij deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE mund të zgjasë, por në fund sipas tij të gjithë do të jenë të kënaqur.
“Në fund të këtij procesi që mund të zgjasë, në fund fitoni më shumë ndryshe nga disa vende të unionit që edhe sot përballen me raporte… me kontrolle, ne kemi mësuar leksionin tonë, duam t’ju përgatisim që të gjithë të jenë të lumtur. Mund të jetë më sfiduese, më e gjatë, por në fund do të jetë në interesin tuaj, të qytetarëve shqiptarë”. Në lidhje me çështjen e pronave, Hahn tha se: “Nuk jam shumë familjar me çështjen e pronës, por mund të them se është një situatë e njëjtë në shumë vende evropiane. Duhet gjetur një zgjidhje e drejtë që adreson të drejtat e së kaluarës, por edhe situatës aktuale. Ju rekomandoj që të gjeni zgjidhje, kam kuptuar që kjo çështje është në gjykatë dhe ajo duhet ta trajtojë në kohën e duhur pa humbur afatet”.
Për sa i përket Kodit Zgjedhor, Hahn rekomandoi që Shqipëria të ndjekë rekomandimet e ODIHR.
“Ata kanë shumë eksperiencë për vëzhgimin e zgjedhjeve, përdorini ato”. “Ka qenë e rëndësishme që ne pamë se cilat ishin çështjet më urgjente, pra 5 prioritetet kyçe dhe më lejoni të them që elementi kyç i kësaj pjese është Reforma e Drejtësisë. Këtu shumë shpejt na duhen vendime dhe në fakt është e vërtetë që kjo reformë po të krahasohet me atë se çfarë ndodh me vendet e tjera fqinje është e një shkalle të paprecedent dhe me një ndikim afatgjatë dhe shpresojmë të ketë një ndikim pozitiv afatgjatë në situatën e vendit dhe në mënyrë që të ketë një udhërrëfim përsa i përket edhe çeljes së negociatave. Është shumë e rëndësishme të ketë një vendim përpara se të fillojë zbatimi i kësaj Reforme në Drejtësi, në mënyrë që ne të bëjmë të mundur vlerësimin e parë dhe që të shihen edhe zbatimi nëse po ecet në drejtimin e duhur. Pra, na duhen tani shumë shpejt vendime për të vazhduar punën me udhërrëfyesin që kemi në mendje, por kjo gjë është vendimtare. Një gjyqësor funksional është tejet i rëndësishëm. Ky është prioriteti i parë. Prioritetet e tjera kyçe janë reforma në administratën publike. Ligji i dekriminalizimit dhe reforma zgjedhore. Legjislacioni të zbatohet shpejt dhe në të gjitha nivelet e nevojshme. Nëse bëhet në nivelin e duhur forcon besimin tek shqiptarët. Është kyç për legjitimitetin e integritetin e institucioneve publike. Për reformën zgjedhore mirëpritëm punën teknike”, tha Hahn.