Një i ri është masakruar në ambientet e Komisariatit të Korçës me pretendimin se ai kishte kundërshtuar punonjësit e policisë. Bëhet e ditur se 31-vjeçari Jurxhin Kulla është rrahur barbarisht nga shefi i Antidrogës, Buis Hysi dhe disa efektivë të tjerë brenda ambienteve të Komisariatit të Policisë.
Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së premtes, kur shefi i Antidrogës, Buis Hysi, së bashku me disa efektivë të tjerë të policisë, kanë shkuar në lokalin ku ndodhej shtetasi Jurxhin Kulla të veshur si civilë dhe me një makinë tip “Renault Megane”, e cila nuk identifikohej si makinë policie. Pasi 31-vjeçari u arrestua pa shfaqur rezistencë, ai u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, ku është dhunuar barbarisht.
Avokati Altin Goxhaj ka dhënë detaje lidhur me masakrimin e 31-vjeçarit Jurxhin Kulla nga Policia e Korçës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Goxhaj bën me dije se, Kulla është ndjekur nga forca të policisë, ndërsa është prangosur pa të drejtë. “Sapo u njoha me dosjen. Jurxhin Kulla, 31 vjeç po rrinte jashtë një lokali, aty futet brenda një grup i armatosur civilësh me një makinë pa shenja dalluese dhe ky sa e sheh largohet me hap të shpejtë, e sheh njëri nga ata që është shefi i Antidrogës dhe i vihet nga mbrapa, pas 20 metrash shefi bërtet ndalo dhe njëkohësisht qëllon me armë 5 herë në mes të Korçës (në kundërshtim me ligjin si të qëlluarit me armë dhe si distanca nga paralajmërimi me gojë dhe në të shtënë edhe sikur të lejohej të qëllohej). Jurxhini ndalon! Shefi i vë prangat mbrapa dhe ashtu e fut te makina e Jurxhinit”, shkruan avokati.
Më tej, ai shton se forcat e Policisë së Korçës pas kontrolleve në banesë dhe makinë nuk i kanë gjetur asgjë në kundravajtje me ligjin. “Asnjë rezistencë! I kontrollojnë makinën dhe s’kanë çfarë t’i gjejnë se s’ka lidhje as me kontrollin e policisë dhe as me lokalin, ku gjithsesi nuk gjejnë gjë (presion për t’i mbyllur lokalin për të favorizuar një lokal tjetër loto sport aty pranë)”, shkruan Goxhaj.
Avokati Goxhaj thekson se 31-vjeçari është masakruar me pranga lidhur, ndërsa bën me dije se nuk i është lejuar kontroll mjekoligjor. “E mbajnë gjithë kohës me pranga mbrapa dhe e çojnë në komisariat. Siç e ka zakon Policia Korçë, e masakrojnë me pranga lidhur. Më pas djali i thotë që do t’i denoncoj. Atëherë shkojnë dhe i bëjnë kontroll në banesë 2 orë rresht pa mandat. Kuptohet nuk i gjejnë gjë. Pastaj shkojnë në komisariat, ku Jurxhinit nuk i lejohet kontroll mjekoligjor dhe ashtu me pranga e kërcënojnë përsëri, ndërkohë policët debatojnë midis tyre se si të rrahin njëri-tjetrin për të gjetur një justifikim. Jurxhini vazhdon të qëndrojë brenda në qeli derisa policia të gjejë një zgjidhje se si të shpëtojë nga krimi që ka kryer ndaj Jurxhinit. Edhe tani që po shkruaj ende nuk i afrohet ndihma mjekësore dhe ekspertimi mjekoligjor”, përfundon Goxhaj.
Kush janë dy masakruesit e 31-vjeçarit
Shefi i Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Korçës, Alfred Nomani është personi i dytë që së bashku me Buis Hysin, shefin e Antidrogës kanë masakruar një 31-vjeçar në ambientet e Policisë në Korçë. Alfred Nomani rezulton të jetë një nga personat e shkarkuar nga detyra dhe arrestuar nga SHKB dhe më pas liruar nga Prokuroria, si dhe përflitet dhe deklarohet si një nga njerëzit që mund të ketë probleme nga funksionimi i ligjit të dekriminalizimit.
Alfred Nomani ka qenë dhunuesi i 31-vjeçarit Jurxhin Kulla dhe mesa duket është përpjekur të mbulohet dhe i është lënë përsipër shefit të Antidrogës, Buis Hysit. Ky i fundit kur ka ndjekur 31-vjeçarin Kulla dhe shokët e tij është rrëzuar.
Këto dëmtime që ka patur e çojnë Buis Hysin tek argumenti se ai është dëmtuar dhe dhunuar nga i arrestuari Kulla. Por në fakt shefi i Antidrogës nuk është goditur dhe dhunuar nga askush, thjesht është rrëzuar kur ka ndjekur të rinjtë për t’i shoqëruar në polici.
Nga ana tjetër versioni zyrtar i policisë thotë në njoftimin se është arrestuar një 31-vjeçar, pasi kishte kundërshtuar punonjësit e policisë në ambientet e komisiariatit.
Ndoshta ky është rasti i parë në botë kur një qytetar arrestohet se ka rrahur policët brenda në polici. Në fakt me publikimin e fotove u pa se 31-vjeçari ishte masakruar dhe gjithçka nga policia u tentua t’i lihej shefit të Antidrogës, thjesht për faktin se ky ishte i dëmtuar.
Ndërkohë burime konfidenciale dhe nga hetimet që po zhvillohen thanë për “citynews” se policia është përpjekur të fshehë dhe manipulojë ngjarjen. Një nga dhunuesit kryesorë dhe i vërteti është Alfred Nomani, shefi i Krimit të Organizuar në Korçë.
Ai së bashku me shefin e Antidrogës janë dhunuesit e të riut, i cili siç duket në fotot e mëposhtme, më shumë se sa rrahur është masakruar nga policia në ambientet e komisariatit.
Rexhep POLISI