Prokuroria për Krime të Rënda ka mbyllur hetimet dhe dërgoi në gjyq 11 të pandehur nga Lazarati, për vrasjen e oficerit të RENEA-së Ibrahim Basha. Bëhet e ditur se dy prokurorët e çështjes, akuzojnë direkt si të përfshirë në vrasje 5 të pandehur, të cilët do të gjykohen për vrasje në bashkëpunim ndaj efektivit të policisë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ndërsa 6 të pandehurit e tjerë, do të gjykohen për akuzën e grupit të strukturuar kriminal, armëmbajtje pa leje, prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike, si dhe kundërshtim të forcave të rendit.
Sipas dosjes që tashmë ka përfunduar në gjyq, si drejtues i këtij grupi kriminal Prokuroria akuzon Arbjon Alikon, ndërsa në rolin e ndihmësit vëllain e tij, Alban Alikon, Elson Kazma si dhe dy vëllezërit Bajram dhe Elivs Boçi. Prej pozicionit ku ata ndodheshin, 5 të pandehurit, dyshohet se ka dalë plumbi që goditi efektivin e RENEA-s, Ibrahim Bashaj në brendësi të fshatit Lazarat.
Ndërkohë në rolin e bashkëpunëtorëve dhe pjesë e këtij grupi të strukturuar krimial, Prokuroria ka ngarkuar me përgjegjësi penale shtetasit Xhulio Malo, Dervish Gaba, Klodian Selimi, Oltion Prroko, Ruhan Hiraj dhe Iliaz Xhaferaj.
Sipas Prokurorisë, arsyeja e sulmit me armë ndaj forcave të rendit mëngjesin e hershëm të 24 qershorit të 2015 është kryer me qëllim largimin e efektivëve të policisë nga fshati dhe vazhdimin e kultivimit të lëndës narkotike. Në dosje thuhet se edhe arma e zjarrit, e cila është gjetur mes armëve të përdorura ditën e sulmit nuk është identifikuar, pasi nuk është gjetur predha që i shkaktoi vdekjen efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha. Ato janë gjetur në një pusetë pranë shkollës së fshatit Lazarat.
Sipas Prokurorisë, për ngritjen e akuzave dhe zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Lazarat, kanë ndihmuar deklarimet e 4 të pandehurve Xhulio Malo, Klodian Selimi, Oltion Prroki dhe Elson Kazma, të cilët kanë dhënë detaje që nga organizimi i të rinjëve, mbledhja e armëve, pozicionimi, sulmi ndaj policisë, armët e përdorura dhe më pas vendet e fshehjes dhe mënyrën e largimit nga vendi i ngjarjes.
Në dosjen që ka përfunduar në gjyq, Prokuroria thotë se efektivi i RENEA-së ka gjetur vdekjen nga një plumb i vetëm që ka qenë tejshpues dhe me ciflat e të cilit janë plagosur lehtë edhe dy efektivë të tjerë të RENEA-s. Me dorëzimin e dosjes në gjyq, pritet që të caktohen me short 5 gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda që do të gjykojnë këtë dosje.