Bashkia e Beratit ka shkatërruar tregun e fruta-perimeve gjatë natës, ndërkohë që mëngjesi e ka gjetur krejtësisht të shkatërruar atë. Inspektorati Ndërtimor në bashkëpunim me Policinë Bashkiake mësohet se gjatë natës kanë prishur tregun që ndodhej në mes të lagjes “30-vjetori”. Bashkia e Beratit ende nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare në lidhje me projektin e saj se çfarë do të ndërtohet në vendin e tregut të fruta-perimeve që u shërbente banorëve të kësaj lagjeje. Nga ana tjetër, kanë nisur të shfaqen pakënaqësitë e para të tregtarëve me këtë vendim të bashkisë.
Në lidhje me shkatërrimin e tregut të fruta-perimeve nga ana e Bashkisë Berat, i menjëhershëm ka qenë reagimi i sekretarit të Degës së PD-së Berat, njëkohësisht anëtar në Këshillin Bashkiak të Beratit, Namir Lapardhaja. Sipas Lapardhasë, ky akt i Bashkisë Berat, realizuar gjatë orëve të natës dhe jo ditën, tregon arrogancën dhe papërgjegjshmërinë e drejtuesve aktualë të kësaj bashkie. Ai thotë më tej në reagimin e tij, se ky është një veprim arbitrar dhe i paligjshëm, që hedh në rrugë dhjetëra familje beratase që ushqeheshin në atë treg.
“Ky veprim është në vazhdën e paligjshmërisë, arbitraritetit dhe mungesës së vizionit dhe ideve nga ana e Bashkisë Berat, e cila që pas zgjedhjeve të fundit përditë e më shumë tregon arrogancë dhe papërgjegjshmëri në sjellje me qytetarët e Beratit”, përfundon Lapardhaja reagimin e tij.