Qytetarë të ardhur nga disa qytete të vendit, shoqëria civile, si dhe ambientalistë kanë protestuar kundër ndërtimit të HEC-eve në Valbonë. Protestuesit me pankarta në duar janë ndalur si fillim përpara Ministrisë së Energjisë e më pas përpara Kryeministrisë.
Protestuesit kanë kërkuar që të anulohet ndërtimi i HEC-eve, pasi nëse kjo do të ndodhte do të shkatërrohej një bukuri e rrallë natyrore e Shqipërisë. “Ne jemi mbledhur këtu për t’i thënë ndal bandës së hajnave dhe horrave që për më shumë para të pista i janë turrur Valbonës. Por ne jemi të vendosur për ta mbrojtur atë”, tha një protestues.
“Ne kërkojmë anulimin e këtyre projekteve, të ruajmë integritetin e parkut, si dhe të investojmë në zhvillimin e ekoturizmit”, tha një tjetër protestuese.
I pranishëm në këtë protestë ka qenë edhe nënkryetari i Bashkisë së Tropojës, i cili i ka bërë apel institucioneve përkatëse që të marrin masat e duhura pasi në të kundërt protestat do të vijojnë. “Duhet ta ruajmë natyrën pa dallime dhe pa ngjyrë politike. Të vazhdojë kjo rrugë derisa të ndalohet”, u shpreh nënkryetari.
Me moton “Larg duart nga Valbona”, protestuesit denoncuan koncesionet, pasi sipas tyre, cenohet natyra, dëmtohet ekonomia dhe zhvillimi i turizmit.
“Komuniteti është kundër këtyre hidrocentraleve sepse shkatërrojnë natyrën, cenojnë ekonominë dhe zhvillimin e turizmit. Sot kërkojmë të anulohen këto projekte, të ruajmë identitetin e Parkut Kombëtar, si dhe të investojmë në zhvillimin e ekoturizmit”, thonë aktivistët.
Kjo nuk është protesta e parë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumin e Valbonës. Protesta të tjera janë zhvilluar muaj më parë dhe sipas aktivistëve, ata do të vazhdojnë derisa të nisë bashkëpunimi me qeverinë për anulimin e kontratave koncesionare.