Koalicioni i Pronarëve Shqiptarë ka reaguar ashpër dje në lidhje me ligjin e ri të qeverisë për çështjen e pronave, ndërsa theksojnë se ky ligj është hartuar kundër interesave të pronarëve, si dhe shkel rëndë të drejtat e tyre. Përmes një reagimi publik për mediat, koalicioni i pronarëve denoncon qeverinë se ka rikthyer propagandën komuniste kundër pronarëve. Gjithashtu ata denoncojnë edhe propagandën e ministrave, të cilët po përpiqen të mashtrojnë opinionin se gjoja pronarët janë pakicë.
Qeveria ka aktivizuar propagandën komuniste kundër pronarëve
(Koalicioni i Pronarëve Shqiptarë-Deklaratë)
Në kushtet kur qeveria ka intensifikuar maksimalisht agjitacionin dhe propagandën komuniste për t’ju mbushur mendjen njerëzve brenda dhe jashtë vendit se Ligji 133/2015 për pronat, është zgjidhja më e mirë për shqiptarët, jemi të detyruar të prononcohemi publikisht si më poshtë.
Konstatojmë se:
Përditë, gazetat e financuara nga qeveria publikojnë lista pa vlerë ekonomike e juridike, të cilat, shpejt do dalin jashtë funksionit që pretendojnë. Përditë, televizionet po çahen nga zhurma e nëpunësve shtetërorë që mbrojnë karriget e tyre duke ju servilosur eprorit. Çdo javë nisen emisarë qeveritarë drejt Europës (duke harxhuar kot paratë e popullit), për të bindur Gjykatën e Strasburgut që të bëjë atë që thotë #FARAONI# shqiptar. Çdo muaj, ministra të qeverisë injorojnë veten dhe qeverinë e tyre, duke kërkuar nga Europa që të pranojë standardet tona komuniste dhe filozofinë socialiste për të drejtat e njeriut. Në tregun e brendshëm propagandistik, qeveria ka vënë në lëvizje edhe servilët e përhershëm të saj, të cilëve ju hedh thërrime, për të propaganduar tek pronarët që të aplikojnë sa më parë me ligjin e ri. Shumë njerëz edhe e kanë ngrënë këtë karrem, pa e kuptuar fare se çfarë po i bëjnë vetes. Duke e ditur që njerëzit janë lodhur nga mashtrimet 25-vjeçare, janë plakur duke pritur drejtësinë, qeveria shpreson që të gjunjëzojë pronarët dhe të hapë një kapitull të ri korrupsioni për pushtetarët. Qeveria, me metodat e ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat i ka fort për zemër, i etiketon drejtuesit e shoqatave të pronarëve si mafie e pronave në shërbim të presidentit, kundër interesit të pronarëve. Por qeveria harron se shosha nuk e mbulon dot diellin. Ajo vetëm sa po zbulon mafiozët e vërtetë të pronave. Ata që falsifikojnë dokumentat si në Karaburun, Dhërmi, Zvërnec apo në Butrint, i kanë lidhjet me debutetët e saj që qëndrojnë përballë dritares së zyrës së kryeministrit, duke i bërë karshillëk dhe hije atij. Propaganda e ministrave të qeverisë, përpiqet të mashtrojë opinionin se gjoja pronarët janë pakicë. Vetë statistikat qeveritare flasin për 46.000 dosje të depozituara në AKKP qysh nga viti 1991. Çdo dosje ka minimumi 10 pronarë dhe secili pronar ka minimumi 4 njerëz në shtëpi. Rezultati del rreth 2 milion njerëz (mbi 50% e popullsisë) që sot janë të interesuar për zgjidhje të drejtë të çështjes së pronave. Pakicë janë hajdutët qeveritarë që duan të shtrembërojnë të vërtetën, duan të varrosin drejtësinë, duan të ushqejnë korrupsionin, duan të shtojnë vëllavrasjen dhe të zgjasin sundimin e tyre me metoda komuniste, por të mbuluara me buzëqeshje demokratike.
Bëjmë me dije se,
Pronarët e kanë zgjidhjen e këtij problemi, me kosto shumë të ulët për shoqërinë shqiptare, por qeveria nuk ulet në tavolinë për ta diskutuar sepse nuk ngelet gjë për të vjedhur nesër. Në këtë vorbull qeveritare, gumëzhitëse dhe mbytëse, asaj po i prish punë një zë shumë i fuqishëm, të cilin nuk e shmang dot direkt, por përpiqet ta përgojojë nëpërmjet ndonjë gazetari servil e puthadorë. Atij servili ne po i themi hapur se padrejtësia lë gjurmë në ndërgjegjen e njerëzve. Nuk ka askush të drejtë që për hir të interesave të veta, të injorojë dhe të marrë nëpërkëmbë interesat e të tjerëve, ndaj duhet të mbajë mirë në konsideratë faktin se po flet në kurriz të të tjerëve. Në qoftë se ai ka bindje për ato që thotë, duhet të pranojë oponencën nga grupet e interesit, hapur në media. Në qoftë se nuk e bën këtë, nuk ka si i shmanget opinionit të pronarëve për papërgjegjshmërinë e tij. Koalicioni i Pronarëve Shqiptarë të Tokave, në unanimitet falenderon publikisht Presidentin e Republikës së Shqipërisë, për qëndrimin koherent, të drejtë, të papërkulur dhe parimor që ka mbajtur dhe po mban ndaj Ligjit 133/2015 të qeverisë, ligj i ndërtuar sipas mendësisë dhe psikologjisë komuniste të kryeministrit aktual.
Koalicioni i Pronarëve Shqiptarë të Tokave
(Axhem Imeri)