Pas denoncimit të bërë në “Faxweb.al” nga Ilirjana Kuçana, ku tha se është telefonuar dhe intimiduar nga Kryeministri Edi Rama, ajo ka vijuar mbështetjen e studentëve për plotësimin e kërkesave të tyre.
E ftuar në studion e televizionit “Fax News”, Ilirjana Kuçana u shpreh se për aq kohë sa nuk do të kemi arsim falas, vendi do të jetë në kaos.
Më tej ajo kërkoi që ministrja Nikolla duhet të japë dorëheqje.
Duke u ndalur tek telefonata me Kryeministrin, i cili i ka thënë se Rektorin Konin e keni zgjedhur vetë, u shpreh: “Ata u bënë bashkë dhe e shkelën ligjin me të dy këmbët. Vërtetë ne e kemi zgjedhur Rektorin, por nuk mbështetën paligjshmërinë, shkeljen e ligjit të Arsimit të Lartë”.
Në vijim pedagogia e Universitetit të Tiranës Kuçana, u shpreh, “jam në mbështetje të studentëve e jo vendimmarrësve”.
Duke u ndalur tek ndarja në dy grupe e studentëve, ajo tha se “Nuk janë, janë më të bashkuar se kurrë, por kanë vendosur që një pjesë të jetë tek Kryeministria e një pjesë tjetër tek Ministria e Arsimit”.
Pedagogia Kuçana u ndal tek telefonata intimiduese e Kryeministrit Rama, ku tha:
“Unë jam në mbështjetje të studentëve. E ndjej veten shumë të vogël para studentëve. Nuk kam pasur kërcënim, por kam pasur komunikim. Ai është përpjekur të më bindë, të më intimidojë që të jem pjesë e dialogut në Kryeministri.
Më kërkoi të jem pjesë e një dialogu, që unë t’i bind studentët që të jenë pjesë e dialogut. Por kjo nuk është në vendimarrjen time. Ata e kanë nisur vetë dhe vetë po e vijojnë”.
Ajo shtoi: “I nisa problemet që ka ligji, madje ia nisa edhe me shkrim dhe i thashë se e gjithë kjo e ka një përgjegjës, duke nisur nga Ministria”.