Situata në Parlament u tensonua pasi deputetë të PD dhe LSI u përplasën me kryeministrin Rama për çështjen e studentëve. Sapo ky i fundit doli në foltoren e Kuvend, shumë pranë tij shkoi edhe deputeti i PD-së Ervin Salianji, ndërsa kolegët e tij të opozitës protestuan në këmbë.
Sapo Rama nisi të fliste Salianji iu drejtua kryeministrit me fjalët; “Ti je ngelës”, “Ska më sezon për ty”, ndërsa hedh në drejtim të tij disa fletë nga ligji i Arsimit.
Për të parandaluar precipitimin e situatës, ndërhyri edhe Garda, ndërsa kryeministri kërkoi që ata të largoheshin.
Ndërkohë herë pas here ndërhynte edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ku kërkoi që deputetët opozitare të uleshin në vendet e tyre.
Rama theksoi edhe njëherë nga foltorja e Kuvendit se 8 kërkesat e studentëve janë të realizueshme.
Ai i bëri thirrje studentëve që të gjejë mundësinë për të dialogur qoftë edhe në sallën e parlamentit dhe të mos dëgjojnë më propagandën e opozitës për t’i thënë jo negociatave.