Pizzi: Jam krenar për Kilin!

Krenar për triumfin e Kilit, që arriti të mposhtte skuadrën dhe lojtarin më të mirë në Botë. Juan Antonio Pizzi, trajneri i “La Rojas”, përgëzon futbollistët e tij për këtë sukses të merituar, i dyti radhazi për kilianët përballë të njëjtit kundërshtar në të njëjtin turne. Kur ndeshja përcaktohet nga 11-metërshat, është e vështirë të parashikosh sesi mund të shkojnë gjërat, theksoi Pizzi. Përballë futbollistëve të Kilit sot ishin lojtarët më të mirë në qarkullim dhe më i miri në botë”.
I shkatërruar psikologjikisht nga kjo disfatë, trajneri i Argjentinës Gerardo Martino, e kishte të vështirë të nxirrte fjalë nga goja. “Kishim shpresa të mëdha, por mbetëm duarbosh. Argjentina duhet ta kishte mbyllur ndeshjen brenda 90 minutave ose të paktën në kohën shtesë, por nuk ishim të aftë për të fituar. Realisht e kam shumë të vështirë për ta shpjeguar”, u shpreh Martino.
I pyetur për tërheqjen e Lionel Mesit nga kombëtarja, Martino u mundua të linte të hapur mundësitë që ylli i Barcelonës të ndërronte mendje. “Ky grup lojtarësh është sforcuar shumë në një turne kaq të vështirë. Kjo është e vërteta. Nuk shoh arsye që disa prej tyre të mos jenë më pjesë e kombëtares”, tha ai.
I lumtur për suksesin në finale, por i çuditur nga vendimi i Mesit mesfushori i Kilit, Arturo Vidal deklaroi se është mëkat që ylli argjentinas të tërhiqet nga kombëtarja, por ai duhet të ketë arsyet e tij. 29-vjeçari shtoi më tej se të kritikosh Mesin apo t’i ngarkosh atij të gjitha përgjegjësitë është padrejtësi. Për portierin e Argjentinës Sergio Armero, deklarata e Mesit është emocionale, për shkak të trishtimit në këtë disfatë të radhës në një finale të rëndësishme, ndërsa sulmuesi Sergio Aguero e pranoi se kurrë nuk e ka parë Mesin në një gjendje të tillë psikologjike.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërArgjentina bie te penalltitë