Argjentina mbetet një mallkim për Lionel Mesin. Lojtari më i mirë në qarkullim i dekadës së fundit, dështoi ta udhëhiqte përfaqësuesen e tij drejt suksesit në finalen e Copa America Centenario, me Kilin që triumfoi për të dytin vit radhazi pas goditjes së 11-metërshave, këtë radhë 4-2. Një tjetër rezultat dramatik për yllin e Barcelonës, i cili vendosi të tërhiqej nga kombëtarja, pasi e sheh të pamundur të triumfojë me bardhekaltrit pas katër finaleve të mëdha të humbura, një në kampionat botëror Brazil 2014 dhe tre të tjera në Copa America. Vetëm një medalje e artë me përfaqësuesen olimpike të Argjentinës në Olimpiadën e 2008-ës në Kinë është thuasje asgjë për 5 herë fituesin e “Topit të Artë”.
Argjerntina ishte superiore në minutat e parë, me Kilin që detyrohet të mbrohet. Në të 21-ën Higuain kishte rastin e artë për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij, por një për një me portierin Bravo, humbet një gol të sigurtë. Ndeshja më pas bëhet më e ashpër, duke e detyruar gjyqtarin që të nxirrte kartonët njëri pas tjetrit. Diaz detyrohet të largohet nga fusha pas kartonit të dytë të verdhë në minutën e 28-të, por të njëjtën gjë bën edhe Rojo në fund të pjesës së parë. Skuadrat mbeten me nga 10 lojtarë në fushë.
Gjatë pjesës së dytë, kjo finale bëhet më taktike. Argjentina i besoj cilësisë së Mesit, ndërsa Kili ruan kompaktësinë në fazën mbrojtëse, por gjithashtu krijon momente të rrezikshme në portën kundërshtare. Koha e rregullt dhe shtesa përfundojnë në barazim pa gola dhe sikurse një vit më parë, fituesi i Copa America do të përcaktohej nga 11-metërshat.
Në Serinë e parë gabon Vidal për Kilin, por të njëjtën gjë bën edhe Mesi, me topin që përfundon mbi traversë. Më pas, futbollistët e Kilit tregohen të saktë njëri – pas tjetrit, ndërsa gjuajtja e gabuar e Biglias në serinë 4-rt i dha mundësinë Silvas të shënonte penalltinë e fundit për Kilin, që shpërtheu në festë. Makthi për Argjentinën nuk ka fund, kjo ishte finalja e tretë radhazi e humbur në tre vitet e fundit.