Matthew Norman
“The Indipendent”
Mund të thuhet se Cameronin e zuri gjumi në një shtet dhe u zgjua në një tjetër, por kjo do të ishte një shaka pa kripë, aspak e vërtetë, për të mos thënë edhe fyese për shumë e shumë të tjerë, që nuk i zë gjumi për ditë me radhë. Teksa rezultati filloi të bëhej i qartë, fillimisht në formën e torturës japoneze të ujit që derdhet pika pika, për të vërshuar më pas si një tsunami shkatërrimtar – vendimi i Britanisë përngjante më shumë më një mankth të frikshëm, nga i cili mezi pret të zgjohesh. Problemi është se nga ky makth nuk zgjohesh dot.
Pra, sot britanikët ndodhen vërtetë në një tjetër shtet, një shtet, i cili që tani është metaforikisht ndryshe dhe së shpejti me të vërtetë ndryshe, atëherë kur Skocia të shkëputet dhe të aplikojë për anëtarësi në Bashkimin Europian si një shtet sovran. Britanikët jetojnë në një shtet të përçarë nga lufta civile në disa fronte.
Sipas shifrave të votimit, Londra ndodhet në një enklavë të vetën, një qytet-shtet tërësisht i divorcuar në aspektin kulturor, politik dhe financiar nga pjesa tjetër e Anglisë. Po nga të njëjtat shifra, të rinjtë janë potencialisht në një konflikt të pazgjidhshëm me gjyshërit e tyre, të diplomuarit me ata pa diploma universitare dhe zonat urbane me ato rurale.
Me Uellsin dhe Anglinë të bashkuar kundër Skocisë dhe Irlandës, ata që shpresonin që pas referendumit do të rifitonin përsëri shtetin e tyre, kur t’u rikthehet pas kësaj katrahure dhe pas kthetrave fantazëm të Brukselit, ndoshta do të mendojnë se nuk e duan më. Kurrë më parë në historinë moderne nuk ka qenë më me vend shprehja: “Kini kujdes nga çfarë shpresoni, sepse mund të realizohet”. Gjuha e politikanëve dhe mbështetësve të ndryshëm me të cilët ka qenë në kontakt BBC, kur flitej për masa emergjence dhe pezullimin e tregut të aksioneve, ishte një gjuhë që imagjinon ta dëgjosh vetëm në kohë lufte. Në këtë rast dukej me vend.
Në të ardhmen e afërt të David Cameron, ai mund të mbahet mend në histori si kryeministri që vrau vendin e tij. Pas lëkundjeve të forta në zgjedhjet e përgjithshme dhe me referendumin e parë të Skocisë, fati i kryeministrit mori fund. Ekziston një thënie në lojën e pokerit, kur një lojtar vendos të vërë bast të gjitha paratë që ka: Funksionon gjithmonë përveç herës së fundit.
Kjo mund të jetë hera e fundit që Cameron vendos t’i fusë të gjitha në lojë. Bllofin e luajti, por fytyra e tij e skuqur e tradhëtoi shumë shpejt. Lideri i Partisë Konservatore dhe të Unionit, i cili këtë javë tha se nuk është një njeri i papërgjegjshëm nga natyra, mund të thuhet sa e shtyu Mbretërinë e Bashkuar në prag të humnerës me një papërgjegjshmëri egoiste të paprecedent.
Të gjithë do të kujtojnë se, kur votimi i skocezëve dukej i paparashikueshëm, ai vrapoi drejt Skocisë për t’u kthyer i përlotur teksa fliste për dashurinë që kishte për “Bashkimin”. Mund të ketë qenë ose jo i sinqertë, por nëse keni arritur ta shihni kryeministrin e përlotur atë mëngjes, duhet të jeni bindur se, nuk ishin lotë krokodili. Megjithatë, mos harroni këshillën që Nora Ephron u ka drejtuar femrave: Kini kujdes nga mashkulli që qan, sepse qan vetëm për veten.
Ndërkohë që Cameroni mund të shfaqet si mjeshtër kasap që copëton vendin e tij, ai nuk është i vetmi lider partie që duhet të mbajë fajin mbi shpatulla, por edhe performaca surreale e Jeremy Corbyn.
I zgjedhur nëntë muaj më parë, me një mbeshtetje të madhe nga rinia dhe votuesit idealistë, Conbyn i tradhtoi të gjithë mbështetësit e tij me një distancim të plotë spektakolar. Shfaqja e tij në një emision komik, ku mbërriti me një peliçe të bardhë, duke e komentuar në mënyrën më evazive të mundshme mbështetjen e tij apatike për Bashkimin Europian, ishte trajtimi më i pacipë që mund t’i bëhej çështjes historike më të rëndësishme të Britanisë së Madhe.
Vetëm Zoti e di se çfarë i pret britanikët tani. Megjithatë, nuk ka nevojë të jesh parashikues me fuqi mbinjerëzore për të kuptuar se e ardhmja nuk ka për të qenë shumë e begatë. Teksa ndiqja rezultatin e votimit në televizor me djalin tijm 19-vjeçar (një ish-mbështetës idealist i Corbynit, i cili votoi me pasion për një të ardhme europiane), kërkoja në mënyrë patetike të gjeja ngushëllim për të dytën herë brenda vitit. Majin e kaluar, kur rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme u tallën në mënyrë spekatakolare me rezultatet paraprake të sondazheve, nuk arrija të gjeja dot fjalë. Gjatë këtij numërimi akoma më traumatik, fjalët që arrita të gjej m’u dukën të gjitha të padobishme.
Jeta, mendova me vete, nuk është krijuar për të qenë e lehtë. Gjithçka që duhet të bësh është ta marrësh siç vjen dhe të ecësh përpara. Ky është një moment gjigant historik, historia më madhore e Britanisë gjatë 52 viteve të fundit, dhe ndjej se jam i privilegjuar që kam arritur ta përjetoj. Im bir pati mirësjelljen të më ofronte një miratim të lehtë me kokë, por në fakt unë po ironizoja më shumë me veten time se sa me të. Ato nuk ishin fjalët e një babai të mençur, por ato të një gazetari.
Të gjithëve na pëlqejnë melodramat, qofshin ato të sajuara apo të vërteta, prandaj shumëkush prej nesh mendon në mënyrë të fshehtë: “Je të shpërthejë kaosi”. Dhe një gjë është e sigurt, vetëm kaosi nuk do të mungojë gjatëve viteve të ardhshme. Vetëm koha do të tregojë nëse Cameroni do të largohet nga detyra në muajin tetor, duke tërhequr zvarrë vetëm një shtet të përçarë nga Bashkimi Europian, apo marrëzia e tij do të nxisë një efekt domino referendumesh që do të trondisë themelet e gjithë Europës.
Tani për tani, ai duhet të kënaqet me rolin e tij të ardhshëm në librat e historisë si vrarësi i Mbretërisë së Bashkuar, të cilën e donte aq shumë, sa i mbusheshin sytë me lot kur fliste për të.
Çdo njeri i vret gjërat që dashuron, shkroi Oscar Wilde në veprën e tij “Balada e Burgut Reding”. Por edhe nëse dashuria e Cameronit për Mbretërinë e Bashkuar është e sinqertë, me siguri dashuronte diçka tjetër më shumë. Ai e dënoi vendin e tij me vdekje, duke e thirrur këtë referendum për një arsye të vetme. Me një ironi, e cila flet vetë sot, e bëri vetëm për t’i shpëtuar lëkundjeve që po kërcënonin shanset e tij në zgjedhjet e përgjithshme. Ai e thirri referendumin për të shpëtuar vendin e punës dhe nuk ka dashuri më të madhe, se ajo që të shtyn të dorëzosh shtetin për të shpëtuar karrierën politike.