Trajneri i Real Madridit, Santiago Solari, foli në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para se të luajë ndaj Rayo Vallecano-s, në “Santiago Bernabéu”. Ai u ndal edhe tek gjesti i Isco-s ndaj CSKA të Moskës (reagoi keq ndaj tifozëve) dhe situata e Gareth Bale, ndër të tjera, ndërkohë që natyrisht komentoi fishkëllimat dhe braktisen e stadiumit nga tifozët e irrituar në mesjavë.
Besim te Real Madridi: “Si mund të mos besojmë te Real Madridi, që ka fituar 13 Champions, mes të tjerash?! Shumë legjenda janë të gjalla dhe na frymëzojnë. Në sport ka maja, por edhe më poshtë. Në historinë e futbollit, Real Madridi ka pasur më shumë maja”.
Tifozët u larguan para kohe, duke fishkëllyer ekipin: “E vërtetë, por pati edhe duartrokitje. Tifozët e thonë gjithnjë fjalën e tyre dhe duhen respektuar. Shpresoj të na japin shtysën e duhur, për ndeshjen kundër Vallecano-s dhe për Kupën e Botës për Klube”.
Isco dhe nervozizmi me tifozët: “Unë e kam parë nga larg. Më dha përshtypjen se po protestonte për një korne, ose një faull. Nuk ka pse përqendrohemi kaq shumë te gjëra të tilla, më mirë të përqendrohemi dhe të luajmë si kemi luajtur në shumicën e ndeshjeve të fundit, kemi fituar 8 nga 10 ndeshjet e fundit”.
Bale luajti 45 minuta: “Nuk është një çështje pushimi, ka një problem me gjurin. Do të shohim se si situata e tij do të evoluojë, pastaj do të marrim një vendim”.
Humbja kundër CSKA-së: “Ne analizojmë çdo gjë, edhe kur fitojmë, jo më kur humbasim. Natyrisht, nuk e prisja atë disfatë, por ka qenë një lojë e dobishme për të parë shumë gjëra. Lashë disa lojtarë për të pushuar dhe pashë disa të tjerë në veprim. Me rëndësi është se e mbyllëm të parët në grup. Do të kisha dashur ta mbyllja këtë raund me fitore”.
Isco: “Ai është një njeri i pjekur, një profesionist, i cili i ka dhënë shumë gëzim këtij klubi. Ne jemi të sigurt që do të vazhdojë të japë më të mirën, si të gjithë lojtarët e tjerë, që punojnë fort çdo ditë. Sa më shumë lojtarë të kem në dispozicion, aq më mirë, pastaj më mbetet mua si trajner që të zgjedh”.
Mungesa e motivimit: “Unë mendoj se nuk kishim mungesë intensiteti në Huesca. Në rastin e CSKA ishte një lojë tjetër, që kishte ndërlikime të tjera”.
Atmosfera te Real Madridi: “Çdo gjë në lidhje me këtë klub është shumë e madhe. Çdo detaj është me rëndësi të madhe, jemi në qendër të mediave. Për momentin duhet t’i përqendrojmë të gjitha energjitë tona te sfida e radhës me Rayo Vallecano”.
Keylor Navas: “Keylor ka respektin dhe admirimin tim si futbollist dhe si një njeri, që na ka dhënë shumë gëzime si “madridismo”. Pjesa më e vështirë e një trajneri te Real Madridi është që të bëjë përzgjedhjen e formacionit, sepse grupi është mjaft konkurrues mes veti”.