Kryetari i PD, Lulzim Basha u shpreh gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike se, një grup kriminal politik, ekonomik e mediatik kërkon çimentimin e pushtetitka. Basha ka shpalosur qëlllimin e tij si kryetar i opozitës në Kuvendin Kombëtar të PD që ka nisur sot në Tiranë.
“Ne duhet të ndërtojmë rrugën për kalimin e përgjegjësisë së vendit në duart e një brezi të ri. Hapja e rrugës mund të arrihet përmes ndërtimit të një sistemi të ri politik dhe meritokratik. Ky do të jetë qëllimi im kryesor”.
Në fjalën e tij kryetari Lulzim Basha vlerësoi të gjithë kontribuesit e PD si dhe qytetarët që sipas tij po protestojnë vrullshëm ndaj “qeverisë së krimit”.
“Ju që kontribuat me mish e me shpirt për këtë parti dhe nuk u prirët nga interesi personal dhe ju që jeni bashkuar me ne në këto ditë të vështira ku qeverinë e ka në dorë krimi, ku drejtojnë antivlerat, dua t’ju them se ju jam mirënjohës për të gjitha betejat në mbrojtje të lirisë e demokracisë, që janë testament politik i kësaj partie.
Dua të mbështes sot qytetarët që protestojnë kundër prishjes së Teatrit, apo studentët që protestojnë kundër reformës në arsim.
Rinia studentore ka flakur inercinë e mosveprimit e heshtjes duke na dhënë shembull. Shqipëria ka nevojë jo vetëm për energjinë dhe ndershmërinë e rinisë, por mbi të gjitha për një mentalitet të ri politik, për një qasje të re ndaj politikës dhe për një politikë ndryshe. Prej një shekulli politika ka qenë e keqja mes shqiptarëve”, tha Basha.
Pjesë nga fjala e kryetarit Basha
Ju, që na jeni bashkuar në këto ditë kur vendi qeveriset nga arroganca, dua të ndaj me ju respektin dhe vlerësimin tim si demokrat për të gjitha përpjekjet e muajve të fundit në mbrojtje të pronës dhe vlerave perëndimore.
Dua të ndaj mirënjohejn e thellë për të gjithë qytetarët që protetsojnë prej 10 muajsh për Teatrin Kombëtar, për pronën e tyre, studentët që protetsojnë kundër rrënimit të arsimit, respekt për ata që i japin zë këtyre përpjekjeve.
Në krye të vendit ka dalë rinia që ka flakur plogështinë dhe kërkon që gjërat të ndryshojnë. Me kryengritjen e saj, rinia na ndërgjegjësoi.
Koha ka filluar të thërrasë në krye të vendit, rininë.
Koha kërkon një politikë ndryshe.
Shqipëria ka nevojë jo vetëm për energjinë dhe ndershmërinë e rinisë, por mbi të gjitha për një mentalitet të ri politik, për një qasje të re ndaj politikës dhe për një politikë ndryshe.
Për mëse një shekulli, politika qënë më shpesh pengesë se shtyrje për përparim, më shpesh për ndarje se bashkim. Sot ne kemi nevojë për një politikë perëndimore, jo për parulla dhe predikime sipërfaqësore.
Kjo nuk ështe lehtë, por as e pamundur. Duhet një brez i ri politik, nje elitë e re e aftë për këtë aspiratë ndryshimi të shqiptarëve. Ndaj detyra morale dhe fitorja më e madhe është përgatitja e politikës në duart e një elite të re.
Ne duhet të ndërtojmë rrugën për kalimin e përgjegjësisë së vendit në duart e një brezi të ri. Hapja e rrugës mund të arrihet përmes ndërtimit të një sistemi të ri politik dhe meritokratik. Ky do të jetë qëllimi im kryesor.