Willmots kërkon Gjermaninë në finale

Marc Willmots kërkon Gjermaninë në finale të Europianit. E nisi me një humbje përballë kombëtares së Italisë aventurën e saj në Euro 2016, por tani duket se Belgjika e tij është në shinat e duhura për t’i shkuar deri në fund kompeticionit. Një gjë e tillë u konfirmua në ndeshjen kundër Hungarisë e fituar me rezultatin e thellë 4-0 për “Djajtë e Kuq”. Willmots u shpreh se te ekipi i tij ka ende vend për përmirësim. Gjithashtu ai shtoi se Belgjika ende nuk ka fituar asgjë, por deklaroi se do t’i pëlqente një finale kundër gjermanëve. “Kemi ende shumë punë për të bërë. Sigurisht që ne ende nuk kemi arritur asgjë, por do të më pëlqente një finale kundër Gjermanisë”. Të dyja skuadrat janë përballur 36 vite më parë në finalen e Europianit në Romë, gjermanët arritën të fitonin në minutat e fundit të takimit me rezultatin 2-1. “Do të ishte bukur të ndesheshim sërish”, u shpreh ai.
Më tej, Willmots bëri dhe një vlerësim të skuadrës së tij, duke u shprehur i kënaqur me mbrojtjen. Gjithashtu trajneri 47-vjeçar deklaroi se futbollistët e tij janë shumë të motivuar dhe një gjë të tillë e ai e vuri re në përfundim të pjesës së parë në takimin kundër Hungarisë.
“Kur skuadra u fut në dhomat e zhveshjes në përfundim të 45 minutëshit të parë ishin të pakënaqur, pasi kishin shpërdoruar shumë raste. Ata dinin fare mirë, që nëse nuk arrinin të siguronin fitoren në fund mund ta pësonin. Për fat të mirë në pjesën së dytë erdhën dhe golat që na dhanë qetësi. Mbrojtja ishte në nivelin e duhur. Sigurisht që ka vend për përmirësim dhe për këtë gjë po punojmë çdo ditë”, përfundoi trajneri i Belgjikës.

Artikulli paraprakVlera e kombëtares rritet në 46,15 milionë euro
Artikulli tjetërNeuer: Gjermania do ta tregojë veten me të mëdhatë