Protesta e dijes dhe vetëdijes që po i kthen nderin demokracisë

“Monitor”
Protesta e studentëve këtë dhjetor është kurorëzimi i qeverisjes që vetë Rilindja projektoi. Në krye të listës së pakënaqësisë së studentëve qëndrojnë tarifat e larta të shkollimit, por thelbi i saj duket qartë në atë që ne të revistës “Monitor” më herët në një editorial, e kemi quajtur “kriza e dijes” por që sot, kjo krizë ka shpërthyer me më shumë dimensione.
Sot, qeveria shqiptare shpenzon për arsimin më pak se çdo qeveri e një vendi të varfër, në mënyrë të vazhdueshme nën 3.4% të PPB-së. Jemi të fundit në rajon për këtë tregues që vlerësohet edhe si rreziku më i madh për korrupsion dhe politika të dobëta.
Aktualisht, studentët shqiptarë, edhe pse janë ndër më të varfrit në Europë, kanë shpenzimet më të larta për arsim se çdo vend tjetër.
Shpenzimet për arsim u peshojnë familjeve shqiptare katër herë më shumë se çdo familje europiane. Në shumë vende të Europës, tarifat e studimit janë bërë zero, kurse Shqipëria po shkon në kahun e kundërt, në një kohë kur shumë të rinj po zgjedhin që të ikin jashtë. Dhe po të analizojmë më thellë brenda vendit, sipas rajoneve, të varfërve shkollimi iu rëndon më shumë. Ndaj mund ta quajmë edhe protesta e të varfërve.
Një tjetër problem është cilësia e arsimit. Duket sikur shqiptarët rrinë në kafe shumë, por në fakt, sipas OECD, jemi populli i dytë në botë që punojmë më shumë orë në vit (2231 orë/vit), por vlera bruto e shtuar për punonjës është 10 mijë dollarë në vit, më e ulëta edhe në rajon, kur mesatarja e Ballkanit është 15 mijë dollarë. Ky është një tipar i vendeve të pazhvilluara dhe me produktivitet të ulët.
Nga ana tjetër, kuotat e frekuentimit në shkolla kanë rënë dhe kërkesa për studime të larta mbetet e keqorientuar nga tregu. Këta tregues të përgjithshëm, të marrë së bashku, kanë prodhuar një krizë të dijes që po mban në lak edhe varfërinë.
Pra mund të quhet edhe protesta e pasigurisë dhe papunësisë në të ardhmen.

Revolta e Rrugës së Durrësit (ku ndodhet Ministria e Arsimit) në kryeqytet, shpërtheu më e madhe pas një mori mini protestash e përplasjesh që popullata e Rrugës së Astirit, Rrugës së Kombit etj., kanë pasur me qeverinë, e cila ka qenë mospërfillëse e arrogante, sa herë ka marrë vendime të dyshimta për përfitimet që ka publiku.
Piktura qeverisëse e Rilindjes ka shumë njolla të errëta edhe më herët. Kur ulën taksat për kumarin, që pas tij fshihej krimi, kur me kokëfortësi vijon me koncesionet dhe kur të gjithë i tërheqin veshin për projekte të paleverdishme që do të rrënojnë buxhetin e shqiptarëve. Kur miraton projekte që, siç po rezulton, shpesh fshihen interesa klienteliste dhe mashtrime (rasti i Unazës së Re të Tiranës), kur ndryshon shpeshherë planet e korrigjon shpesh gabimet që, në fakt, krijojnë kosto. Pra një qeverisje që ecën më shumë mbrapsht, për të arnuar gabimet e së shkuarës.
Studentët, janë bijtë e familjeve shqiptare. Ata e shikojnë dhe provojnë çdo ditë se taksat për familjet e tyre nuk ulen, janë të zhbalancuara, ku i varfëri paguan më shumë. Ata po e shikojnë se të ardhurat reale të familjes së tyre edhe zyrtarisht nuk janë rritur. Por ndryshe nga prindërit, e “trembur” nga mungesa apo humbja e një pune, janë më të lirë, ata janë brezi i internetit, ku liria shfaqet me të gjitha dimensionet dhe nuk kanë se çfarë të humbasin nëse kundërshtojnë ndaj çdo forme mediokriteti, paaftësie, inkriminimi e korrupsioni, edhe në emër të prindërve të tyre, të cilët disa prej tyre ishin edhe në protestë. Ndaj kjo mund të quhet edhe protesta e familjeve shqiptare.
Studentët që protestojnë nuk janë të përkëdhelurit, por të dhunuarit e ardhshëm. Ndaj ashtu si në përvjetorin e ftohtë të dhjetorit të ‘90 “të privilegjuarit” e asaj kohe që ndezën flakën e demokracisë, që i bënë nderin e madh Shqipërisë, për të gjitha arsyet bashkë, kjo mund të quhet protesta e dijes dhe vetëdijes së shqiptarëve, që po i kthejnë nderin demokracisë së fituar dekada më parë.

Artikulli paraprakDrejtuesi i Gallup: Shqiptarët po ikin nga vendi për shkak të varfërisë, korrupsionit e krimit
Artikulli tjetërStudentët e varfër që paguajnë më shtrenjtë: Si po shpenzohen fondet e mbledhura nga tarifat për pajisje luksi dhe makina të shtrenjta