Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian ka krijuar paqartësi të mëdha në gjithë Evropën, e veçanërisht tek shtet që aspirojnë integrimin në BE, përfshirë edhe Republikën e Kosovës. Për ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ikja e Britanisë paraqet lajm të trishtuar për BE-në dhe për Kosovën. Në një prononcim për REL Çollaku ka deklaruar se kjo ditë është e trishtuar, sepse një shtet shumë i fuqishëm, një demokraci e konsoliduar, një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, në mënyrë krejt legjitime dhe demokratike ka vendosur që ta lë Bashkimin Evropian dhe i vetëm të vazhdojë tutje. “Sa i përket reflektimit që do të ketë në Bashkimin Evropian, ndoshta është herët të flitet, por mendoj që BE-ja nuk do të jetë e njëjtë pa Britaninë e Madhe”, ka thënë Çollaku, sipas të cilit, kjo dalje do të mund të nxitë reagime të njëjta edhe tek shtete tjera anëtare të BE-së. “Uroj që kjo të mos ndodh, sepse mendoj që rrezikimi i funksionimit të BE-së me dalje eventuale të shteteve tjera anëtare do të ishte një fatkeqësi e madhe për Evropën dhe gjitha shtetet tjera që nuk janë anëtare, por aspirojnë këto integrime, siç është Ballkani Perëndimor”, ka theksuar Çollaku. Në Kosovë, sipas tij, është punuar shumë për reformat të cilat si qëllim kanë përafrimin e vendit me Bashkimin Evropian. Jo vetëm BE-ja, por edhe Kosova po e humb një shtet aleat brenda BE-së, ka theksuar Çollaku. “Ne po humbim një anëtar të BE-së, që ishte ndër shtet e para që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe ka folur hapur për nevojën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe tani ne nuk e kemi më këtë aleat, sikurse që nuk e ka i gjithë Ballkani Perëndimor”, ka thënë Çollaku. “Imagjinojeni se çfarë mesazhi dërgon dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja për neve, shtetet që jemi aspirante dhe kemi pretendime të bëhemi pjesë e BE-së”, është shprehur ai. Mazreku: Pasojat më shumë janë ekonomike, se politike. Ndërkohë, njohësi i proceseve integruese evropiane, Avni Mazreku, thotë se pasojat kryesore të daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja do të jenë në aspektin politik, ekonomik dhe juridik. “Janë më tepër se 50 për qind e eksporteve të Britanisë së Madhe që lidhen me tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian”, ka thënë Mazrekaj. Vendet ekonomikisht të fuqishme në botë, si Japonia dhe India, të cilat e kanë përdorur Britaninë e Madhe për investime (mbi 50 miliard euro vetëm Japonia), tanimë, ka nënvizuar Mazreku, kanë filluar t’i krijojnë shqetësimet e para, pasi që investimet e tyre kanë ndodhur për shkak të këtij tregu, tregut të BE-së. Përveç dimensionit ekonomik, dalja nga BE-ja mund të nxis edhe efekte politike, në radhë të parë me ri fuqizimin e ideve në Skoci e Irlandë të Veriut për shkëputje nga Britania e Madhe. Por, për dallim nga deklaratat e zyrtarëve të qeverisë së Kosovës, të cilët e shohin me ndikimin negativ daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja, për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, analisti Mazreku beson se zhvillimet nuk do të jenë aq negative. “Politika e zgjerimit do të merr rëndësi edhe më të madhe sesa që ka pasur deri më tani. Arsyeja e parë është që të kompensohet dalja e britanikëve nga BE-ja dhe mbajtja e numrit konstant të konsumatorëve brenda tregut të BE-së”, ka thënë Mazreku. Sipas tij, politikat e zgjerimit vetëm sa mund të intensifikohen tani duke vënë një pikë kthese dhe duke i margjinalizuar disa teknokratë evropian, të cilët nuk lejuan unifikimin e politikës së BE-së karshi vendimeve të mëdha, siç ishte rasti edhe me njohjen e pavarësisë së Kosovës, ku pesë vende anëtare nuk e njohin ende shtetin më të ri evropian.
Dalja e Britanisë, sjell paqartësi në BE
Në anën tjetër, edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka theksuar se “vota britanike për dalje nga BE-ja” do të sjellë paqartësi me efekte të drejtpërdrejta “në politikën e zgjerimit të BE-së”. Ai tha se vota e qytetarëve britanikë është “një votë e shtetit sovran” dhe sipas tij “i takon Britanisë së Madhe të vendos për rregullimin e marrëdhënieve me një bashkësi politike, siç është Bashkimi Evropian”. “Është një kapituill i ri i cili sjellë paqartësi dhe i cili do të ketë edhe efekte direkte sa i takon politikës së zgjerimit të BE-së, qoftë në Ballkan, qoftë edhe në Evropën Lindore”, tha Hoxhaj. Sipas tij, Bashkimi Evropian do të jetë i detyruar që gjatë viteve të ardhshme “të merret më shumë me problemet e konsolidimit të tij të brendshëm dhe rirregullimit të raportit me Britaninë e Madhe, me procesin e daljes së saj, se sa me temat për të cilat qytetarët në Kosovë, apo qytetarët në rajon,presin se do të duhej të merrej Bashkimi Evropian. Ministri i Jashtëm i Kosovës ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Britanisë së Madhe nuk do të reflektojnë në relacionet ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Mendoj se paqja, siguria, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal do të jenë në nivelin dhe lartësinë e njëjtë. BE-ja do të ketë situata, ngjarje dhe procese të brendshme me të cilat do të duhej të merret përderisa vendet e rajonit do të vazhdojnë reformat e tyre, do të jenë të përkushtuara që të modernizojnë shoqëritë e tyre, ekonomitë e tyre, jetën e tyre publike e politike”, tha ministri Hoxhaj. Kosova ka nënshkruar muaj më parë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, për të cilën, thotë ministri Hoxhaj, Britania ka luajtur një rol kyç. I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, ndërkaq, është në proces të përafrimit me BE-në, që ka kërkuar përmbushje të kushteve, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit.