Nëse mendoni se jeni të pafuqishëm në luftën kundër stresit, do të mashtroheni. Ekzistojnë metoda të cilat janë dëshmuar që e zvogëlojnë stresin dhe e përmirësojnë shëndetin, ndërkaq i kontribuojnë edhe humorit të mirë në përgjithësi. Ju mbetet juve që t’i provoni.
Është më se e sigurt që keni informacion për faktin që stresi është shkaktar i shumë problemeve në jetë. Sasia e stresit kushtëzon mënyrën se si sillen njerëzit dhe si veprojnë në jetë, mirëpo kushtëzon edhe zhvillimin e mundshëm të sëmundjeve të ndryshme.
Gjithnjë e më shumë studime konfirmojnë që pikërisht stresi i grumbulluar në organizëm është shkaktar i sëmundjeve të lehta siç janë ftohja dhe gripi, mirëpo edhe sëmundje të rënda, si p.sh. karcinoma të ndryshme. Këto fakte të njohura janë arsye e mjaftueshme që me stresin të merremi më seriozisht.
Po ju sjellin shtatë mënyra, me ndihmën e të cilave është dëshmuar që do të minimizoni ndikimin e stresit në shëndetin tuaj, por edhe në përgjithësi në jetën tuaj.
Aroaterapia
Është një term gjithëpërfshirës, që ka të bëjë me mënyrat çlodhëse dhe shëruese përmes aromave dhe vajrave. Vaji i livandës është vaji klasik që të sjell çlodhje dhe relaks. Të tjerë vajra shumë të përdorur janë ato të kamomilit e bergamonit. Nëpërmjet masazhit me vajra të ndryshëm, ruhet baraspesha psiko-fizike, rritet sistemi i imunologjisë, trupi çlirohet nga ngarkesat si dhe qetësohet nga emocionet e tij.
Akupunktura
Bazohet në filozofinë kineze, që energjia e trupit “qi” përbëhet nga “yin” dhe “yang”, rryma që ndodhen nën lëkurë. Nëse “yin” apo “yang” janë më dominuese, atëherë “qi” ka probleme dhe si pasojë vijnë sëmundjet. Një specialist akupunkture fillimisht merret me shëndetin tuaj në përgjithësi për të gjetur mungesën e ekuilibrit të “qi”-së. Pasi ta ketë bërë një identifikim të tillë, atëherë do të nisë injektimi i gjilpërave në zonat e fluksit dhe kanaleve të energjisë, në mënyrë që trupi të vijë në balancën e tij natyrore. Edhe pse nuk ka shumë kërkime të mirëfillta shkencore në lidhje me këtë teknikë, një numër i madh njerëzish e preferojnë dhe gjejnë tek ajo çlodhje e relaks.
Refleksologjia
Kjo teknikë përdor manipulimin e pikave të presionit trupor, zakonisht këmbët, por edhe duart e veshët, për t‘u dhënë impulse pjesëve të tjera të trupit. Sipas refleksologëve, në trup ka mbetje kripërash dhe kristalesh të tjera, apo edhe acidesh të cilat përqendrohen rreth fundit të nervave në këmbë, ndaj ato ndihen shpesh të rënduara. Sipas një sondazhi në Danimarkë, refleksologjia doli se kishte kuruar rreth 80% të personave me migrenë, të cilët e kishin aplikuar.
Masazhi me gurë të nxehtë
Është vendosja e gurëve të nxehtë dhe të ftohtë në disa pjesë të trupit. Gjatë terapisë së gurëve të nxehtë, gurët vihen zakonisht mbi shpinë dhe ngrohen në ujë. Ndërsa gurët e mermertë, të ftohtë, përdoren menjëherë pas tyre. Disa prej tyre vendosen edhe në pëllëmbën e duarve dhe të këmbëve. Kjo terapi përdoret për të vënë në lëvizje qarkullimin e gjithë sistemeve të trupit të njeriu, atë të gjakut dhe atë limfatik.
Notimi
Notimi pretendon që të reduktojë presionin e gjakut, të lehtësojë dhimbjen e kurrizit dhe stresin, si dhe të përmirësojë fuqitë krijuese.
Por, edhe pesë minuta nën dush është e mjaftueshme që ta lironi stresin e grumbulluar. Uji nga dushi relakson muskujt, nyejt dhe shpinën, ndërsa uji i ngrohtë ndikon në krijimin e hormonit të lumturisë i cili ju nxit disponimin.
Reiki
Është një fjalë që vjen nga japonishtja, e cila nënkupton “energjinë universale të jetës”. Praktikuesit e reikit “i shërojnë” pacientët e tyre përmes transferimit të energjisë me anë të pëllëmbëve të duarve. Zakonisht praktikanti nuk e prek pacientin, por i mban duart e tij në afërsi të trupit, duke bërë lëvizje të ndryshme rreth tij.
Meditimi
Qëllimi është qetësimi i mendjes dhe arritja e paqes së brendshme. Në meditimin transshendental, qëllimi është shndërrimi i procesit të të menduarit në një proces të qetë, në një gjendje ideale paqeje e përqendrimi të plotë. Për këtë rekomandohen 20 minuta meditim çdo ditë, për të reduktuar stresin dhe ankthin. Njerëzit mund të arrijnë një gjendje meditative vetë, duke u fokusuar në dritaren e autobusit, ose në një pikë në mur, apo edhe thjesht duke ecur. Meditimi mund të vetëmësohet, por edhe të instruktohet.