Itali monumentale!

Itali monumentale në Paris, aty ku të kaltërit presin biletën për në çerekfinalet e europianit ku do të sfidojnë Gjermaninë. Skuadra e Antonio Contes i dha një leksion futbolli Spanjës, duke e shkurorëzuar me një sukses të pastër 2-0. Dominues në lojë dhe në rezultat, 4 herë kampionët e botës, të cilët imponuan lojën e tyre dhe futën në kurth trurin e kombëtares “La Roja”, Andres Iniesta, duke bllokuar pothuajse çdo hapësirë. Me mungesën e vetme, Antonio Candrevan, Conte vendosi të hidhte në fushë që nga minuta e parë Alessandro Florenzin dhe kjo zgjedhje e shpërbleu, pasi mesfushori romanist në krahun e djathtë, ashtu si De Sciglio në të majtën arritën të zhvillonin një ndeshje të paharrueshme.
Kur të gjithë prisnin skenarin e zakonshëm me Spanjën në zotërim të ndeshjes, ishte Italia që shtangu iberikët me disa aksione të rrezikshme që në minutat e para. Gjatë 15 minutave të para, De Gea bëri mrekullinë ndaj Pelle, por dalëngadalë Spanja e rriti ritmin edhe pse në të 25-ën, ishte Parolo që pati një mundësi të artë me kokë. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 33 kur Eder ekzekutoi goditjen e dënimit dhe Chiellini i vetëm në zonë e shtyu topin në rrjetë.
Spanja e shuar në fushën e lojës u përplas në vazhdimësi me murin italian, ndërsa në krahun tjetër, Giaccherini ishte shumë pranë golit të dytë me një goditje të rrezikshme që u devijua nga De Gea. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e ngushtë të Italisë vetëm falë gardianit iberik, ndërsa fraksioni i dytë nisi menjëherë në sulm për të kaltërit, por ishte Eder ai që bëri më të vështirën duke e përplasur topin në trupin e De Geas. Çfarë gafe për sulmuesin e Interit, por çfarë zemre Italia që nuk u dekurajua pasi në të 62-ën, Giaccherini gjeti sërish pengesën De Gea.
Spanja e dha sinjalin e parë të vërtetë 20 minuta nga fundi kur Iniesta vuri në provë Buffon, ndërsa në të 90-ën, Pique gjeti trupin e Buffon. Italia nuk e uli përqendrimin, madje gjeti oksigjen për të shënuar edhe golin e dytë me Pelle që ashtu si ndaj Belgjikës, ndezi festën e të kaltërve me Antonio Conten në versionin superman. Një hakmarrje e ëmbël për italianët e mundur në vitet 2008 dhe 2012 nga iberikët që këtë herë duket se kanë mbyllur një cikël të gjatë suksesesh.

Artikulli paraprakPensionistët kosovarë kërkojnë kthimin e Fondit Pensional nga Serbia
Artikulli tjetërFermerët drejt falimentimit, qeveria 95 milionë dollarë çdo vit për luks dhe bileta avioni